E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRIKA NGA FANSAT, mbahet sekret vendi ku prehet trupi i Majkëll Xheksonit



Frika nga adhuruesit ka detyruar familjen dhe menaxherin që të mbajnë të fshehtë vendin ku prehet trupi I mbretit të Popit. Majkëll Xhekson është varrosur në mënyrë sekrete në varrezën e “Forest Laun”, në Hollivud. Sipas të përditshmes britanike “Daily Mirror”, ceremonia e varrimit e këngëtarit u zhvillua në fshehtësi për të mbajtur larg fansat e tij. Kjo është bërë nga frika e dëmtimit të varrit nga admiruesit.
Ndonëse mediat raportuan për vendin ku ndodhet trupi i pajetë i Xhekson, por zëdhënësi i familjes së këngëtarit të famshëm nuk e ka konfirmuar lajmin.
Ndërkaq, mjekët ligjorë kanë përfunduar raportin për autopsinë e trupit të yllit të muzikës pop, por detajet mbeten ende të panjohura. Policia vazhdon hetimin për zbulimin e shkakut të vdekjes së këngëtarit dhe recetat e ilaçeve që ai përdorte. Një zëdhënës i Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit, deklaroi se rezultatet e autopsisë që u kërkuan nga detektivët, ku përfshihen edhe teste toksike, do të mbeten të fshehta deri në momentin kur policia do të përfundojë hetimet. Ai nuk mund të jepte një datë për përfundimin e hetimeve dhe nuk pranoi të jepte shpjegime të tjera më të hollësishme.
Policia po heton në shkaqet përse këngëtari 50-vjeçar ndërroi papritur jetë pas një ataku kardiak. Njoftimet e shumta të medias bëjnë të ditur se autoritetet janë përqendruar në arsyet e përdorimit të një ilaçi anestezik, të quajtur propofol, që Xhekson e përdorte për të fjetur. Policia dhe agjentët federal kanë kontrolluar disa zyra të doktorëve të Xhekson si pjesë e hetimeve të tyre.
Vdekja e mbretit të muzikës Pop është kthyer në një burim informacionesh të lloj-llojshme gjatë gjithë verës, ku nuk kanë munguar skenarë nga më të ndryshmet, si vrasja, vetëvrasja apo pakujdesia nga përdorimi i ilaçeve.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›