E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biblioteka Kombëtare,sallë të re leximi

 

Frekuentuesit e rregullt të Bibliotekës Kombëtare kanë një sallë të re leximi tanimë. Si një bashkëpunim mes BK dhe kompanisë së telefonisë celulare AMC, kjo sallë iu dha dje lexuesit. "Ky është një rast i veçantë, pasi kontributi për bibliotekën është shumë i rëndësishëm për kulturën. Ne jemi një kompani gjermano-greke dhe së bashku me stafin tonë shumëkombësh, si dhe drejtuesit e nderuar të kësaj biblioteke kontribuojmë për kulturën shqiptare dhe besoj se ky është edhe globalizmi për të cilin flasim e dëgjojmë çdo ditë",- u shpreh drejtori ekzekutiv i AMC-së Stefanos Octapodas, duke shtuar se së shpejti, kompania që ai drejton do të marrë përsipër dhe rikonstruksionin e sallës shkencore në katin e dytë të ndërtesës së BK. Projekti, që ka filluar të zbatohet prej disa muajsh, finalizohet tanimë me mjedise komode, shërbime bibliotekare bashkëkohore sa më pranë standardeve evropiane, si dhe përmirësime të ndjeshme të kushteve të shërbimit për përdoruesit. Salla e rinovuar e periodikut shqip dhe të huaj është organizuar sipas modelit të bibliotekave me "akses të lirë". Materialet bibliotekare si: revista, gazeta, botime periodike, anuarë, vjetarë statistikorë, katalogë etj., do të ofrohen tanimë në mjedise me fonde të hapura. Krahas koleksioneve të revistave dhe gazetave aktuale, lexuesit i shërbehen tanimë dhe materiale referuese, si: fjalorë, enciklopedi, bibliografi etj., të organizuara sipas gjuhëve dhe fushave përkatëse. Në ndihmë të lexuesve është riorganizuar dhe shërbimi i informacionit, i cili mundëson një orientim më të mirë të tyre në të gjithë sistemin informativ, si: skedar manual dhe elektronik, botime bibliografike, internet, katalog elektronik etj. Duke synuar përmirësimin e shërbimit të përdoruesve dhe plotësimin e kërkesave gjithnjë në rritje të tyre, është krijuar këndi i shfrytëzimit të katalogut elektronik, ku janë shtuar poste pune. Mjediset e restauruara posaçërisht për këtë qëllim janë pajisur me mjete dhe teknologji moderne të informacionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›