E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet tarifa fikse mujore për telefonin e shtëpisë



nertila maho

Pajtimi mujor i telefonisë fikse do të rritet me rreth 1 mijë lekë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare Pirro Xhixho gjatë prezantimit të raportit vjetor të 2009-ës para Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Sipas tij kjo rritje është pjesë e procesit të rebalancimit të tarifave i cili kërkon marrjen e një sërë vendimesh. Kështu “rebalancimi” përfshin që të gjitha thirrjet drejt një numri fiks brenda Tiranës pra ato që quhen “thirrje lokale”, të kushtojë më shtrenjtë sesa kushtojnë aktualisht. Ana pozitive e rritjes së tarifës për thirrjet lokale është ulja e tarifës për thirrjet drejt operatorëve celularë, thirrjet kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Si pjesë e kësaj rritje është përfshirë edhe kostoja e mirëmbajtjes dhe investimeve. çështja e procesit të rebalancimit sikurse u lakua dje gjatë komisionit është një histori dhjetë vjeçare, e vonuar dhe me efekte sociale por nga ana tjetër Autoriteti pranoi se nuk është vepruar me agresivitetin e duhur për të ecur më shpejt. “E mbyllim këtë proces me vendimin e fundit që kemi marrë duke parë efektet që mund të ketë ai tek pajtimtari dhe këtu bëhet fjalë për pajtimtarët e dobët që kanë të ardhura të ulëta” u shpreh Xhixho. Sipas tij rritja e tarifës së pajtimit është shtyrë për në korrik nga marsi që ishte parashikuar. “Rritja është rreth 1 mijë lekë. Ne jemi detyruar të bëjmë këtë rritje të fundit pasi është një akt i cili duhet të përfundojë. Përsa i përket pajtimit mujor nëse do dalim me një analizë që po bëjmë ne për ofertat referencë, nga 385 lekë që është sot, ka rrezik të kërkojë 442 lekë, ndërkohë që studimi i mëtejshëm i operatorit mund ta çojë deri në 7-8 euro që është prapë dy herë më pak se gjithë rajoni” u shpreh Xhixho.
Operatori i katërt
Kreu i AKEP bëri të ditur dje se operatori i katërt i telefonisë celulare do të dalë në treg në 7 korrik ndërkohë që pjesa komerciale e tij do të lançohet që në qershor. Nëse nuk zbatohet afati i hyrjes në treg me shumë mundësi ky operator do të humbasë përfshirjen tek risitë teknologjike që janë parashikuar për këtë vit që janë sistemi “3G” dhe “Number Portability”. “Hyrja në treg e një operatori kalon një sërë fazash. Në 26 dhjetor ka qenë takimi me operatorin e katër që synon të hyjë në treg kur u analizua edhe vendimi që lidhej me implementimin e fazës test. Ne i kemi lënë 7 korrikun operatorit si afatin e fundit të hyrjes në treg” u shpreh Xhixho. Ndërkohë që lidhur me operatorët ekzistues është interesuar edhe kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese Jemin Gjana. Ai theksoi se në çdo eveniment janë këta operatorë që bëjnë donacionet çka është një shenjë që tregon se fitimet e kompanive celulare mbeten ende kolosale dhe që Autoriteti duhet të studiojë ende mundësinë e uljes së tarifave. Në këtë linjë ka folur kreu i AKEP Xhixho duke theksuar se pavarësisht reduktimit të tarifave për operatorët celularë në Shqipëri ende një thirrje kushton shumë herë më shtrenjtë se në shumë shtete të BE-së. Në këtë pikë ai ka garantuar se do të punohet më tej duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse siç është Autoriteti i Konkurrencës me të cilin ekziston edhe një memorandum i përbashkët sikurse edhe me KKRT-në. Në fund kreu i AKEP bëri një përmbledhje të 2009-ës duke informuar se ky institucion ka qenë i përfshirë në 17 procese gjyqësore për shkak të vendimeve apo si palë e tretë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›