E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Shkodër, për pazare me drejtësinë

Policia e Shkodrës ka ngritur akuzën "vrasje me dashje" ndaj kryetarit të Komunës Pult, i cili të hënën në mbrëmje qëlloi për vdekje me pistoletë 51-vjeçarin Dodë Hili. Ndërkohë, agjentët e policisë, gjatë gjithë mbrëmjes së të hënës dhe orëve të para të së martës, kanë mbajtur nën vëzhgim banesat e dy familjeve të përfshira në konflikt. Frika për ndonjë hakmarrje të mundshme mes dy familjeve me origjinë nga Dukagjini ka bërë që policia të tregohet e vëmendshme për të parandaluar vazhdimin e konfliktit. Ndërkohë janë zbuluar detajet e ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e së hënës në Shkodër, ku si pasojë e goditjeve me thikë mbeti i plagosur kryetari i Komunës Pult, Martin Cubi dhe më pas nga ky i fundit u qëllua për vdekje me armë zjarri agresori Dodë Hili. Policia ka zbardhur detajet e nisjes së këtij sherri banal që pati për bilanc një të vdekur dhe një të plagosur. Burime konfidenciale nga policia pohuan për "Shqip" se Martin Cubi ka deklaruar që debati ka nisur pasi viktima Dodë Hili e ka thirrur kryetarin e komunës duke i thënë: "Nuk po bën mirë që po mundohesh të nxjerrësh me lekë nga burgu gjakësin tim". Kreu i Komunës Pult, Martin Cubi, i është përgjigjur se nuk është e vërtetë një gjë e tillë dhe e ka ftuar ta diskutojnë këtë thashethem një ditë tjetër, kur të ishte më i qetë. Më pas, Cubi është larguar pak metra për të pirë kafe me një mikun e tij. Pasi kanë mbaruar, në momentin kur kryetari i komunës ka shkuar për të paguar te kamerieri, është afruar 51-vjeçari Hili, i cili e ka goditur nga pas me thikë, fillimisht në pjesën e qafës dhe më pas agresori ka vazhduar duke e goditur sërish. Në atë moment, Martin Cubi ka nxjerrë pistoletën që mbante me vete dhe ka zbrazur gjashtë plumba mbi trupin e 51-vjeçarit Dodë Hili. Ndërkohë mësohet se kryetari i Komunës, Martin Cubi, ka kaluar rrezikun për jetën dhe aktualisht vazhdon të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve të spitalit rajonal të Shkodrës, ku ruhet nga policia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›