E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, kurbinasve: Me 8 dhjetor ejani në Tiranë



Kryeministri Sali Berisha ftoi dje banorët e zonës së Kurbinit që me datën 8 dhjetor të festojnë në Tiranë 19-vjetorin e shembjes së murit komunist. Z. Berisha përuroi dje pasdite përfundimin e rikonstruksionit e rrugës Fushë-Milot - Gurrëz, në rrethin e Kurbinit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 100 milionë lekë. “Më datën 8 dhjetor, qytetarët e Gurrëzit, Kurbinit, Fushë-Milotit, Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë do të festojnë në Tiranë ditën e idealit të tyre evropian, ditën e krenarisë së tyre të madhe, ditën që studentët liberatorë, të mbështetur nga qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, u përballën nëpër rrugët e Tiranës me diktaturën më të egër të planetit dhe e gjunjëzuan atë”, - u shpreh z. Berisha. Por, kreu i qeverisë u ndal gjatë edhe tek bojkoti i PS-së dhe kërcënimet për dhunim të shtetit ligjor. Berisha iu drejtua banorëve të Kurbinit: “Vota juaj e 28 qershorit nuk pranohet, nuk njihet nga një aleancë punisto-mafioze, nga një grup miliarderësh mafiozë, të cilët menduan se duke mobilizuar dhjetëra e dhjetëra miliona euro në zgjedhje, do të mund të blinin pushtetin tuaj, por atë nuk e realizuan dot dhe tani na kërkojnë të heqim gurin e themelit të kësaj ndërtese, të anulojmë me politikë vendimin e gjykatave apo ta shqyrtojmë atë”. Më tej Berisha i siguroi ata: “Ju siguroj se ultimatumeve të tyre ne do t’u përgjigjemi me rrugë të reja; ultimatumeve të tyre, ne do t’u përgjigjemi me shkolla të reja për këta fëmijë; ultimatumeve të tyre, ne do t’u përgjigjemi me heqjen e vizave për secilin prej jush dhe lëvizjen tuaj të lirë; ultimatumeve të tyre, ne do t’u përgjigjemi me garancinë e protestës për ata dhe për çdo qytetar shqiptar. Ju garantoj ju se aleanca punisto-mafioze do të marrë përgjigjen më të merituar ligjore. Dhe një ditë ultimatumin e tyre do ta gjejnë si të dhjetat e aleancës së tyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›