E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Hetimor detyron kryesocialistin Rama të tërhiqet nga lufta për kartat e identitetit

PS, thirrje qytetarëve për tu pajisur me letërnjoftime 
Pas kërcënimeve për mospjesëmarrje në zgjedhje, pas bojkotit të parlamentit dhe pas kërcënimeve për protesta për problemin e kartave, socialistët e udhëhequr nga Edi Rama tërhiqen nga taktika e tyre revolucionare. Ashtu si gjithmonë në këto katër vjet opozita e socialistëve vazhdon të rrudhet dhe të bëhet më opake, duke qenë një opozitë e frustruar dhe aspak luftarake. Krysocialisti Rama edhe ditën e djeshme manifestoi para  socialistëve shqiptarë se nuk është luani që do të përballej me ujkun Sali Berisha, por është qengji që trembet sapo dëgjon ulërimat e Saliut. Dita e djeshme konfirmoi edhe njëherë para shqiptarëve se Sali Berisha e ka mbërthyer Edi Ramën nëpërmjet provave dhe fakteve, të cilat e detyrojnë këtë të fundit të tërhiqet nga çdo veprim opozitar i mundshëm. Fakt që e vërteton frikën e Edi Ramës është presioni që Sali Berisha i bëri kryesocialistit  nëpërmjet Komisionit Hetimor. Ngritja e Komisionit Hetimor nga ana e Sali Berishës e detyroi kryesocialistin Rama që të nxirrte Kastriot Islamin për ti bërë thirrje qytetarëve për tu pajisur me letërnjoftime. Frika e Ramës nga korrupsioni që do të zbardhet nga ky Komision, e detyroi Edi Ramën që të tërhiqet nga qëndrimi i tij agresiv. Tërheqja e djeshme e Edi Ramës nga lufta tashmë virtuale, vërtetoi edhe njëherë para socialistëve në radhë të parë dhe për shqiptarët në radhë të dytë se kryesocialisti Rama nuk ka për të zhvilluar asnjëherë luftë opozitare, por do të presë nëse fitorja duhet të bjerë në duart e tij.
Islami thirrje qytetarëve që të aplikojnë për letërnjoftimet
Socialistët për herë të parë i bëjnë thirrje qytetarëve të aplikojnë për letërnjoftimet elektronike, me të cilat do të votohet në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Partia Socialiste ndryshe nga disa ditë më parë, që bojkotoi seancën parlamentare për kartat e identitet, ditën e djeshme ka dal me një deklaratë duke i bërë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të aplikojnë për kartat e identitetit, duke ndryshuar në këtë mënyrën mendim dhe qëndrimin e tyre. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami për herë të parë i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve pa pasaportë që të aplikojnë për kartat e identitetit. Edhe pse vendimin e fundit të qeverisë për çmimin 200 lekë të kartës, Islami e ka cilësuar taksën e fundit të Berishës, që sipas tij do të kompensohet nga Rama, kryeministër. Qëndrimi i PS mbetet i njëjtë përsa i përket moralit dhe filozofisë së kësaj takse ndonëse ajo është vetëm 200 lekë. PS është në parim kundër kësaj takse pavarësisht vlerës së saj. Për ne çdo shtetas duhet të realizojë të drejtën e votës pa u taksuar nga qeveria. E drejta e shprehjes së votës duhet të jetë e lirë. Berisha me vendosjen e kësaj takse ka prekur rëndë të drejtën kushtetuese, nënvizoi Islami. Sipas tij, vendimi i ri i qeverisë, i cili është bazuar në arritjen e marrëveshjes së kartave PD- PS, vetëm lehtëson sakrificat e votuesve, por moralisht vazhdon të ruajë taksën e votës që nuk ekziston në asnjë vend të NATO apo BE. Më duhet të sqaroj se Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave i përket tërësisht qeverisë Berisha, ne nuk jemi autorë të tij. Ne mbështesim zbatimin e tij in ekstremis, por jo filozofinë e këtij vendimi, deklaroi Islami. Nëpërmjet kësaj deklarate, ai i ka bërë thirrje të gjithë strukturave të PS, që të angazhohen maksimalisht në këtë proces duke sqaruar të gjithë votuesit pa asnjë dallim për sakrificën e fundit e pagesës së kësaj takse prej 200 lekësh për të hequr Berishën nga pushteti në 28 Qershor 2009. Blini kartën për 200 lekë, bëni këtë sakrificë sepse në 29 Qershor 2009 qeveria e re me Edi Ramën, kryeministër do tjua kthejë këtë 200 lekësh. Shkoni dhe aplikoni, bëjeni sakrificën duke paguar taksën e fundit të qeverisë Berisha dhe rrini të qetë se në 29 Qershor qeveria e re do tjua kthejë, ka veçuar Islami. Sipas tij, PS nuk mund të pranojë që qytetarët shqiptarë të taksohen për votën duke veçuar faktin se ky diskutim do të ruhet në kujtesën e shqiptarëve si debati i heqjes së një takse, që amerikanët e kanë hequr 40 vjet më parë dhe që ishte vendosur për të penguar të votojnë të varfrit dhe emigrantët; kryesisht njerëzit me ngjyrë. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj deklarate, sekretari për çështjet zgjedhore në PS, i ka bërë thirrje të gjithë mekanizmave të përfshirë në këtë proces, për të marrë të gjitha masat që ky proces të mos pengohet e vonohet dhe të garantojnë që çdo votues të pajiset me kartë identiteti për të pasur mundësi të votojë në 28 Qershor 2009. Ne do ta monitorojmë këtë proces me shumë seriozitet dhe me transparencë do të bëjmë me dije publikun dhe partnerët ndërkombëtarë për ecurinë e tij dhe pengesat eventuale duke e mbështetur pa asnjë paragjykim, vijoi Islami. Por sipas tij, problemet me procesin zgjedhor nuk kanë mbaruar, sepse transparenca e shpërndarjes së kartave të identitetit, lë për të dëshiruar. Gjithashtu, ai nuk ka neglizhuar faktin sipas së cilit Ministria e Brendshme nuk ka qenë transparente, duke paralizuar edhe komisionin Ad Hoc, të Kuvendit. Por, sipas tij nëse kjo do të vazhdojë të ndodhë, PS nuk do të hesht, sepse nuk mund të lejojë që të vihen në rrezik zgjedhjet e lira e të ndershme nga një hile e radhës me ezaurimin e kohës së shkurtër në dispozicion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›