E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër arsyet themelore të humbjes së Berishës

Nga Mark Marku

Kryeministri, Sali Berisha, në fjalën hyrëse dje për zgjedhjet e 2007 tha se ato i fitoi thellë Partia Demokratike. Duke prezantuar listën e deputetëve për Lezhën, u pa se aty ishte dhe emri i Mark Markut, një bashkëpunëtor i gazetës “Panorama”, pjesë e stafit elektoral të Edi Ramës në vitin 2007. Ai mendon krejt ndryshe nga Berisha për “fitoren e vitit 2007”. Më poshtë po botojmë të plotë shkrimin e tij botuar në gazetën “Panorama” të datës 22 shkurt 2007

Zgjedhjet për pushtetin vendor duket se do të japin një rezultat, që do të jetë një goditje e fortë për Partinë Demokratike dhe kryeministrin Berisha. PD dhe e djathta shqiptare në koalicion me të kanë humbur në thuajse të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, pra në të gjitha qytetet nga erdhën votat që e sollën atë në pushtet më 3 korrik. Një humbje e tillë e thellë nuk ishte parashikuar as në variantin më pesimist të perspektivës së koalicionit të djathtë në këto zgjedhje. Është e qartë pra se PD ka humbur besimin e votuesve në një kohë rekord, që do të thotë në më pak se një vit e gjysmë nga ardhja e saj në pushtet, ose po të marrim parasysh vonesën e dorëzimit të pushtetit nga socialistët, i takon që PD ta ketë zhgënjyer elektoratin në një vit të qeverisjes së saj. Edhe pse është shumë shpejt që rezultatet e zgjedhjeve të shërbejnë për një analizë të thelluar nga pala humbëse, nga deklaratat për shtyp të funksionarëve të PD të krijohet përshtypja se një analizë e tillë nuk ka për të ndodhur shpejt. Për të mos thënë kurrë. Në këto deklarata bëhet përpjekje për ta paraqitur humbjen si fitore dhe për këtë shërbejnë të dhënat elektorale, sipas të cilave PD ka fituar shumë komuna në gjithë Shqipërinë. Edhe pse kjo është e vërtetë, nuk mund të fshehë atë që është e qartë për të gjithë: PD i ka humbur zgjedhjet dhe është e detyruar të nxjerrë përgjegjësinë dhe përgjegjësit e kësaj humbjeje. Sa më shpejt të bëhet kjo, aq më pak pasoja do të ketë në të ardhmen elektorale të kësaj partie.

Po pse i humbi në të vërtetë PD dhe e djathta shqiptare këto zgjedhje? Pse humbi ky koalicion në një kohë rekord besimin e shqiptarëve?

Është evidente se shkaku kryesor i dështimit në këto zgjedhje duhet kërkuar te bilanci i një viti qeverisjeje të qeverisë Berisha. Në një vit, qeveria ka qenë shumë pak efikase në ndërmarrjen e mjaft reformave të rëndësishme ekonomike që janë jetike për të ardhmen e vendit. Në një vit qeveria ka bërë shumë pak në drejtim të privatizimit të atyre sektorëve të ekonomisë që janë ende të paprivatizuar, shumë pak për zgjidhjen e krizës energjitike të vendit që është një pengesë serioze për zhvillimin e ekonomisë, shumë pak për reformimin e sistemit shëndetësor dhe të sistemit të sigurimeve, shumë pak për përmirësimin e infrastrukturës. Natyrisht, një vit është i pamjaftueshëm për të marrë rezultatin e reformave, por problemi është se këto reforma nuk kanë nisur. Madje as nuk kanë qenë prioritet i qeverisë. Qeveria ka pasur si prioritet luftën kundër korrupsionit dhe në këtë drejtim duhet përgëzuar, por problemi qëndron se edhe ndaj korrupsionit ajo ka pasur një qasje propagandistike dhe e ka përdorur më tepër si një gogol për opozitën sesa si një kauzë qeverisjeje për të mbajtur të pakorruptuar administratën e tij. Nga ana tjetër, lufta ndaj korrupsionit dhe trafiqeve vërtet është e domosdoshme dhe jetike për shtetin dhe vendin, por ajo nuk përkthehet në rezultate konkrete që përmirësojnë menjëherë jetën e qytetarëve, madje në ndonjë rast kjo luftë sjell edhe varfërimin e asaj kategorie që jeton dhe është e punësuar në sektorin informal. Pra, në një vit qeverisje, janë ndërmarrë pak reforma dhe në ndonjë rast ka pasur edhe përpjekje për reforma regresive, siç është rasti i sistemit të arsimit të lartë, ku nën ndikimin e segmenteve të pareformuara të udhëhequra nga këshilltarët e tij të pareformuar për arsimin, si Tafaj, Gjongecaj, Mita apo të tjerë, u hartuan ligje që i kundërvunë Berishës gjithë botën akademike dhe rrezikonin ta çonin arsimin e lartë në kohën e Ramiz Alisë.

