Berisha mashtron hapur: S’kam thënë që Taçi është kontrabandist, por Caci është kontrabandist
Ish-shefi i opozitës në atë kohë, Sali Berisha, vetëm disa javë para zgjedhjeve të korrikut 2005, zgjedhje që do ta sillnin atë në pushtet, akuzoi hapur Rezart Taçin, duke e quajtur një kontrabandist të madh nafte. Por në të kundërt, sot, Berisha kryeministër i ka dhënë të njëjtit kontrabandist, Rezart Taçit, po të përdorim gjuhën e tij, të vetmen kompani shtetërore të naftës, ARMO-n. Si të mos mjaftonte kjo lëvizje, që në çdo vend me standarde do të rrezonte kryeministrin ose të paktën do t'i siguronte atij humbjen e sigurt në zgjedhjet e radhës, Berisha në mënyrë flagrante gënjeu përgjatë emisionit “Ora e Debatit”, i pyetur mbi këtë çështje. Duke fyer, jo vetëm inteligjencën, por edhe kujtesën e shqiptarëve, përgjigjja qesharake e shefit tonë të qeverisë ishte se “në 2005 ka akuzuar Anastas Angjelin dhe jo pronarin e Taçit”. Nuk është hera e parë që Sali Berisha i del kundër Sali Berishës me deklarata të forta publike, dhe me kthesa prej 180 gradësh, që një politikani i kushtojnë jo pak. Të njëjtën gjë bëri kryeministri ynë së fundmi edhe me projektin e centralit bërthamor, për të cilin zbehu entuziazmin e vet, pas peticionit të firmosur nga shkodranët.
Deklarata e Berishës në emisionin “Fahrenheit” në “Vizion Plus” një javë para zgjedhjeve të vitit 2005
“Ju më thoni mua, ku do t’i gjej paratë për buxhetin. Unë u them se, sipas studimit të Bankës Botërore, rezervat e mbledhjes së taksave në Shqipëri janë 1,4 miliardë euro.
Barrën fiskale e kemi 48, Shqipëria vjel 22 lekë prodhim. Nëse e kthejmë në përqindje të GDP, një për qind e saj i thonë 9,1 miliardë lekë. Në rast se kalon nga 22 te 32 lekë për prodhim, rritet 900 milionë dollarë në buxhetin e shtetit. Po arrite Maqedoninë, kap 1,4 miliardë. Ja ku u gjetën.
Kush nuk i paguan këto taksa? Dilni rrugëve dhe gjeni ndonjë të vogël që nuk ka paguar taksat. TVSH, e cila përbën korrupsionin kryesor të kasës, 45 për qind e tyre paguhet në çdo gjë, edhe në këtë gotë ujë, se është e fshehur në çmim. Kush nuk i paguan të gjitha akcizat? Sa është nafta? Importi i naftës është 1 milion tonë. Sa zhdoganohet? 250 mijë tonë. Nuk e dimë ne ku shkojnë? Të gjithë e dimë këtë. Por e dimë që e ka Duraku, që seç ka krijuar tani një kompani tjetër, një “Taçi”, “Taçi”, se si quhet, e shoh dhe në televizor unë atë... Ai është një kontrabandist, ai është Duraku me një emër tjetër, është dhëndri i një deputeti të LZHK që na shet votat ... Po le, mos të flas tani më shumë.... Trarin e doganës e ngre Duraku me celular, kurse Taçi përdor emrin. Por, po të kalosh 700 mijë tonë naftë kontrabandë, natyrisht s’ke ku i mbledh lekët për shtetin. Unë dhashë si shembull naftën ... por ka dhe të tjerë, hekuri ushqimet etj.”