E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet në vitin 2010, qeveria jep me pak para pet te moshuarit

Fondi për pensionet për vitin që vjen do të dalë nga rezerva e shtetit

Ervin KOÇI

Ashtu si buxhetorët, edhe pensionistët nuk do të përfitojnë në katër vitet e ardhshme rritje të pagesës së tyre në masën e katër viteve pararendëse. Qeveria ka vendosur që të mos kryejë më rritje në masën e mandatit të parë të saj si për pagat e buxhetorëve, ashtu dhe për pensionistët, të cilët duhet ta përballojnë krizën ekonomike vetëm me shtesa simbolike. Në dispozicion të pensionistëve qeveria ka vendosur për vitin që vjen një fond prej 2.7 miliardë lekësh. Kjo shtesë do të përdoret për rritjen e zakonshme të pensioneve në muajin korrik të vitit që vjen. Në vitin 2010 nuk parashikohet rritje pensionesh të përmasave elektorale, duke u mjaftuar në disa shtesa modeste. Paralajmërimi vjen nga Ministria e Financave, e cila, në projektbuxhetin e vitit 2010 ka vendosur një shifër dy herë më të ulët në zërin "Politikë për rritje pensioni". Mesatarisht, fondi për rritjen e pensioneve në mesin e çdo viti vlerësohej në rreth 5-5.2 miliardë lekë. Këtë vit shtesat ishin më të mëdha, 7.7 miliardë lekë, për faktin se efekti për rritjen nisi që nga muaji maj, ndikuar edhe nga fushata elektorale. Pavarësisht se kryeministri ka premtuar rritje çdo vit me 10-15 për qind të pensioneve në fshat dhe qytet, fondi i përllogaritur për vitin 2010 nuk shkon në të njëjtin parametër.

Projektbuxheti

Në projektbuxhetin për vitin 2010 qeveria nuk ka lënë hapësira për shtesa të mëdha në nivelet e pagave dhe pensioneve. Megjithatë, pavarësisht planit të Financave për të reduktuar shpenzimet e tepërta, si gjithnjë është kryeministri ai që vë veton. Madje, në disa raste, shifrat e deklaruara nga Berisha për rritje pensionesh kanë befasuar ekspertët e Ministrisë, duke i detyruar ta hartojnë nga e para efektin financiar në buxhet. Edhe pse ka mbetur pak kohë deri në miratimin final të projektbuxhetit të vitit 2010, duket se Ministria e Financave e ka planifikuar nivelin e shpenzimeve. Javën e kaluar është miratuar tabela e shpenzimeve për tre vitet e ardhshme, ku vihet re se ulje të fondit për "politikë të re pensionesh" do të ketë edhe në vitin 2011. Nuk dihet ende se çfarë vendimi do të merret, por shifrat e deklaruara deri tani dhe të miratuara në Këshillin e Ministrave, tregojnë se nuk do të ketë më rritje pensionesh si të vitit 2009. Në këtë pikë kuptohet qartë se rritja e tyre u bë thjesht për qëllime fushate, jo se qeveria ka një strategji të qartë për reformën në pensione.

Fondi i pensioneve

Fondi për pensionet, i parashikuar për vitin që vjen dhe që kap shumën e 2.7 miliardë lekëve të vendosura për rritje pensioni, do të dalë nga rezerva e shtetit (kontingjenca). Por qeveria do të ndajë edhe 8.3 miliardë lekë të tjerë, të nevojshëm për subvencionimin e humbjeve të shkaktuara nga raporti pensionist/kontribuues. Shifrat zyrtare tregojnë se numri më i madh i pensionistëve ndodhet në qytet, rreth 370 mijë. Për rreth 520 mijë pensionistët në fshat dhe qytet qeveria do të shpenzojë vitin që vjen 80 miliardë e 917 milionë lekë, afërisht 10 miliardë më shumë se 2009-a. Ky është totali i llogaritur për pensionet që ndahen çdo muaj dhe nuk ka të bëjë me shtesat që miratohen në qershor. Duke i marrë së bashku, fondi i shpenzimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore parashikohet të jetë 106 miliardë e 366 milionë lekë, ose 8.27 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP).

Rritja e pagave, kërkohen shtesë edhe 3 miliardë lekë

Ndryshe nga pensionet, qeveria e ka mbajtur të njëjtë parametrin e rritjes së pagave për punonjësit buxhetorë. Afërsisht 3 miliardë lekë është fondi i parashikuar për "politikë të re pagash", i mundësuar nga rezerva e shtetit. Vendosmëria e kryeministrit për të rritur çdo vit pagat për buxhetorët duket se do të qëndrojë edhe vitin tjetër. Në total, për pagat e punonjësve të saj, shteti ka llogaritur të shpenzojë 55 miliardë e 417 milionë lekë, rreth 4 miliardë më tepër. Tjetër detaj në buxhet shikohet dyfishimi i fondit për rritje pagash në vitin 2011, periudhë kur zhvillohet fushata për zgjedhjet lokale.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›