Berisha takon një delegacion të Lidhjes Demokratike të Kosovës
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me një delegacion të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të përfaqësuar nga Eqerem Kryeziu, Lutfi Haziri si dhe Ramë Manaj. Gjatë bisedës kryeministri shprehu rëndësinë që dy qeveritë të eliminojmë çdo lloj ndryshimi midis dy vendeve. Ai shtoi se ne jemi një komb dhe se duhet të ndjehemi të tillë. “Dy qeveritë duhet të shërbejnë si dy mundësi, dhe jo si pengesa për qytetarët dhe se duhet të merren veprime konkrete në njehsimin e sistemit të doganave, financave, arsimit etj., me modelin e vendeve të Bashkimit Europian”, - u shpreh Berisha, ndërsa theksoi se kombi duhet të ndjehet një, duke respektuar pavarësinë e Kosovës. Më tej biseda u përqendrua në bashkëpunimin midis dy partive politike, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e tij për t’i dhënë LDK-së ndihmë pa rezervë, sikurse vuri theksin në nevojën e bashkimit të grupimeve të ndryshme politike në Kosovë si mënyra më e mirë që LDK-ja të arrijë rezultate pozitive.
13 Gusht 2009