E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: Ndërhyjmë për krizën, por përgjegjësia bie mbi palët



OSBE shprehet e gatshme të ndërhyjë për zgjidhjen e krizës në vend, por thekson se përgjegjësia për këtë situatë bie pikërisht mbi aktorët politikë. Deklaratën e bëri dje në Tiranë i dërguari i posaçëm i kryetarit të radhës të OSBE-së, zv. ministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Konstantin Zhigalov. Gjatë qëndrimit në vendin tonë, ai pati takime me Kryeministrin Berisha, ministrin e Jashtëm, Ilir Meta dhe kreun e opozitës, Edi Rama. “Ne i njohim përparimet e bëra nga Shqipëria në realizimin e reformave demokratike”, tha ai. “Klima e bashkëpunimit, e vendosur në të kaluarën mes qeverisë dhe opozitës ka kontribuar në sukseset e rëndësishme të arritura në këtë drejtim”. Zhigalov mirëpriti vendimin e Partisë Socialiste për të hyrë në Kuvend, duke shpresuar se kjo do t’i hapte rrugë zhvillimit të debateve të ardhshme politike brenda Parlamentit. Ai nënvizoi se OSBE-ja qëndron e gatshme të mbështesë përpjekjet e partive politike të Shqipërisë për dialog politik. “Gjithsesi, përgjegjësia për të zgjidhur situatën e tanishme, në fund të fundit, bie mbi aktorët kombëtarë,” tha ai. Ndërkohë kreu i diplomacisë shqiptare Ilir Meta tha në takimin me zyrtarin e lartë të OSBE-së “këtë vizitë e konsiderojmë si një sinjal të rëndësisë dhe mbështetjes që Kryesia juaj i jep Misioneve të OSBE-së në konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në Ballkanin Perëndimor”. Duke u ndalur tek oferta e Shqipërisë për marrjen e kryesisë së radhës së OSBE-së në vitin 2014, zv. Kryeministri Meta theksoi se ajo përbën një prioritet shumë të rëndësishëm të politikës së jashtme të Shqipërisë. “Kandidatura jonë mbështetet në përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave të OSBE-së dhe në zbatimin e vazhdueshëm të detyrimeve dhe normave të organizatës”, shtoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›