E Diel, 1 Nëntor 2026

Botimi i dosjes së Gërdecit, Berisha sulmon Prokurorinë dhe presidentin Topi

Kryeministri akuzon se prokuroria po shndërrohet në parti politike
Kryeministri Berisha ka akuzuar Prokurorinë si një organ që po shndërrohet në parti politike. Tashmë që dosja për Gërdecin u bë publike në media, kryeministri i vendit, ndihet i tradhtuar dhe i befasuar nga veprimi i Prokurorisë me botimin e dosjes në disa media. Duke dalë në një konferencë për shtyp së bashku me Fatmir Mediun, Berisha deklaroi se faji për Gërdecin nuk është i qeverisë, por është prokuroria ajo që po manipulon provat. Nëpërmjet kësaj deklarate kryeministri Berisha i ka lëshuar një presion të fortë edhe presidentit të Republikës që po luan nëpërmjet kompetencave që ka mbi prokurorinë, duke e shndërruar prokurorinë nga një institucion i pavarur në një parti politike. Nëpërmjet të deklaratave të djeshme, kryeministri Berisha kërcënoi kundërshtarët e tij politikë brenda mazhorancës, duke ju bërë të qartë se lojërat e tyre nëpërmjet botimit të dosjeve nuk mund shndërrohen në luftë politike. Në fakt botimi i dosjeve të Gërdecit është një strategji e faktit të kryer nga Bamir Topi, Uithers, Ina Rama dhe Edi Rama të cilët duena të bëjnë sa më të pamundur pafajësinë e Mediut, qeverisë dhe vetë kryeministrit Berisha. Duke u botuar këto dosje gjykatat ndodhen përpara faktit të kryer dhe gjykimit mbarëpopullor mbi akuzat e servirura mediatikisht nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në prag fushate elektorale, kur edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, akuzat mazhorancë-opozitë sa po vijnë e po bëhen edhe më të fuqishme. Këtë herë kryeministri i vendit, Berisha duke iu kundërvënë kundërshtarit të tij politik ka përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme, sipas së cilit kjo e fundit po përdoret nga ana e opozitës për qëllime politike. Kryeministri Sali Berisha ka përzgjedhur momentin e marrëveshjes zgjedhore me Partinë Republikane, për të sulmuar Prokurorinë e Përgjithshme, që sipas tij po përdoret nga njerëz që duan ta kthejnë në parti politike. Duke iu referuar dosjes së hetimit, të publikuar në media ai ka theksuar se është ajo nuk është nxjerrë nga opozita,  por  nga ai person që kërkon të shndërrojë këtë organ akuze në parti politike. "Dosja është publikuar në media dhe unë do të doja të thosha se këtu ka gisht opozita. Por, unë e di se dosjen e ka nxjerrë ai që kërkon ta shndërrojë Prokurorinë në parti politike. Kemi besim të plotë tek sistemi gjyqësor i këtij vendi, por nuk mund të pranoj përdorimin e shpirtrave të të vdekurve. Dosja del nga të dobëtit, të keqpërdorur politikisht, që kanë frikë nga ligji dhe marrin e bëjnë mediatizim", u përgjigj Berisha. Për kreun e qeverisë, problemi nuk qëndron tek opozita, por tek gjëra edhe më të thella, që siç theksoi Berisha, bëhen për të devijuar një linjë të tërë, që dikush tjetër të dalë i pastër në këtë çështje. Pastaj problemi ishte se duhej devijuar sot një linjë e tërë që dikush të dilte komplet i larë. Shikoni dokumentet e botuara në media. Por kur ske besim te gjykata dhe shkon u bën presion, atëherë keqpërdor opozitën dhe median, ka theksuar ai.
Berisha: Prokuroria, akuza fallco ndaj Mediut
Ndërkohë që qeveria dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu janë dy ndër të akuzuarit kryesorë të çështjes së Gërdecit, kryeministri Berisha hedh poshtë akuzat politike të ngritura nga prokuroria për Mediun, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Ka qenë kreu i qeverisë, ai që pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Mediun për zgjedhjet e 28 qershorit, ka sulmuar prokurorinë e përgjithshme për presion mbi gjyqësorin dhe ka mbështetur të ish- ministrin e Mbrojtjes pasi akuzohet për shpërdorim të detyrës. Në fjalën e tij drejtuar shtypit të pranishëm, Berisha përkrah Mediut u shpreh se Prokuroria formuloi akuza politike lidhur me ngjarjen e Gërdecit, dhe se ai si shef i qeverisë nuk mund të pranojë dhe ti marrë të mirëqena kurrë akuza të tilla. Prokuroria me akuzat fallco që ka formuluar në fillim ka përdhosur të vdekurit. Mos harroni se ata janë vëllezërit e mi, të tutë, motrat e mia të tuat, njerëzit tanë. Në mënyrë sesi nisi prokuroria me urdhrat politikë për të formuluar pseudo- akuzat, ka qenë ky kryeministër që ju ka thënë ju dhe të jeni të bindur ju, jo për të mbrojtur asnjë mbi tokë, por hetimin që po bëhet. Por, në qoftë se ti akuzon tjetrin për atë që nuk qëndron siç ju tha zotërisë se ky ti ke shmangur ushtarakët, dhe unë mund të them çtë duash dhe ti e beson se aty kishte 32 dokumente me shumë firma ku nuk kishte asnjë shmangie, u shpreh Berisha ku veçon se për Gërdecin, organi i akuzës po i bën presion gjyqësorit. duke shtuar se akuzat e bëra në drejtim të Mediut nuk qëndrojnë. "Nëse ti akuzon tjetrin për atë që nuk qëndron siç ju tha zotërisë (i referohet Mediut) se t'i ke shmangur ushtarakët. Aty kishte 32 dokumente me 3-7 firma dhe nuk kishte asnjë shmangie"- tha më tej ai. Duke shprehur besim tek gjyqësori, kryeministri ka theksuar se beson se ky i fundit nuk do të pranojë akuza politike. Edhe pse ka kaluar një javë pasi tragjedia e Gërdecit ka mbushur një vit ku humbën jetën 26 persona, Kryeministri Berisha nuk ka harruar të sulmojë opozitën, që sipas tij me protestat e saj në 15 Mars ka shkelur kodin e vdekjes. "E ka ruajtur kodin e vdekjes te paprekur, nuk do nëna, që ti të manipulosh me vdekjen e djalit, nuk do babai ti manipulosh me vdekjen e vajzës, nuk do familja ti cënosh respektin e paprekur ndaj të vdekurve të saj për qëllime politike", tha ai.

