Bushati: Fitorja me Milan nuk më bën trajner të Kombëtares
Bujar Qesja
As që e çon ndërmend të marrë postin e lënë bosh nga Haan. Sipas tij një rezultat pozitiv ndaj Milanit sonte në "Qemal Stafa" nuk do të ndryshonte aspak programin e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ca më pak axhendën e tij. Koshient për forcën e kundërshtarit trajneri emergjent i kuqezinjve për këtë takim, Artan Bushati shprehet optimist më së shumti për motivacionin që kanë futbollistët e tij përballë Yjeve si Kaka, Bekam ose Ronaldinjo. "Edhe skeptiku më i madh i kombëtares do t'ia bënte "hallall" edhe disavantazhin. Fitorja jonë e madhe është të fitojmë të ardhmen e futbollit" është shprehur Bushati në një intervistë për gazetën Panorama.
Si do ta konsiderojmë këtë ekip, kombëtare B apo një seleksion i mbledhur rishtas kushtëzuar nga emergjenca e momentit?
Sigurisht që është një seleksion, pasi në përbërje janë lojtarë të përfaqësueses A si Salihi, Duro, Bylykbashi, Bakaj, Memelli, Agolli, Vrapi dhe Bulku. Pra nga 20 futbollistë të grumbulluar, 40 përqind i takojnë ekipit të zakonshëm të përfaqësueses.
Komenti juaj për "emërimin" në këtë detyrë nga FSHF-ja?
Mungesa e trajnerit të ekipit përfaqësues dhe pamundësia për të grumbulluar ekipin e mirëfilltë të A-së, FSHF-ja ishte e mendimit që këtë situatë delikate ku ndodhemi ta plotësojë me këtë vendim.
Ju janë vënë kushte për të grumbulluar emra të caktuar futbollistësh?
Absolutisht jo. E konsiderova veprim krejt normal të drejtoja një seleksion, ku ndërtimi i tij mu besua plotësisht mua. Dhe është më se e justifikueshme që kombëtarja që zbret sot në "Qemal Stafa" përballë Milanit të famshëm, të ndërtohej me futbollistë me përvojë të mirë ndërkombëtare dhe me ato të rinj që kërkojnë karrierën në kësi ballafaqimesh spektakolare.
Këto afirmime vlerash nuk kanë kosto?
Ndjehem komod në këtë përzgjedhje, pasi mbi rezultatin më është kërkuar të "hedh" në fushën e lojës lojtarë të talentuar me synimin e mbështetjes tek ta në takimin e ardhshëm ndaj Portugalisë. Jemi me shans që këtë testim e bëjmë pikërisht me Milanin e madh, ku edhe gabimet e disa futbollistëve debutues do përligjeshin në formën më justifikuese.
E trajtoni këtë ndeshje edhe si pasaportë, e cila mund të shërbejë si leje kalimi në shkallët e karrierës tuaj si trajner?
Të fitosh ndaj Milanit është më shumë se karrierë. Por për momentin vëmendja ime nuk është përqendruar më shumë këtu, se sa evidentimi i elementit të ri dhe prezantimi i tyre cilësor. Dhe në se do ta kemi atë fat, që të kombinojnë që të dyja fitorja dhe performanca inkurajuese e lojtarëve të rinj, do të ndjehesha vërtet i lumtur.
Mund ta përballojë kjo kombëtare Milanin e frikshëm, apo në fund të fundit këto janë mundësitë e momentit?
Duhet sqaruar një fakt. Ne nuk testojmë Milanin por futbollistët tanë. Ma do mëndja që edhe më skeptiku i kombëtares shqiptare, do t'ia bënte "hallall" edhe dizavantazhin. Fitorja jonë e madhe është të fitojmë të ardhmen e futbollit.
Lojtarët e tjerë të kombëtares A u sakrifikuan për hir të afirmimit të lojtarëve të rinj?
Jo. Do të dëshironim të kishte të tjerë titullarë të përfaqësues A, por ata e kishin të pamundur për t'iu përgjigjur kësaj date. UEFA nuk e ka këtë ditë të përfshirë në kalendarin e saj dhe klubet e huaja s'kanë ndërmend të rrezikojnë futbollistë e tyre në miqësore të tilla. Janë paraqitur vetëm shtatë lojtarë nga kampionatet e huaja dhe pjesa tjetër është plotësuar me kontigjentin e klubeve shqiptare.
Në se fitoni ndaj Milanit, besoni se kandidatura për në ekipin A të përfaqësueses jeni ju dhe jo një trajner i huaj?
Më duket se kjo tingëllon më shumë si fantazi se sa realitet. Përsa i takon trajnerit të kombëtares mendoj se duhet të jetë teknik për futbollin shqiptar dhe jo për popullin. Jo se këtë detyrë nuk mund ta bëjnë ndonjë trajner shqiptar, por jam i mendimit se në kushtet ku ndodhet futbolli ynë është më se e udhës që drejtimi i kombëtares ti dorëzohet një trajneri të huaj.
Mund t'ia rezervoni privilegjin të parës, gazetës Panorama Sport për të bërë publik formacionin e mundshëm të ekipit?
Deri tani nuk kam asnjë ide. Mbase pas stërvitjes së sotme, kur të kem sqaruar dhe verifikuar disa dilema mund të krijoj një lloj bindje për ata që mund të aktivizohen. Megjithatë konsideratat për gazetën Panorama Sport, pa mbajtur asnjë rezervë për arsyet që shpreha, nuk mundem t'ju ndihmoj qoftë t'ju shuaj edhe kureshtjen.
Të 20 lojtarët e grumbulluar pritet të aktivizohen?
Do të mundohem të bëj maksimumin për ti aktivizuar. Veçanërisht jam në ethe për të ditur se si mund të paraqiten lojtarë të tillë si psh Vila, që nuk kanë pasur rastin ti ofrohen kombëtares së madhe e jo më të luajnë.