Bilancet e rreme, qeveria urdhëron sanksione ndaj ekspertëve kontabël
Falsifikimi i bilanceve prej ekspertëve kontabël ka shqetësuar qeverinë në detyrë, e cila urdhëroi dje në mbledhjen e saj, sanksione të rrepta ndaj shkeljeve të tilla. Duke konsideruar si një institucion të pazëvendësueshëm, së bashku me aktivitetin e noterëve, kryeministri Berisha, në fjalën e tij, theksoi se transparenca e veprimtarisë së tyre është kusht themelor për luftën kundër korrupsionit, evazionit dhe informalitetit. “E konsideroj të domosdoshme që të bëhet një trajtim ligjor dhe të përcaktohen sanksionet më të rrepta ndaj çdo falsifikimi që eksperti i lejon vetes që të bëjë. Nuk ka njerëz më të çmuar për vendin se ata në botën e biznesit. Atë praktikë që ndjekim me noterin, në mënyrë identike duhet ta ndjekim edhe ndaj ekspertit kontabël që bën dhe kontrollon bilancin”,- u shpreh kryeministri. Për këtë qëllim qeveria me vendim të posaçëm vendosi ngritjen e bordit të mbikëqyrjes publike (në vijim thjesht “bordi”), si strukturë përgjegjëse për mbikëqyrjen e profesionit të ekspertëve kontabël, të regjistruar, të shoqërive audituese dhe kontabilistit të miratuar, sipas qëllimit dhe mënyrave, të parashikuara në Ligjin Nr. 10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”. Bordi do të jetë një organ kolegjial, i përbërë nga shtatë anëtarë, të emëruar nga ministri i Financave, për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se dy herë radhazi. Ai përbëhet nga kryetari dhe tre anëtarë, të cilët duhet të jenë persona, që nuk e ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël. Tre anëtarë të tjerë duhet të jenë persona që mund ta ushtrojnë profesionin në praktikë, me një përvojë jo më pak se 5 vjet në auditimin ligjor të pasqyrave financiare, të shoqërive tregtare. Bordi e zhvillon veprimtarinë në bazë të një programi vjetor pune, i cili i paraqitet për miratim ministrit të Financave, së bashku me raportin për veprimtarinë njëvjeçare, brenda 3-mujorit të parë të vitit pasardhës dhe, pas miratimit, publikohet në faqen e internetit të organizatës profesionale të ekspertëve kontabël, të autorizuar. Në të gjithë vendin numërohen rreth 40 ekspertë kontabël të regjistruar të cilët miratohen me vendim të qeverisë.
13 Gusht 2009