*******************************************************************************
Sipas Prokurorisë, Mediu i implikuar në trafik armësh dhe tragjedinë e Gërdecit
Ky reagim i Berishës ka ardhur pas publikimit të akuzave që rëndojnë mbi ish- ministrin e Mbrojtjes, Mediu për tragjedinë e Gërdecit, ku Mediu është marrë i pandehur për çështjen pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën lidhur me rastin. Vetë ish-ministri i quajti akuzat politike dhe të montuara nga PS. Sipas organit të akuzës, ky i fundit për të realizuar synimet e tij kriminale në interes të përfitimeve të padrejta të shoqërisë Albademil shpk, nëpërmjet shoqërisë amerikane SAC inc, ka iniciuar hartimin dhe ka miratuar disa akte nënligjore. Ndër të tjera ai ka iniciuar një projekt vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt urdhra, të cilët kanë orientuar dhe urdhëruar realizimin e procesit të shitjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim në përmbushje të kërkesës/ofertës të përmendur më sipër. Një tjetër shkelje ligjore është edhe përzgjedhja e kompanisë amerikane SAC inc, që ka qenë e paracaktuar për tu përdorur si fasadë për publikun dhe për institucionet e tjera, me qëllim krijimin e perceptimit të rremë se do të realizohej një proces transparent, ligjor dhe që do të garantonte çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve brenda standardeve për sigurinë publike, që zakonisht e ofrojnë shoqëritë e huaja në këtë fushë, ndërkohë që provohet se në fakt është konsideruar domosdoshmëri dhe janë marrë të gjithë masat që ky proces të realizohej nga person juridik i pandehur, shoqëria Albademil shpk, e përfaqësuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji. Shkelje të ligjit ka pasur edhe në mosanalizimin e elementëve dhe kritereve të veçantë të përbërjes së çmimit, që janë normuar në akte nënligjore, si dhe nuk janë përfshirë në çmimin e shitjes së municioneve shpenzimet e transportit, duke përmbushur ofertën/kërkesën e shoqërisë amerikane SAC inc, me qëllim realizimin e përfitimeve të padrejta materiale të shoqërisë Albademil, nëpërmjet kësaj shoqërie të huaj.
 

Last Updated on Saturday, 21 March 2009 23:23

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›