Zgjedhjet, PD pro PS në parim
BLEDAR HOTI
Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi në parim projektligjin e PS-së në lidhje me “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Demokratët dhe socialistët kanë votuar pro miratimit në parim të nismës duke i dhënë fund debateve të zhvilluara në tre mbledhje të ndryshme mbi kushtetutshmërinë e nismës së opozitës për hapjen e kutive të votimit. Në mbledhjen e djeshme maxhoranca dhe opozita ka vijuar me qëndrimet e kundërta për hapjen ose jo të kutive nëse këto janë kushtetuese apo jo. Për më shumë se dy orë e gjysme debatin maxhoranca e ka bërë të qartë qëndrimin e saj kundër hapjes së kutive dhe rinumërimit të fletëve të votimit. Kreu i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali deklaroi se zgjidhja dhe kompromisi duhet të realizohet brenda kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. “Sa herë që krizat politike prodhohen për të ndryshuar me dhunë ligjin, Kushtetutën apo rregullat e lojës ato dështojnë dhe nuk janë jetëgjata. Unë besoj se në zgjidhjen e këtij problemi që na është shtruar si Komision i Ligjeve do ta gjejmë tek Kushtetuta, tek ligji, tek vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të ecim përpara jo vetëm në procesin e hetimit të zgjedhjeve, por me të gjitha proceset parlamentare që ne kemi”, deklaroi Rusmali. Kryekomisioneri ka bërë të ditur në të njëjtën kohë se Edi Rama me këtë nismë synon të bëjë të gjitha rolet drejtuese në Shqipëri. “Nëse Rama do na thoshte për shembull se Shqipërisë i ka ardhur koha që të ndryshojë sistemin e vet të menaxhimit të zgjedhjeve, të mos ta ketë më bipartizane, por zoti Rama i është shmangur me fanatizëm. Sikur qielli me tokën të përmbysen nuk e ndryshon sistemin bipartizan të menaxhimit. Nuk mund të pranojë që menaxhimi i zgjedhjeve të ardhshme të bëhet nga njerëz të tjerë përveçse nga komisionerët e vet, ose që zgjedhjet e ardhshme t’i menaxhojë vetë Rama; të bëhet kryepërgjegjës, kryeadministrator i zgjedhjeve sikundër do të bëhet kryegjyqtar dhe kryeprokuror i zgjedhjeve në Shqipëri”, deklaroi Rusmali. Ndërsa socialisti Xhafaj deklaroi se nisma e opozitës është e negociueshme me maxhorancën. “Edhe nëse arsyetohet sipas pretendimit tuaj se “hapjen e kutive nuk e lejojnë vendimet gjyqësore”, një gjë e tillë do të rezultonte tërësisht e pasaktë, për shkak se mosmarrëveshja juridike në gjykatë ka qenë e lidhur me të drejtën procedurale për rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit dhe jo me kutitë e materialeve të votimit. Duke vijuar me këtë lloj arsyetimi, atëherë nuk do të rezultonte asnjë pengesë, të paktën, për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore, përderisa nuk ka një vendim gjykate, që të jetë shprehur për këto kuti. Jeni ju të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë? Sigurisht që jo. Nuk ju lejon urdhri politik”, tha Xhafaj. Socialisti theksoi se “Zvarritja e çështjes është me pasoja dhe nuk i shërben zgjidhjes së krizës. Ne jemi të hapur për negocim politik e ligjor për projektin tonë. Ne jemi të gatshëm që deri në momentin e fundit të negociojmë rreth iniciativës sonë, për të cilën ne jemi të lirë të vendosim në përmbajtje dhe në procedurë”. Ndërsa socialisti Gjiknuri deklaroi tha se “Si duket ka gjasa që produkti i ndodhur në kuti, të jetë si “kopili” i Ruzhdies, e pas kësaj ka gjasa të dalë edhe “babai i kopilit” dhe njëkohësisht “burri i Ruzhdies”, duke e bërë turpërimin e pashmangshëm. Duke e ditur këtë merak që mund të keni, unë them se ka hapësirë për kompromis që edhe “babai i vërtetë” të mos dalë, por edhe produktet e tipit Ruzhdie të largohen njëherë e mirë nga skena e zgjedhjeve shqiptare”. Deputeti i PD-së, Fatos Hoxha i bëri thirrje opozitës që të mos bëhet vegël e qëndrimeve personale të kryesocialistit Edi Rama, por të shohin argumentet ligjore se pse nuk hapen kutitë e votimit. Ai kërkoi deputetët që të mos vihen në rresht nga kryetari i PS-së, pasi është kundër liberalizmit të vizave dhe integrimit evropian të Shqipërisë. Komisioni i Ligjeve i mbylli dhe debatet, duke i hapur rrugë shqyrtimit nen për nen të draftit të PS-së. Ndërsa Rusmali bëri të ditur se maxhoranca ka bërë gati dhe amendamentet e saja për nismën e paraqitur nga ana e opozitës për ligjin e hetimeve parlamentare.
