Berisha kurorëzon homoseksualët
Dëshira e shqiptarëve për t‘u anëtarësuar në Bashkimin Europian duket se ka dhe anët e saj të vështira për t‘u pranuar. Pas 18 vjetëve pluralizëm, Shqipëria pritet t‘u thotë po martesave mes homoseksualëve dhe kjo gjë tashmë do të bëhet me ligj. Kryeministri Sali Berisha, në takimin ndërministror për integrimin ka deklaruar dje se duhet të miratohet sa më shpejt të jetë e munduar me çeljen e sesionit të ri parlamentar ligji kundër diskriminimit, i cili vjen si kusht i BE-së. Megjithëse një kërkesë e tillë është shoqëruar me të qeshura nga vetë Berisha, i cili lexonte vendimin pro edhe nga ministrat e kabinetit dhe gazetarët, kreu i qeverisë ka vijuar më tej duke sqaruar se çfarë ishte ky ligj dhe cilët ishin hartuesit e tij. Sipas Berishës, ky ligj është ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Berisha ka kërkuar nga ministrat e tij që të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. "Unë mendoj se pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Kjo synon vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet europiane", vlerësoi Berisha. Ai ka informuar mediat dhe ministrat se ky ligj është në Parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që zhduk një lloj diskriminimi. Sipas kreut të qeverisë "këtu nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave". Fatmirësisht, tha ai, nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik dhe kjo është një arritje e vërtetë. "Ky është një standard, i cili ka të bëjë qartësisht me të drejtat e njeriut dhe që ka mbështetje në konventat në të cilat aderon dhe është e detyruar t‘i respektojë", u shpreh Berisha. Vërtet, tha ai, që ne nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin, sepse është opinioni. Më mirë, vijoi ai, të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin. Mësohet se kërkesa për miratimin e një ligji të tillë është bërë nga Shoqata joqeveritare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, e cila drejtohet nga Elsa Ballauri. E kontaktuar nga gazeta "Shqip", Ballauri sqaroi se projektligji është në fazën përfundimtare të tij dhe në shtator do të paraqitet në Kuvend, por për çeljen e dritës jeshile të miratimit nga qeveria ka më se një vit që po punohet. Gjithashtu, ajo sqaron se projektligji nuk ka të bëjë konkretisht me martesat brenda së njëjtës gjini, por është një ligj për diskriminimin. Sipas Ballaurit është një koncept më i gjerë ku nga ky projektligj përfitojnë të gjithë pakicat apo ato shtresa të cilat ndihen të diskriminuara, si njerëzit me ngjyrë, ish të burgosurit, njerëzi me probleme të dukshme fizike, apo deviacione. Ajo saktëson se nuk ka një nen të veçantë i cili ka të bëjë me lejimin e martesave brenda së njëjtës gjini, megjithëse nëpërmjet këtij ligji ata favorizohen. Sipas saj, pika kryesore në këtë projektligj është e drejta për të punuar, pra sqaron ajo nëse një punëdhënës nuk e pranon në punë një person i cili në rastin konkret mund të jetë homoseksual ai ka të drejta ta hedhë në gjyq dhe avokati me këtë ligj ka të drejta ta marrë në mbrojtje. Sepse, thekson Ballauri, deri më tani nuk kishte një ligj i cili i mbronte këto shtresa. Ballauri sqaron se ky ligj ekziston në vendet kryesore të Europës dhe funksion më së miri. Shqipëria ka punuar mbi disa modele për t‘i paraqitur një variant të mirë Kuvendit për miratim, është punuar mbi modelin suedez, holandez, anglez, por dhe austriak.