E Diel, 1 Nëntor 2026

Shaqiri del kundër projektligjit të SHISH, Klosi: Majko donte të më arrestonte në zyrë



adi shkembi

Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri ndryshon qëndrim për propozimet në ligjin e institucionit që ai drejton. Megjithëse paraqiti një sërë ndryshimesh në ligj dhe u shpreh parimisht dakord në Komisionin e Ligjeve pak ditë më parë, në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, Shaqiri ka mbajtur një qëndrim krejt të kundërt. Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura, ku deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë sërish, bëjnë të ditur se shefi i SHISH ka kërkuar që ligji për Shërbimin të bëhet nga e para dhe të ftohen edhe ekspertë ndërkombëtarë. Në seancën e djeshme dëgjimore në Komision kanë marrë pjesë gjithashtu, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Tiranë. Ndërkohë, pak minuta para nisjes së mbledhjes, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi ka thirrur në zyrë kreun e SHISH, Bahri Shaqiri, por nuk bëhet e ditur se çfarë është biseduar në këtë takim. Duket se kreu i Shërbimit ka ndryshuar qëndrim pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve javën e kaluar kur në draftin që po diskutohet është shtuar një nen, sipas të cilit, procedura e zgjedhjes së drejtorit do të nisë nga e para, çka nënkupton se kryetari në detyrë duhet të japë dorëheqjen. "Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji , drejtori dhe zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit herën e parë ka një mandat 3 vjeçar", thuhet në dispozitën kalimtare të ligjit, e cila mendohet se ka ndikuar në qëndrimin e kreut të SHISH për këtë draft. Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror ka mbajtur një qëndrim shumë pozitiv ndaj draftit të qeverisë, në mbledhjen e 10 marsit në Komisionin e Ligjeve. "Kemi kërkuar amendimin e ligjit me synim për t'iu përgjigjur kushteve të reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Amendimi vinte si nevojë dhe domosdoshmëri edhe në kuadër të detyrimeve si vend anëtar i NATO-s, procesit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-se dhe rolit që duhet të ketë SHISH në këto procese", është shprehur Shaqiri.
Komisioni
Megjithëse me dyer të mbyllura, mbledhja e djeshme e Komisionit të Sigurisë Kombëtare lidhur me ndryshimet në Shërbimin Informativ Shtetëror, ajo është zbardhur nga zyra e shtypit e Kuvendit. Në një njoftim për shtyp të Parlamentit bëhen të ditura për mediat detajet e diskutimit. Konkretisht në Komision iu bë thirrje opozitës të marrë pjesë në diskutimin e ligjit si dhe të japë mendimin e saj lidhur me dispozitën kalimtare që ka të bëjë pikërisht me mënyrën e emërimit të shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror. "Duke u mbështetur në përvojën e sotme të vendeve anëtare të NATO-s dhe BE, këto ndryshime respektojnë standardet demokratike dhe rritin transparencën e këtij institucioni ndaj publikut, duke ftuar, për herë të parë, edhe opozitën të japë mendimin e vet për emërimin e drejtorit të SHISH. Por, për fat të keq, në këtë mbledhje, opozita nuk mori pjesë, edhe pse z. Demi kontaktoi personalisht me z. Ruci për rëndësinë që ngërthen ky projektligj dhe që kolegët opozitarë duhet të japin kontributin e tyre konkret", thuhet në njoftimin për shtyp. Në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura përveç deputetëve të maxhorancës, morën pjesë përfaqësues të Këshillit të Ministrave, kreu i SHISH-it, Shaqiri si dhe ekspertë nga institucionet ndërkombëtare (përfaqësues të misionit OBDAT, dhe përfaqësues të misionit EURALIUS të Bashkimit Evropian).

Nenet e kontestuara të ligjit të SHISH

Neni 5 ndryshohet si vijon:
Neni 5
Shërbimi Informativ i Shtetit drejtohet nga drejtori, i cili është përgjegjës për:
a) veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kontrollin e saj;
b) mbarëvajtjen e Shërbimit Informativ të Shtetit;
c) garantimin që çdo informacion të disponohet vetëm brenda qëllimit dhe funksioneve të Shërbimit Informativ të Shtetit;
d) garantimin se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk ndërmerr veprime, të cilat kanë për qëllim t'i shërbejnë, apo t'i sjellin përfitime ndonjë partie politike;
e) garantimin e zbatimit të marrëveshjeve ndërinstitucionale;
f) informimin dhe raportimin te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri, për probleme qe lidhen me sigurimin kombëtar.
Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH.
Me kërkesë të Kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, raporton edhe në Këshillin e Ministrave."
Neni 9
Dispozitë kalimtare
Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji , drejtori dhe zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, herën e parë ka një mandat 3 vjeçar.

Fatos Klosi: Majko donte të më arrestonte

Ish kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi akuzoi dje ish kryeministrin Pandeli Majko se ka tentuar ta arrestojë gjatë kohës që mbante këtë post. Klosi e bëri deklaratën në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu ku po diskutoheshin ndryshimet në ligjin e Shërbimit. "Kur ishte Majko kryeministër donte të më arrestonte, donte të sillte prokurorin aty dhe të më arrestonte në zyrë", është shprehur ish kreu i SHISH-it. Por menjëherë pas tij ka ndërhyrë Luan Rama, sipas të cilit në atë zyrë ka qenë mbledhja e Qeverisë. Klosi ka replikuar menjëherë duke thënë se kohës kur i referohej ai në zyrë ishin disa nga ministra. Sipas ish kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror kreu aktual Bahri Shaqiri nuk është thirrur asnjëherë nga Berisha në pesë vitet që ka mbajtur këtë post. Duke komentuar draftin e ardhur nga Qeveria ai tha se: "ligji bëhet për dy gjëra, e para që do të shkarkojë Bahri Shaqirin sepse me ligjin aktual nuk e shkarkon dot dhe e dyta sepse kërkon t'u japë mesazh shërbimeve partnere që çdo gjë e SHISH kalon nga zyra e tij". Në një intervistë të pak kohëve më parë, Klosi është shprehur se ndryshimet në ligjin e Shërbimit janë të lidhura me problemet mes kryeministrit Berisha dhe Presidentit Bamir Topi. "Unë këtu më shumë e shoh problem të marrëdhënieve mes dy njerëzve sesa problem i Shërbimit. Kryeministri aktual pa ardhur donte ta shkrinte. Në planet e tij ai ishte shërbim i panevojshëm, ose po të shkonte pjesë e Ministrisë së Brendshme. Mesa duket tani do që të marrë drejtimin e tij, dhe drejtimin e tij nuk e merr pa pasur miratimin e Presidentit. Kështu që këtë lëvizje e shoh në këtë kuadër", është shprehur Klosi.
Përplasja me Majkon
Ish shefi i Shërbimit, Fatos Klosi u përplas publikisht me ish kryeministrin Pandeli Majko në vitin 1999. Në atë kohë ish kreu i Qeverisë i bëri kërkesë Presidentit Rexhep Mejdani për ta shkarkuar, por ky i fundit e refuzoi këtë kërkesë. Pas refuzimit të Presidentit të asaj kohe, ish kryeministri Majko dhe Klosi patën një konflikt publik me njeri tjetrin. Duke folur për periudhën kur ish shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror ishte në detyrë, theksoi se "unë kisha mbështetjen e Presidentit dhe e ndjeja veten vërtetë të sigurt porsa kohë ishte ai President dhe prandaj kam guxuar të përplasem me kryeministrat. Do një mbrojtje kryetari i Shërbimit dhe Kushtetuta ka parashikuar Presidentin si mbrojtje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›