Topi uron SHBA për 233 vjetorin e Pavarësisë
Presidenti Bamir Topi ka uruar presidentin e SHBA, Barack Obama për festën kombëtare, duke i dërguar një mesazh urimi me rastin e 4 korrikut, 233-vjetorit të Ditës së Pavarësisë. Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, tju përcjell Juve dhe popullit mik amerikan urimet më të ngrohta dhe më të përzemërta, si dhe suksese në përballjen me sfidat e mëdha kombëtare dhe globale!, thuhet në letrën drejtuar presidentit amerikan.
Ndër të tjera, presidenti Topi me këtë rast ka shprehur bindjen se niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve dy dhe shumëplanëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-ve do të pasurohet dhe forcohet më tej në të ardhmen, në të mirë të dy vendeve e popujve miq. Po ashtu nëpërmjet këtij mesazhi urimi, presidenti Topi ka falënderuar presidentin Obama dhe SHBA për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë, në konsolidimin e parimeve universale të lirisë e demokracisë, në procesin e ndërtimit të një shoqërie të lirë, të një shteti të së drejtës dhe të institucioneve të pavarura, përbën shpresën dhe besimin se populli im do të fitojë betejën e vështirë për demokracinë. Së bashku me ndjenjën e thellë të mirënjohjes ndaj Jush dhe vendit tuaj dëshiroj tju siguroj, zoti President, për angazhimin maksimal, timin e të popullit tim, në miqësinë tradicionale dhe partneritetin e ri me popullit mik amerikan. Populli shqiptar, zoti President, zgjodhi me vendosmëri të qëndrojë në krah të popullit amerikan dhe vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i bindur se kjo është rruga e vetme drejt stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit afatgjatë, kombëtar dhe rajonal dhe prova dinjitoze për tiu bashkuar përpjekjeve për një botë më të mirë dhe më të sigurt, thuhet në mesazhin e presidentit Topi.