Berisha letër ODIHR: Largoni kreun e vëzhguesve, abuzoi me zgjedhjet e 1996
Tirana zyrtare kundërshton emërimin e ambasadores britanike, Audry Glover, në krye të misionit të vëzhgimit të ODIHR në Shqipëri, për zgjedhjet e 28 qershorit. Burime nga Këshilli i Ministrave bëjnë të ditur për gazetën se kreu i qeverisë, Sali Berisha, i ka dërguar një letër misionit të OSBE-së në Vjenë, ku ka shprehur qëndrimin e tij kundër emërimit të ambasadores britanike në këtë mision. Shkak për këtë qëndrim të qeverisë shqiptare është bërë pikërisht raporti i mbajtur nga OSBE/ODIHR në përfundim të zgjedhjeve të verës së vitit 1996 në Shqipëri. 15 vjet më parë, Audry Glover ka drejtuar misionin ndërkombëtar në vendin tonë, teksa në maj të vitit 1996 u vu në qendër të kritikave nga ana e qeverisë në atë kohë, për vërejtjet e parashtruara për procesin elektoral. Pikërisht përplasja e atyre viteve ka bërë që po kjo e djathtë, e cila është sërish sot në pushtet, ta kundërshtojë emërimin e ambasadores Glover. Madje, sipas eksponentëve të shumicës, raporti i atëhershëm i ODIHR-it u kritikua edhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë dhe jo vetëm nga qeveria shqiptare. “Situata duket se ka hyrë në një ngërç. Në lëvizje janë vënë dhe përfaqësues të diplomacisë perëndimore këtu në Tiranë. Në zyrat e OSBE-së situatën po e ndjekin me një farë shqetësimi. Autoritetet shqiptare shpresojnë në një zgjidhje konsensuale, që mesa duket të përmbajë një tërheqje pa zhurmë të ambasadores Glover. Në situatën e krijuar është përfshirë edhe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili është përpjekur të negociojë personalisht”, thuhet në raportin e djeshëm të Zërit të Amerikës. Në një komunikim telefonik me Zërin e Amerikës, kreu i KQZ-së shpjegoi se qeveria e kundërshton shefen e misionit të ODIHR-it për problemet e lindura në 1996. Zoti Ristani shtoi se interesi është që palët në procesin zgjedhor të kenë besim te procesi dhe kur njëra palë nuk ka besim tek arbitri, ky besim mund të cenohet. E pyetur nga “Zëri i Amerikës” pak ditë më parë nëse ishte e shqetësuar për kundërshtimet e autoriteteve shqiptare ndaj pozicionit të saj, ambasadorja Glover tha se ajo do të bënte punën e saj siç duhet, duke shtuar se 1996 është një histori që i përket së kaluarës dhe se në këto 13 vite Shqipëria ka ndryshuar shumë. Ndërkohë zyrtarë të BE-së në Bruksel shprehën shqetësim për kërkesën shqiptare duke shtuar se emërimi i ambasadores Glover është i prerë. Duket se jo më kot, në konferencën për shtyp të së premtes, në deklaratën e saj kishte një frazë jo të zakontë në raste të tilla: “Kam dëshirë të theksoj se nuk kemi mbërritur këtu me ndonjë paragjykim apo ndonjë axhendë të fshehur. Si gjithnjë do të lemë që faktet të flasin vetë”. Por kur po mbushet java që ndodhet në Tiranë, ambasadorja Glover nuk ka zhvilluar takimet prezantuese, as me Ministrin e Jashtëm dhe as me Kryeministrin, siç ndodh rëndom duke qenë se është qeveria ajo që i fton vëzhguesit. Situata shihet si jo e thjeshtë në OSBE, pasi një tërheqje e mundshme e ambasadores do të krijonte një precedent problematik për këtë organizatë, për misionet e ardhshme të vëzhgimit të ODIHR-it, veçanërisht në vendet që ende kanë probleme me zgjedhjet e lira e të ndershme.