E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat për kartat e identitetit, arrihet pakti

Qytetarët shqiptarë pa pasaporta pritet të paguajnë vetëm 200 lekë të reja për kartën e identitetit, ndërsa pjesën tjetër do ia paguajnë shtetit pas 6 muajsh. Ky është thelbi i një vendimi të ri të Këshillit të Ministrave, që pritet të miratohet shumë shpejt, si rezultat i negociatave me Partinë Socialiste dhe faktorin ndërkombëtar. Sipas këtij vendimi, qytetarët duhet të paguajnë pjesën e mbetur të shumës, në të kundërt mbeten debitorë ndaj shtetit. Ndërkohë, VKM-ja e re për kartat e identitetit pritet të mos prekë skemat aktuale të subvencionit të ndërmarra nga qeveria, të cilat do të vijojnë të funksionojnë si më parë. Sakaq, qytetarët, të cilët kanë pasaporta, nuk mund të aplikojnë për karta identiteti deri më 1 korrik 2009. Ky vendim është marrë në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar mbrëmjen e së hënës. Këshilli i Ministrave ka vendosur të shtyjë afatin e aplikimit për ata që kanë pasaporta edhe për dy muaj të tjerë, për t‘u lënë hapësirë dhe mundësi veprimi për të aplikuar për karta identiteti atyre shtetasve të cilët nuk kanë pasaporta. Gjithashtu, vendimi i dytë që ka nxjerrë qeveria është se të gjithë ata persona të cilët nuk kishin aplikuar deri më datë 15 prill për kartë identiteti dhe do të përballeshin me sanksione, u shtyhet ky afat deri më 30 prill, duke u lënë kështu edhe dy ditë kohë që të aplikojnë për të mos u përballur me ndëshkimet e qeverisë. Gjithashtu qeveria ka nxjerrë të hënën edhe një vendim tjetër të rëndësishëm, me anë të të cilit detyron të gjitha institucionet publike dhe jopublike të njohin përdorimin e kartave të reja të identitetit. Në vendimin e qeverisë thuhet se "institucionet, publike dhe jopublike, vendase e të huaja, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do ta njohin si dokument identifikimi letërnjoftimin, sipas modelit të paraqitur". Ndërsa certifikata personale me fotografi do të përdoret si dokument identifikimi vetëm për shtetasit nën moshën 16 vjeç. Në bazë të vendimit të qeverisë, institucionet mbajnë shënim numrin personal dhe numrin e letërnjoftimit, si dhe mund të bëjnë fotokopje të letërnjoftimit të shtetasve, të cilëve u shërbejnë, nëse u nevojitet ky dokument si pjesë përbërëse e praktikës përkatëse. Në rastet kur shtetasit nuk disponojnë letërnjoftim për arsye të justifikuara, lejohet përdorimi i certifikatës personale me fotografi, si dokument identifikimi, deri më 31 dhjetor 2009, në përputhje me dispozitat e parashikuara në aktet e tjera, ligjore dhe nënligjore. Gjithashtu qeveria do të marrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë atyre punonjësve të institucioneve publike dhe jopublike, vendase, në rast të moszbatimit të dispozitave të parashikuara në këtë vendim. Masat disiplinore fillimisht do të jenë gjoba me vlerë gjysmën e pagës dhe në rast të përsëritjes së veprimit gjoba do të jetë me vlerën e një page të plotë dhe nëse ripërsëritet atëherë ndaj personit do të merret masa e pezullimit nga detyra. Ky vendim i qeverisë vjen pasi shtimit të ankesave nga ana e qytetarëve shqiptarë, të cilëve nuk u njihej karta e re e identitetit dhe për të përfunduar punë e për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar në institucione të ndryshme, u duhej të paraqisnin sërish certifikata me fotografi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›