LSI-ja sërish kundër PD-së, Naço pro Muçmatës
Deputeti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Nasip Naço, i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, u shpreh kundër relacionit të PD-së ndërsa deklaroi votën e tij pro kandidaturës së Muçmatës. Ai u shpreh se kandidati i propozuar nga Topi është një profesionist dhe një person me integritet të lartë moral dhe profesional, ndryshe nga sa deklaruan demokratët. Ai tha se do të votojë pro këtij dekreti, ndërsa nuk qartësoi nëse pro kësaj kandidature do të jenë dhe deputetët e tjerë të LSI-së. “Kjo maxhorancë politike përbëhet nga dy parti, nga PD-ja dhe LSI-ja. Unë dua të theksoj se relacioni i lexuar bie në kundërshtim me gjykimet e mia. Në relacion ju u bazuat më së shumti në veprimtarinë e zotit Muçmataj në kohën e regjimit komunist, ndërkohë që nuk thatë asgjë për punën e tij gjatë 20 viteve demokraci. Gjatë këtyre viteve unë mund të them me plot gojën se kandidatura e tij është ikonë e Prokurorisë shqiptare. Unë e njoh nga afër këtë kandidat dhe mund të them me plot gojën se është një kandidaturë me integritet të lartë profesional dhe moral. Votoj me bindje të plotë për kandidaturën e zotit Muçmataj, jam kundër relacionit të paraqitur dhe kjo është vota ime dhe nuk ma urdhëron askush”, - është shprehur Naço.
Komisioni i Jashtëm
Galanxhi e Koçi, kandidatë për ambasadorë në SHBA dhe OSBE
Komisioni për Politikën e Jashtme mori dje në shqyrtim kandidatët për ambasadorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Prezencën e OSBE-së. Gilbert Galanxhi pritet të jetë ambasadori i ri i Shqipërisë në SHBA, ndërsa vendin e tij të mëparshëm si përfaqësues i vendit tonë pranë selisë së OSBE-së në Vjenë do ta zërë Spiro Koçi. Dy kandidaturat e përzgjedhura për këto poste nga Ministria e Jashtme u prezantuan dje para Komisionit të Jashtëm Parlamentar në seancën dëgjimore me deputetët. Galaxhi pritet të zhvendosë në këtë mënyrë Aleksandër Sallabandën, i cili ka mbuluar marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe ShBA-ve. Gjatë fjalës së tij para Komisionit të Jashtëm, kandidati Galanxhi u angazhua për një aksion diplomatik akoma edhe më të ngjeshur në përfaqësimin me dinjitet të vendit tonë në Uashington, ndërsa kujtoi se përveç marrëdhënieve diplomatike ndërshtetërore, në kryeqytetin amerikan ndodhen edhe disa nga përfaqësitë më të rëndësishme ekonomike botërore me të cilat duhet të vendosen kontakte për rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen. Njëkohësisht Galanxhi u angazhua edhe për një aksion të veçantë diplomatik në favor të rritjes së numrit të njohjeve për shtetin e ri të Kosovës. Në fund ai kërkoi edhe përmirësimin e kushteve të selisë së Ambasadës sonë në Uashington, e cila tha ai është tejet e amortizuar. Edhe kandidati Koçi, i cili pritet të përfaqësojë vendin tonë në OSBE, foli për rëndësinë e aktivitet diplomatik në Vjenë, pasi tha se atje është edhe përqendrimi i vendimmarrjes kryesore të kësaj organizate të rëndësishme që ka një aktivitet të konsiderueshëm edhe në Shqipëri.
13 Korrik 2010