Berisha mbështet deklaratën e KiE-së: “Opozita të futet në Kuvend”
Vetëm pak minuta pas publikimit të qëndrimit zyrtar të Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së ka reaguar kryeministri Sali Berisha. Në një konferencë të posaçme për shtyp, kryeministri Berisha përshëndeti deklaratën e KiE-së, të lexuar nga Presidenti i Asamblesë Mevlut Cavusoglu dhe i bëri thirrje opozitës që të futet në Kuvend. Berisha garantoi se maxhoranca është e gatshme që në seancën e parë të Kuvendit të miratojë ngritjen e menjëhershme të komisionit parlamentar hetimor me shumicën e opozitës dhe që të drejtohet nga Partia Socialiste. Ai tha se deklarata e KiE-së është e qartë dhe se duhet të zbatohet nga opozita.
Qëndrimi
“Dua të garantoj Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës se koalicioni qeveritar është dakord pikë për pikë me këtë deklaratë dhe ka bindjen se kjo deklaratë është një kontribut thelbësor në normalizimin e situatës aktuale të krijuar nga bojkoti i opozitës. I bëj thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, i cili pati rastin gjatë këtyre ditëve të shohë vullnetin tim të qartë, të palëkundur, për kompromise, koncesionet e nevojshme, në mënyrë që opozita të zërë vendet në Parlament”, - është shprehur Berisha, ndërsa i bëri thirrje kreut të PS-së, Rama, që të mbështesë deklaratën e Komitetit Presidencial dhe të fillojë menjëherë jetësimin e saj në të gjitha pikat, të cilat, sipas Berishës, janë parime shumë solide për të zgjidhur problemet. “Shpresoj edhe njëherë që edhe zoti Rama në këtë frymë t’i përgjigjet. Unë e garantoj se që në mbledhjen e parë të Kuvendit, ne jemi të gatshëm që në prani të deputetëve socialistë, së bashku me ta, të ndërtojmë komisionin; jemi të gatshëm t’u japim shumicën dhe kryesinë e komisionit. Pra unë them se në parimet e vendosura qëndron edhe çelësi i të gjithë zgjidhjes së problemit”, - është shprehur kryeministri. Berisha u pyet gjatë konferencës për shtyp në lidhje me propozimin e bërë nga ana e Këshillit të Europës që çështja të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe në Komisionin e Venecias dhe se me çfarë argumenti është mbrojtur ky variant nga ana e tij dhe si e ka kundërshtuar Rama. Por ai refuzoi të japë detaje të bisedave të bëra në Presidencë duke i cilësuar ato konfidenciale.
“Unë nuk do t’ia lejoj vetes që të bëj komente mbi të gjitha debatet e brendshme meqenëse aty rregulli ka qenë dhe mbetet: konfidencialiteti. Ajo që unë dua të shpreh, të theksoj këtu, vlerësimin tim për punën e bërë, vlerësimin tim për këtë deklaratë dhe ta ftoj zotin Rama, i cili e pa qartë vullnetin tim dhe të maxhorancës për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështjeje. Deklarata është shumë e kthjellët, është kristal e qartë”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit. I pyetur nëse beson se PS-ja do të futet në Kuvend në datën 4 mars, kryeministri u shpreh se nuk i takon atij të bëjë profetin në një situatë të tillë, por e vetmja gjë që i takon është që t’i bëjë thirrje opozitës që të futet në Kuvend ashtu sikurse theksohet në deklaratën e Delegacionit të KiE-së. “Nuk më takon mua të bëj profetin, ju e keni vënë re. Unë po merrem me deklaratën. Uroj edhe njëherë që edhe zoti Rama të shprehë të njëjtin vullnet siç e shpreha unë për këtë deklaratë dhe bashkërisht të fillojmë jo më datën 4, por që pasnesër jetësimin, materializimin e saj, në interesin më të mirë. Unë kam besim, kam shpresë se ky është një dokument që meriton mbështetje të plotë”, - është shprehur Berisha.
24 Shkurt 2010