Arsyeja e dytë pse ka humbur Berisha ka lidhje me mënyrën e administrimit të pushtetit dhe të fitores së 3 korrikut nga ana e vetë Berishës. Berisha erdhi në pushtet me shumë vështirësi dhe kjo për shkak se në të shkuarën e tij politike rëndonin gabime që kishin pasur pasoja negative për jetën e shqiptarëve. Për shkak të degradimit total të pushtetit të socialistëve dhe nevojës jetike për largimin e tyre nga pushteti, qarqe të rëndësishme intelektuale, individë dhe personalitete të ndryshme, mediet dhe grupe politike që deri atëherë e kishin penguar ose parë me dyshim ardhjen e Berishës në pushtet, një pjesë e shoqërisë civile, u grupuan rreth Berishës dhe i dhanë mbështetjen dhe besimin e duhur për të marrë pushtetin dhe për të qeverisur vendin. Gabimi më fatal i Berishës do të ishte që ai të përsëriste gabimet e para. Dhe sidomos gabimin kryesor të tij personalizimin e tepruar të pushtetit. Pikërisht këtë bëri. Fillimisht duke mos e ndarë pushtetin me të gjithë aktorët realë që e kishin sjellë më pushtet. Pastaj duke e klientelizuar politikën e mazhorancës. Rrethi i bashkëpunëtorëve të tij u ngushtua në një grup servilësh dhe njerëzish të urryer nga publiku, që i ofronin nënshtrim total në shkëmbim të interesave financiare. I plotfuqishëm, në mes të një turme servilësh dhe abuzuesish me pushtetin, dobia publike e pushtetit të tij ra, dhe pushteti i tij u shndërrua në një marifet që u leverdiste vetëm një tufe batakçinjsh rreth tij. Kjo është arsyeja pse humbi mbështetjen e elektoratit, dhe kjo është arsyeja pse humbi mbështetjen e mjaft grupeve intelektuale dhe mediatike.

Arsyeja e tretë e humbjes së Berishës ka të bëjë me sjelljen e tij politike ose më saktë, identitetin e tij politik dhe të forcës që ai përfaqëson PD. Në një vit Berisha nuk ndërmori ndonjë reformë të djathtë ekonomike dhe liberale që do të sillnin shëndetin ekonomik. Reformat e tij kanë qenë të majta dhe në veprimet e tij politike kanë synuar majtas. Madje edhe kontingjenti, në të cilin ai është mbështetur për reformat e tij, është i majtë. Një kryeministër i djathtë nuk mund të mbajë, ta zëmë, në punë si këshilltar, këshilltarin e një kryeministri socialist, veç në rastin kur ky është një gjeni. Ai ka jo vetëm një këshilltar, por në përgjithësi është mbështetur në kontingjente të majta. Partia Demokratike është një parti popullore e qendrës së djathë me bazë kryesore elektorale ish-pronarët, ish të persekutuarit dhe pjesën më të paindoktrinuar nga komunizmi, por sot në PD, apo në qeverinë e zotit Berisha e ke shumë të vështirë të gjesh përfaqësues të kategorive që e votojnë atë, ndërkohë që gjen me shumicë funksionarë të të gjitha niveleve të regjimit të Enver Hoxhës, që nga ish-sekretari i Komitetit Qendror të Rinisë dhe ish-anëtari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Mehmet Elezi, i cili është ambasador i Shqipërisë në Zvicër, e deri te figura të tjera që përfitojnë nga pushteti i PD pa qenë as votues të PD.

