E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Nuk ka hetim të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit pa hapjen e kutive”



Eneida Jaçaj

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pasi ka përshëndetur kontributin e Delegacionit të Këshillit të Europës për t’i dhënë zgjidhje krizës politike, u ka siguruar atyre dhe maxhorancës se opozita nuk do të tërhiqet nga hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit pa hapur kutitë. Kreu socialist i vuri në dukje maxhorancës se në asnjë nga deklaratat zyrtare të ndërkombëtarëve nuk është thënë se kutitë nuk mund dhe nuk duhet të hapen. Ai ka kërkuar ngritjen e komisionit hetimor me hapjen e kutive dhe ka shprehur vullnetin e plotë të opozitës për të ndërmarrë çdo lloj forme dialogu demokratik me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ka zëra se opozita mund të hyjë në Parlament edhe para vendosjes së konsensusit me krahun e djathtë, por Rama ka siguruar se opozita nuk do të ndërpresë në asnjë moment bojkotin.
Deklarata
Kryesocialisti e ka ftuar kryeministrin Berisha të pranojë ofertën e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor pa pasur frikë nga hapja e kutive, duke u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje që mbyll kapitullin e zgjedhjeve të kontestuara dhe deformuara në Shqipëri. “Pa hapje të kutive nuk ka zgjidhje të krizës dhe as rifillim të jetës parlamentare normale. Sepse kjo krizë nuk i ka rrënjët te bojkoti i opozitës, por te mohimi i së drejtës sonë kushtetuese për të hetuar zgjedhjet, të cilat, është e qartë si drita e diellit se nuk mund të hetohen pa nxjerrë të vërtetën e kutive në sytë e popullit, jo për të ndryshuar rezultatin, por për të shembur sistemin e korrupsionit që pengon lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve në Shqipëri”, - u shpreh Rama, duke theksuar se “i them publikisht Sali Berishës se kjo betejë nuk është për një pazar, por për një parim. Kjo betejë nuk është për të shkuarën, por për të ardhmen. Kjo betejë nuk ka të bëjë me çfarë ndodhi dje, por me çfarë nuk duhet me asnjë mënyrë të ndodhë nesër”.
Hetimin e zgjedhjeve, Rama tha se PS-ja, si të drejtë do ta kërkojë me të gjitha rrugët demokratike, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri. “Kjo është një krizë e krijuar nga përplasja me vullnetin demokratik dhe kushtetues të opozitës për t’i shpëtuar zgjedhjet nga korrupsioni përmes transparencës dhe vullnetit antidemokratik dhe antikushtetues, për të penguar çmontimin e organizmit që kërcënon t'i kthejë zgjedhjet në Shqipëri në një formalitet të paravendosur”, - tha Rama.
Komisioni i Venecias
Me sa duket, politika shqiptare e ka të pamundur të zgjidhë problemin e krizës së hetimit të zgjedhjeve, por kërkon ndihmë në çdo kohë nga ndërkombëtarët. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kreu i partisë më të madhe të opozitës theksoi se Gjykata Kushtetuese ta çojë çështjen për këshillim në Komisionin e Venecias. “Pa asnjë dyshim, një kryeministër që ka shkelur 20 herë në 4 vite Kushtetutën, duke dëshmuar se nuk di ta lexojë ligjin themelor të shtetit, ka nevojë të këshillohet edhe nga një institucion i respektuar si Komisioni i Venecias”, - theksoi Rama.
Ndërkohë Rama ka theksuar se në vendimin e Gjykatës Kushtetuese maxhoranca nuk ka të drejtë ta kufizojë objektin e hetimit dhe se aksionin e opozitës nuk e pengon asgjë.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›