Debati në Komisionin e Ligjeve
Aldo Bumçi, PD: Rinumërimi të dytë siç doni ju, e përcakton vendimi i gjykatës, se mund të ndodhë kur ka pasur kontestime dhe ka prova. Nëse do të zbatohej që dy anëtarët e KQZ do të kërkonin rinumërim, do të kishte rinumërim në të gjithë Shqipërinë. Kodi nuk është shkruar për këtë. Ka një vendim për ligjin zgjedhor që e vërteton këtë. Kemi dhe atë që në matematikë quhet vërtetim nga e kundërta që se sa absurde del nëse ne do të zbatojmë interpretimin tuaj të kodit që pa asnjë lloj ankese dy anëtarë mund të hapin çdo lloj kutie. Këtë ju nuk e quani të vlefshëm. Kodi u ka dhënë garancitë dhe mënyra e fundit është Prokuroria e cila ka të drejtë t’i shkojë hetimit deri në fund.
Bashkim Fino, PS: Edhe unë nuk jam jurist si Paloka, por do flas politikisht. Dua dhe vëmendjen tuaj kryetar se vetëm te ju kam besim se mund të më dëgjoni tamam dhe të reagoni.
Aldo Bumçi, PD: As te kolegët tuaj nuk keni besim?
Bashkim Fino, PS: çfarë bëjnë të huajt me ne, më falni që po ua them por nga një palë zgjedhje në tjetrën tallen me ne, me fjalinë e famshme zgjedhjet këtë radhë ishin më të mira se herën e kaluar. Kjo është fjalia e çdo herë kur vijnë, marrin paratë ikin pasi kanë thënë këtë fjali, e cila interpretohet nga ata që fitojnë interpretohet si një arritje e jashtëzakonshme, nga ata që humbasin si një gjë që vërtet këtu ka probleme që duhen zgjidhur. Prandaj mendoj se ka ardhur momenti që ti japim një
zgjidhje me sinqeritet dhe jo me këtë strekëmbëshin që bëjmë këtu të aspektit ligjor, jo vendim Gjykate Kushtetuese, pse ky komision apo ai?.
Dashamir Peza, PS: Ne po kërkojmë të hyjmë në magazinën ku ruhet malli i dikujt tjetër, në magazinën ku ruhet vota e shqiptarëve. Nuk është pronë e atyre që ruajnë kutitë e votimit. Prona që është brenda është prona e popullit shqiptar.
Fatos Hoxha, PD: Nëse kërkoni absurdin me urdhër të kryetarit gaboni por dhe i hapni probleme ju dhe ne edhe shqiptarëve.
Edhe diskutimet tuaja ua kishte shkruar kryetari. Hiqni fjalën e kryetarit dhe thirrini logjikës. Qëllimi i liderit tuaj nuk
është njollosja e zgjedhjeve të kaluara, por qëllimi dhe beteja e tij përfundimtare është frika nga zgjedhjet e ardhshme. Prandaj mos u vini të gjithë në rreshtin e kryetarit, thirreni arsyes.
