E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Reformimi i inspektimit, pjesë e mbrojtjes së konsumatorit



Mbrojtja e konsumatorit, si një nga çështjet më të rëndësishme ka marrë vëmendjen e duhur të strukturave të qeverisë. Këtë garantoi dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti, i cili me rastin e ditës së Mbrojtjes së Konsumatorit ka theksuar se po ndërmerren një sërë masash nga ana e ekzekutivit duke shpjeguar më në detaj ato të Ministrisë së Ekonomisë. “Në kuadër të një reforme të gjerë dhe të thellë që është duke bërë Qeveria shqiptare, ne jemi duke reformuar të gjithë sistemin e inspektimit në të gjithë vendin. Në këtë reformë Ministrisë së Ekonomisë do t’i mbetet pjesa e mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit, kryesisht në aspektin teknik” tha Prifti gjatë aktivitetit organizuar nga ZMK. Reformimi i inspektimit sipas ministrit ka të bëjë me reduktimin e numrit të përgjithshëm të Inspektorateve në Shqipëri dhe krijimin e një Autoriteti mbikëqyrës për këto organe, që do të bëjë rakordimin në nivelin e Këshillit të Ministrave për të gjithë inspektoratet dikasterialë. Në mbështetje të mbrojtjes së Konsumatorit ministri Prifti ka prezantuar edhe një sërë nismash që do të merren nga ministria e tij për të qenë më afër problematikave. Hartimi i një formulari dhe një rubrike “Kontakto ministrin” që do të jenë online në uebin e ministrisë do të bëjë që ankesave t’ju jepet rëndësia e duhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›