E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS rrëzon amendamentin e PD-së për të ndaluar fenomenin "Dushk"

11/05/2005  Sherifi: Kërkesa cënon nenin e kushtetutës që përcakton sistemin zgjedhor

Komisioni i Ligjeve ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Gjatë mbledhjes së zhvilluar dje, deputetët Albert Çaçi dhe Elmaz Sherifi janë shprehur se amendamenti, që kërkon unifikimin e votës së partisë me atë të deputetit, cënon Kushtetutën. Për ta, në ligjin themeltar të shtetit, theksohet se sistemi i zgjedhjeve është ai mazhoritar i përzier me proporcionalin, dhe kjo do të thotë që votat për subjektin janë të ndara nga ai për partinë, pasi është zgjedhësi, ai që vendos nëse mbështet dhe emrin e konkurrentit së bashku me partinë, apo është pro kandidatit palë, por jo detyrimisht dhe subjektit. Madje, duke parë se pas një muaji janë votimet, është theksuar se nuk mund të ketë ndryshim të Kodit Zgjedhor në këtë afat të kufizuar kohor.

Kërkesa

Deputetët e opozitës kanë kërkuar që në fletën e votimit, zgjedhësit të shprehen në të njëjtën kuti si për partinë dhe për kandidatin. Në këtë mënyrë është kërkuar shmangia e përsëritjes së fenomenit të "Dushkut", ku PS-ja i kërkoi elektoratit të votonte kandidatët e saj, ndërsa për partitë të zgjidhnin aleatët. Një formë e tillë është cilësuar vjedhje e votës. Megjithatë, duke parë se socialistët nuk do të pranonin një kusht të tillë, krerët e opozitës thanë se do të përgjigjen në të njëjtën skemë. Për këtë është kërkuar dhe ndihma e OSBE-së. Në përputhje me kërkesën e Partisë Demokratike, deputeti i Partisë Socialdemokrate, Gaqo Apostoli, ka kërkuar shtimin dhe të një tjetër ndryshimi. Sipas tij, në Kod duhet të vendoset që i pari në listën proporcionale të partive do të jetë ai kandidat që fiton më shumë vota në zonën e tij. Për Apostolin, në këtë mënyrë do të arrihet në një fushatë më reale, që do të nxisë dhe vetë garën brenda partisë. Deputeti i PSD-së është shprehur se kërkesa e tij qëndron, pavarësisht vendimit që do të merret për amendamentet e partive të opozitës.

Vendimi

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Elmaz Sherifi, është shprehur në qëndrimin e tij se kërkesa e Apostolit është e papranueshme, pasi sistemi i proporcionalit qëndron vetëm për partitë politike dhe jo për kandidatët. Ndaj, përcaktimi se kandidati, që merr më shumë vota, duhet të jetë i pari në listë është cilësuar e papranueshme, sepse e lidh proporcionalin me kandidatin dhe jo me partinë. Sherifi ka kërkuar rrëzimin dhe të kërkesës së socialdemokratit. Ndërsa për propozimin e Partisë Demokratike, Sherifi është shprehur se ai cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë Kushtetutën e Shqipërisë. "Parlamenti përbëhet nga 140 deputetë, nga të cilët 100 zgjidhen në mazhoritar dhe 40 në proporcional. Barazimi me detyrim i votës së mazhoritarit me proporcionalin prek detyrimisht këtë sistem", tha Sherifi, duke kërkuar votën kundër amendamentit. Kërkesa është rrëzhuar me 7 vota pro dhe dy kundër.

Neni 64

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zona njëemërore me numër të përafërt zgjedhësish. 40 deputetë zgjidhen nga listat shumemërore të partive dhe/ose koalicioneve të partive sipas renditjes në to.

2. Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve.

Neni 65

1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet.

2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.

Neni 68

1. Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit.

2. Rregullat për caktimin e kandidatëve për deputetë, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe përcaktimi i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë së zgjedhjeve rregullohen nga ligji për zgjedhjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›