PD, nismë kundër hapjes së kutive
BLEDAR HOTI
Partia Demokratike del kundër kërkesës së Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e fletëve të votimit. Tre deputetët e Partisë Demokratike, Eduard Halimi, Gent Strazimiri dhe Edi Paloka kanë depozituar në Kuvend 6 propozimet e tyre për amendamentet e PS-së, duke rrëzuar kështu hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e fletëve, si dhe kërkesën e dytë të opozitës që ajo të ketë maxhorancën në komisionin parlamentar hetimor. Sot paradite komisioni i Ligjeve do të diskutojë nen për nen propozimet e PS-së, duke i paraqitur atyre dhe amendamentet e PD-së në lidhje me nismën për ndryshimin e ligjit të hetimeve nga ana e Kuvendit. Deputetët shprehen se argumentet janë paraqitur me qëllim përmirësimin e projektligjit të PS-së, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” për t’i përqasur ato me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Demokratët propozojnë se neni 4 i PS-së që synon hapjen e kutive të votimit dhe këqyrjen e materialeve zgjedhore apo rishikimin e fletës së votimit të shfuqizohet. Gjithashtu PD-ja kërkon mos marrjen në konsideratë të propozimit të PS-së në nenin 3 ku maxhorancën në këtë komision hetimor ta ketë opozita. Demokratët kërkojnë heqjen e këtij propozimi, si dhe atë të dispozitës kalimtare se “për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 afati i paraqitjes së kërkesës në përputhje me nenin 4, pika 6/a të ligjit fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Ndërsa në nenin 3, tre deputetët propozojnë që të shtohet ky paragraf që ndryshon nenin 5 të ligjit aktual duke sanksionuar: “Në nenin 5, pika 1 pas fjalës “paraqet” shtohet ky togfjalësh “objektin e hetimit, i cili duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet”. Sipas demokratëve ky propozim është në përputhje me vendimin numër 18 të Gjykatës Kushtetuese, datë 14 maj 2003, dispozitivi pika 3.
Maxhoranca në të njëjtën kohë ka dalë kundër propozimit të opozitës që hetimi i zgjedhjeve të zgjasë nga 6 muaj deri në 24 muaj. “Kuvendi mund të vendosë ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar zbatimin e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin ose për organet e qeverisjes vendore. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij neni e ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë jo më gjatë se tre muaj”, thuhet në propozimin numër dy të opozitës. Socialistët kanë propozuar në nismën e tyre se “Në rast se kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore ky komision nuk mund të ngrihet në rast se kanë kaluar: 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit, 3 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore”. Gjithashtu theksohej se “në çdo rast, veprimtaria e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore do të konsiderohet e përfunduar në kufirin e 24 muajve që paraprijnë ditën e mbarimit përkatësisht të mandatit të Kuvendit apo të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive bazë të qeverisjes vendore”.
Amendamentet e PD-së
Neni 1 i p/ligjit bëhet ky amendament:
Në pikën 1 të nenit 4 shtohen fjalitë e mëposhtme:
Në veprimtarinë e tyre komisionet hetimore të Kuvendit janë të detyruara të respektojnë parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje të gjykuara nga gjykatat e vendit, nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor.
Neni 2 i projektligjit ndryshon si vijon:
Neni 2
Pas nenit 4 shtohet neni 4/1 me këtë përmbajtje:
Neni 4/1
Hetimi i zgjedhjeve
1. Kuvendi mund të vendosë ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar zbatimin e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin ose për organet e qeverisjes vendore. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij neni e ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë jo më gjatë se tre muaj.
Neni 3 i projektligjit hiqet
Pas nenit 3 të projektligjit shtohet një nen me këtë përmbajtje:
Neni 3/A
Në nenin 5, pika 1 pas fjalës “paraqet” shtohet ky togfjalësh “objektin e hetimit, i cili duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet....”.
Neni 4 i projektligjit hiqet
Neni 5 i projektligjit hiqet
Firmëtarët
Eduard Halimi,
Edi Paloka
Gent Strazimiri