PS: Fletët e votimit të shtypen jashtë shtetit
Partia Socialiste iu drejtua dje me një letër zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me procesin e shtypjes së fletëve të votimit. Zyrtarë të selisë rozë kanë artikuluar në kërkesën e tyre shqetësimin lidhur me këtë proces që, sipas tyre, meriton vëmendjen e KQZ-së. "Kjo çështje bëhet edhe më e mprehtë nga aplikimi i sistemit të ri elektoral, pasi mungesa e integritetit në prodhim dhe shpërndarjen e fletëve, çdo rrjedhje e tyre në mënyrë të paautorizuar do të ndikonte thelbësisht në ndershmërinë e procesit zgjedhor. Në të tilla kushte kërkojmë nga KQZ-ja që fletët e votimit të printohen në një shtypshkronjë jashtë vendit, siç është bërë në të gjitha zgjedhjet e mëparshme me përjashtim të atyre të vitit 2005", thuhet në letër. Socialistët, në kërkesën e tyre, thonë se kjo gjë është lehtësisht e realizueshme nga KQZ-ja nëse në procedura ftohen vetëm shoqëri të huaja me eksperiencë në këtë fushë. Argumenti tjetër është se printimi i fletëve të votimit konsiderohet si një nga proceset më delikate, i cili kërkon transparencë dhe besueshmëri. "Vetëm duke u realizuar jashtë vendit do të gjejë konsensusin e palëve", thuhet në letër. Partia Socialiste në fund të kërkesës së saj thotë gjithashtu se është në pritje të këtij procesi dhe se çdo neglizhim sipas kësaj kërkesë do të cenonte klimën e besimit.