Damian Gjiknuri, PS: Insistimi me çdo kusht për të mos lejuar transparencën më kujton një shprehje të politikanit Gery Adams i cili ka thënë se “transparenca për dikë mund të jetë turpërimi për dikë tjetër”. Mbase kjo dilemë jep përgjigjen edhe për këmbënguljen tuaj për mos hapjen e kutive me çdo kusht e me çdo çmim pavarësisht nga ligji dhe kushtetuta. Si duket ka gjasa që produkti i ndodhur në kuti, të jetë si “kopili” i Ruzhdies, e pas kësaj ka gjasa të dalë edhe “babai i kopilit” dhe njëkohësisht “burri i Ruzhdies”, duke e bërë turpërimin e pashmangshëm. Duke e ditur këtë merak që mund të keni, unë them se ka hapësirë për kompromis që edhe “babai i vërtetë” të mos dalë, por edhe produktet e tipit Ruzhdie të largohen njëherë e mirë nga skena e zgjedhjeve shqiptare.
Fatmir Xhafaj, PS: Duke iu referuar saktësisht dispozitave të Kodit Zgjedhor rezulton se ka dy lloje kutish- Kutia e votimit me fletët e votimit dhe Kutia me materialet e votimit. Edhe nëse arsyetohet sipas pretendimit tuaj se “hapjen e kutive nuk e lejojnë vendimet gjyqësore”, një gjë e tillë do të rezultonte tërësisht e pasaktë, për shkak se mosmarrëveshja juridike në gjykatë ka qenë e lidhur me të drejtën procedurale për rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit dhe jo me kutitë e materialeve të votimit. Duke vijuar me këtë lloj arsyetimi, atëherë nuk do të rezultonte asnjë pengesë, të paktën, për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore, përderisa nuk ka një vendim gjykate, që të jetë shprehur për këto kuti. Jeni ju të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë ? Sigurisht që jo. Nuk ju lejon urdhri politik. Jemi para një sprove të vështirë. Dhuna e kartonit për ta rrëzuar iniciativën ligjore, deformimi i saj me akrobaci ligjore përmes amendamenteve shtesë të sajuara me ngut nga ana juaj apo edhe zvarritja e këtij procesi përmes trukeve ligjore do të ishin në çdo rast me pasoja të mëdha dhe do t’i shërbenin jo zgjidhjes, por zgjatjes së krizës. Zvarritja e çështjes është me pasoja dhe nuk i shërben zgjidhjes së krizës.
Ne jemi të hapur për negocim politik e ligjor për projektin tonë. Ne jemi të gatshëm që deri në momentin e fundit të negociojmë rreth iniciativës sonë, për të cilën ne jemi të lirë të vendosim në përmbajtje dhe në procedurë. Kjo frymë tolerance e konsensusi nuk është dobësi, por forcë, seriozitet e përgjegjshmëri. Rrëzimi i këtij projekti do të ishte një hap mbrapa me pasoja. Ne jemi të gatshëm të gjejmë pikëtakimet midis nesh për një zgjidhje konsensuale.
Ilir Rusmali, PD: Nëse Rama do na thoshte për shembull se Shqipërisë i ka ardhur koha që të ndryshojë sistemin e vet të menaxhimin e zgjedhjeve, të mos ta ketë më bipartizane, por zoti Rama i është shmangur me fanatizëm. Sikur qielli me tokën të përmbysen nuk e ndryshon sistemin bipartizan të menaxhimit. Nuk mund të pranojë që menaxhimi i zgjedhjeve të ardhshme të bëhet nga njerëz të tjerë përveçse nga komisionerët e vetë... ose që zgjedhjet e ardhshme t’i menaxhojë vetë Rama; të behët kryepërgjegjës, kryeadministrator i zgjedhjeve sikundër do të bëhet kryegjyqtar dhe kryeprokuror i zgjedhjeve në Shqipëri.
Unë besoj shumë se ne do ta gjejmë kompromisin lidhur me këtë projektligj. Shpresoj shumë se do ta kemi këtë mundësi, sepse sa herë ka pasur kriza politike në Shqipëri dhe gjetkë njerëzit e mençur zgjidhjen e krizave e kanë gjetur te ligji, te Kushtetuta e vendit, e kanë gjetur te rregulluat e lojës. Sa herë që krizat politike prodhohen për të ndryshuar me dhunë ligjin, Kushtetutën apo rregullat e lojës ato dështojnë dhe nuk janë jetëgjata. Unë besoj se në zgjidhjen e këtij problemi që na është shtruar si komision i ligjeve do ta gjejmë tek Kushtetuta, tek ligji, tek vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të ecim përpara jo vetëm në procesin e hetimit të zgjedhjeve, por me të gjitha proceset parlamentare që ne kemi.