E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkatërrohen tërësisht afresket e Ndoc Martinit

 

Verdi e Rafaelo nuk janë më. Dy portretet e realizuara nga piktori shqiptar Ndoc Martini, pjesë e ciklit të afreskeve në kolegjin e Shën Mitër Koronës, u shkatërruan përfundimisht. Me gjithë alarmin e ngritur herë pas here, madje edhe nëpërmjet emisionit televiziv "Striscia la notizia" në Canale 5, asgjë nuk u bë për shpëtimin e këtyre veprave të fillimshekullit XX. "Është një dhimbje e madhe. Prej ditës së sotshme, dy vepra, dy afreske të Ndoc Martinit, nuk janë më. Madje jo. Janë kthyer në pluhur, pluhur, pluhur… E ndërkohë prej muajsh e kemi ngritur problemin në vëmendjen e të gjithëve, kemi përfshirë shtypin përmes korrespondentëve të gazetave ("La Provincia Cosentina", "Il Quotidiano della Calabria", "Calabria Ora", "La Gazzetta del Sud"), me bashkëpunimin e prof. Franco Altimari, prof. Adriano Mazziotti, prof. Pasquale De Marco, prof. Gennaro De Cicco e doc. Francesco Baffa, kemi përfshirë edhe Rai Tre Calabria, kemi folur me kryebashkiakun e San Demetrio Corone-s, kemi njoftuar përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë, kemi shkruar letra, ftesa, lutje. Muaj e muaj pritjeje, pritjeje të kotë. Dhe tani zbulojmë që dy afreske janë shkatërruar për shkak të lagështirës së mbledhur prej vitesh dhe të nxehtit të verës që kaloi... Çfarë turpi! Po, unë njeriu i mileniumit të tretë, më vjen turp, që nuk kam qenë një ruajtës i kujdesshëm për veprat e tij, që nuk kam bërë më shumë për të evituar shkatërrimin, që kam mbetur me një grusht pluhur në duar. I kërkoj të falur Ndoc Martinit në emër të së gjithëve, ndjesë, atij artistit të ri shqiptar, që në krye të shekullit të shkuar, gjeti frymëzim në San Demetrio Corone dhe zbukuroi dhomën e rektorit të Kolegjit të Shën Adrianit me afreske me shumë vlerë. Ndjesë atij që i kishte krijuar përjetësisht, ndjesë që shkëputëm fillin e kohës. Por e di që nuk do të falem kurrë". Kështu shkruan poeti dhe kantautori arbëresh Pino Cacozza, një nga personalitetet më të njohura, jo vetëm në hapësirat arbëreshe, në arbitalia.net. Nga 14 afreske që zbukurojnë tavanin e një ndërtese në Shën Mitër Korona, në Itali, dy u shkatërruan përfundimisht dhe të njëjtin fat duket se do të kenë edhe të tjerat, duke rrezikuar kështu zhdukjen e të paktave vepra që kanë mbërritur deri në ditët tona nga ky piktor. Pas alarmit të tre dekadave më parë, lëshuar nga gjuhëtari arbëresh Francesco Altimari, viteve të fundit, janë bërë shumë përpjekje për të tërhequr vëmendjen e institucioneve, për shpëtimin e këtyre veprave, që zbukurojnë tavanin e një salle në katin e parë të pallatit, ku dikur qëndronin rektorët e kolegjit italo-shqiptar "Shën Adriani". Janë portrete, peizazhe, si edhe një autoportret i piktorit, vepra këto që u bënë të njohura shumë vite pas vdekjes së Martinit. Afresket mësohet të jenë realizuar në vitin 1907 me porosi të autoriteteve të institutit historik, për të zbukuruar një sallë në katin e parë në ndërtesën, ku prej ndërtimit të tij, filluan të vendosen fillimisht drejtuesit e liceut e më pas rektorët e kolegjit. Ndërtimi i rezidencës është meritë e Angelo Scalabrini-t, inspektor i përgjithshëm i shkollave italiane në Perëndim, që drejtoi në mënyrë ekzemplare fatin e institutit dhe liceut, duke forcuar lidhjet ekzistuese mes arbëreshëve dhe shqiptarëve të përtej detit. Që nga fundi i viteve '70 deri në 1995, pallati, që është në pronësi të kolegjit, shfrytëzohej si katedër e shkëputur nga të tjera institute profesionale shtetërore. Viti 1995 shënoi mbylljen e tij, për shkak të rënies së regjistrimeve, gjë që detyroi autoritetet arsimore të shkurtojnë katedrën e San Demetreo Corone (Shën Mitër Koronës). Prej vitesh pa ndërhyrje restauruese, gjendja e godinës u rëndua së tepërmi, sidomos për shkak të lagështisë, që nisi të dëmtojë edhe pikturat.

Afresket
Deri në momentin e shkatërrimit total, në to paraqiteshin autoportreti i vetë piktorit, Ndoc Martinit, dy peizazhe, mali Pulin dhe piramidat e Egjiptit, pesë portrete të figurave të mëdha Galilei, Dante, Rafaelo, Verdi e Mikelanxhelo, për të vijuar me 6 panorama e monumente të disa qyteteve, mes të cilave Shkodra, Roma, Napoli e Venecia. Në librin e tij "Arti i Rilindjes Shqiptare", studiuesi Ferid Hudhri, thotë se këto vepra shënojnë një fazë të re në krijimtarinë e piktorit, i cili deri në atë kohë kishte lëvruar më së shumti vizatimin dhe pikturën në bojë vaji mbi beze. Sinjalin e parë për ekzistencën e këtyre pikturave dhe ndërhyrjen e shtetit e dha prof. Francesco Altimari, titullar i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Kalabrisë, qysh në vitin 1980 në faqet e revistës kulturore italo-shqiptare "Zjarri".

Autori
Piktori Ndoc Martin Camaj lindi në Shkodër në vitin 1880. Ishte piktori dhe fotografi Kolë Idromeno, që do ta drejtonte atë drejt rrugës së artit, pasi shqoi tek i riu talent të vërtetë. Prej vitit 1904-1907 ishte bursist dhe frekuentues i Shkollës Normale në Kolegjin italo-shqiptar të San Demetrio Coronës. Gjatë kësaj periudhe realizoi edhe afresket e ndërtesës. Në të njëjtin vit vendoset në Paris, ku për dy vjet ndjek një bursë studimi në Shkollën e Arteve të Bukura. Në vitin 1913 sëmuret nga tuberkulozi dhe në vitin 1916 ndahet nga jeta i vetëm dhe i varfër në një sanatorium të Parisit. Sot, në Shqipëri Martini është i njohur vetëm përmes portretit të "Doktor Prelës", të realizuar në kulmin e krijimtarisë së tij në Paris. Ky portret është i ekspozuar në seksionin "Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare" (1883-1930) në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›