E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha legalizon ndërtimet informale në vijën bregdetare

Kryeministri: “Borgjezia e re do ta blejë truallin me çmimin e tregut” . Sipas Berishës, me paratë që do të mblidhen do të kompensohen ish-pronarët

Eljona Ballhysa
Qeveria vendosi të legalizojë ndërtimet informale përgjatë vijës bregdetare shqiptare. Këto ndërtime nuk kanë qenë objekt i ligjit të legalizimeve, ndaj dhe qeveria ka vendosur të hartojë një ligj të ri. Kryeministri Berisha u shpreh gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë se është gati projektligji që parashikon funksionimin e fshatrave turistike dhe përcakton mënyrën e legalizimit të objekteve pa leje të ndërtuara në të gjithë vijën bregdetare shqiptare. Berisha tha se pronarët e këtyre ndërtimeve do të paguajnë truallin mbi të cilin kanë ndërtuar, në bazë të vlerës së tregut. Ndërsa paratë që do të mblidhen do të përdoren për kompensimin financiar të ish-pronarëve, tokat e të cilëve në bregdet janë zënë nga ndërtimet pa leje. Miratimi i një projektligji të tillë u jep fund fushatave të shembjes së ndërtimeve pa leje në çdo sezon veror në vijat bregdetare. Por, nga ana tjetër, ky projektligj pritet të sjellë një reagim të ashpër të shoqatave të ish-pronarëve, të cilët, në vend të kthimit të truallit të bregdet në bazë të ligjit, do të përfitojnë vetëm shumën e parave.
Projektligji
Projektligji i ri i njoftuar nga kryeministri pritet të miratohet gjatë mbledhjes së ardhshme të qeverisë. “Së pari, ligji për privatizimin, pasi nuk mund të bëjmë fjalë për legalizim të fshatrave turistike. Borgjezia e re duhet që në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën që vilat e tyre kanë zënë në fshatrat turistike dhe këto fonde kalojnë për pronarët. Në këtë mënyrë ata do t’i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre të weekend-it. Statusi i fshatrave turistike është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t’i japim përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët”, - është shprehur Berisha. Ai ka bërë të ditur se këto ndërtime informale në zonën e bregdetit nuk janë objekt i ligjit të legalizimeve dhe për këtë qeveria po harton një ligj të ri. “Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi kemi të bëjmë realisht me atë që unë e quaj borgjezi e re, por që, në fakt, nuk ka ndër mend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj. Ky vend kaloi në shekullin e ri dhe ende nuk ka dalë dikush e të thotë unë jam borgjez, madje edhe miliarder po të jetë”, - është shprehur Berisha.
Bregdeti
Në Nenin 1 të ligjit të legalizimeve është parashikuar që ndërtimet pa leje të ngritura në zonat që kanë përparësi zhvillimin e turizmit nuk përfshihen në procesin e legalizimeve deri në përcaktimin me vendim të veçantë nga Këshilli i Ministrave.
Përgjatë katër viteve të shkuara, gjatë sezoneve turistike, janë ndërmarrë disa fushata të shembjes së ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare. Një fushatë e tillë është ndërmarrë në bregdetin e Velipojës, të Durrësit, të Golemit, të Divjakës, të Jalës, të Vunoit etj. E gjitha kjo u përligj me një vendim të KRRTRSH-së, sipas të cilit nuk do të lejohen ndërtimet që ndodhen më afër se 100 metra larg bregut të detit. Nga ana tjetër, vetëm pak zona turistike kanë plan urbanistik për zhvillimin e tyre. Duke përjashtuar plazhin e Gjirit të Lalzit dhe projektin për urbanizimin e bregdetit të Jugut, për zonat e tjera turistike nuk disponohet një projekt për urbanizimin e tyre.

Ligji i Legalizimeve: Ndërtimet që përjashtohen
Neni 1
Për ndërtimet pa leje, të ngritura brenda zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, të përcaktuara sipas Ligjit nr. 7665, datë 21.01.1993, “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave përcakton vendbanimet formale, zonat informale dhe territoret e tjera, brenda zonave që kanë përparësi turizmin, në të cilat do të kryhet legalizimi sipas këtij ligji. Afati i vetëdeklarimit fillon pas daljes së vendimit për këto zona.

Neni 13
1. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të pezullojë zbatimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje, në territore me nivel të lartë ndotjesh mjedisore, si dhe të zbatojë ose të planifikojë strategji për eliminimin e ndotjeve të mjedisit në zonë sipas afateve konkrete.

Neni 37
Përjashtohen nga legalizimi të gjitha shtesat në ndërtime, të cilat cenojnë rëndë dhe kanë ndikim në planin rregullues, interesin publik në akset/veprat kryesore të infrastrukturës publike (p.sh. bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga, aeroporte ose trung kryesor në infrastrukturë etj.) ose në integritetin e monumenteve të kulturës.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›