Por edhe vetë sjelljet politike publike të liderit të PD kanë qenë shkatërruese për orientimin e elektoratit të tij. Si mund të ketë identitet dhe karakter politik një forcë e djathtë politike, lideri i së cilës shfaqet papritur si aleati kryesor i liderit të së majtës, të cilin vetë e djathta me votën e saj të 3 korrikut e kishte larguar nga politika? Si mund të jetë i orientuar votuesi i djathtë, kur lideri i saj shfaqet si Enver Hoxha në vitet e reformës agrare të vitit ‘46 duke shpërndarë tapitë e atyre që kanë zënë tokat e pronarëve të ligjshëm, ndërkohë që nuk ka bërë ende shpërblimin e këtyre të fundit? Si mund ta besojë elektorati se ai mund të bëjë ndonjëherë shpërblimin e tyre, kur del dhe deklaron nismën një euro, në një kohë kur mijëra pronarë nuk kanë të drejtën e pronësisë? Qëndrime të tilla jokoherente dhe mungesa e përfaqësimit të elektoratit, si në politikat e PD, ashtu edhe në strukturat e qeverisjes kanë bërë që elektorati të ftohet me këtë parti, të mungojë në zgjedhjet e fundit, dhe në njëfarë mase kjo mungesë i ka sjellë humbjen.

Por, dhe këtu vjen arsyeja e katërt e humbjes, PD dhe Berisha dështuan në fushatën elektorale vendore dhe kjo bëri që të kishte pak votues për PD. Strategjia mediatike e fushatës ishte një katastrofë e vërtetë. Gjuha e fushatës, si e Berishës, ashtu edhe e medieve pranë PD e largonte elektoratin gri. Një gjuhë e ashpër, fyese, pa mesazhe me interes dhe acaruese. Elektoratit nuk i bërtitet siç i bërtet Berisha, elektoratit i flitet me logjikë dhe me përunjësi. Elektorati nuk fyhet me sharjet e shtypit agresiv pre 30 kopjesh të gazetave të djathta, elektorati trajtohet me kujdes, delikatesë dhe finesë. Elektorati nuk mashtrohet në mënyrë vulgare. Elektorati do një gjuhë që strategjitë e komunikimit e përcaktojnë qartë, por që njerëzit injorantë të fushatës së Berishës as nuk e dinë se ekzistojnë.

Por problemi i fushatës ishte edhe zgjedhja e kandidatëve. Në pjesën më të madhe kandidatët janë zgjedhur nga deputetët, të cilët as nuk kanë bërë përpjekjen më të vogël për të përzgjedhur njerëzit me më shumë mundësi votimi, përkundrazi, kanë zgjedhur njerëzit me më shumë mundësi ndikimi dhe kompromentimi prej tyre. Në ato raste kur ka pasur kandidatura serioze, si në Elbasan apo në Lezhë, fushata e tyre është sabotuar nga strukturat e PD madje humbjet e tyre janë pritur në mënyrë festive nga segmente të PD, vetëm sepse ata nuk përfaqësonin klanet meskine të këtyre strukturave në rrethe.

Ka dhe shumë arsye të tjera, por këto ishin ato më thelbësoret. Gjithsesi, kjo humbje e PD e ka një të mirë. Ajo vjen në fillim të qeverisjes së PD dhe të zotit Berisha, gjë që do të thotë se ka ende shumë shpresa dhe mundësi për një reflektim të thellë. Ky reflektim duhet të fillojë nga përgjegjësi kryesor për këtë humbje: zoti Berisha. Kredibiliteti i tij dhe i qeverisë së tij do të përcaktohet pikërisht nga serioziteti i këtij reflektimi.

Për këtë arsye si fillim duhet pranuar humbja. Pra, PD, e djathta dhe Berisha kanë humbur. Kjo është premisa e parë e reflektimit. Kjo nuk mund të shmanget me numrat e komunave të fituara që deklaron zonja Bregu. As me propagandën e dështuar të servilëve mediatikë të Berishës. As me heshtje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›