E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, firmos koalicionin e parë zgjedhor me Mediun

Është firmosur marrëveshja e parë elektorale mes Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit. Ky koalicion sipas kryeministrit Berisha do të çojë drejt një mandati të dytë të djathtët, ashtu sikurse solli fitoren katër vjet më parë të PD dhe aleatët e saj. Koalicioni do të jetë i gjerë. Ky koalicion u hap me aleatin kryesor. Në katër vjet ky koalicion e shndërroi Shqipërinë nga vendi i krimit, në vendin që e votuan 27 parlamentet e vendeve europiane, dhe 26 vendet e NATO-s, theksoi kryeministri Berisha. Ndërsa nga ana e tij, kreu i republikanëve Fatmir Mediu vlerësoi kontributin e përbashkët të dy forcave aleate, duke theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me PD, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Ndër të tjera ai u ndal në veçanti tek përmbushja e njërit prej angazhimeve që e përafroi Shqipërinë me vendet anëtare të NATO-s dhe që pritet të formalizohet në fillim të muajit prill. Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar nga dy liderët e partive, kryeministrit Berisha dhe republikanit Mediu synon ti sjellë një mandat të dytë koalicionit të djathtë qeverisës si dhe vlerëson bashkëpunimin konkret të dy partive në kuadrin politik dhe institucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përafrimin e Shqipërisë në strukturat e familjes europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›