PS-PD, "luftë" për sheshin e mitingut
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mbyllin sot pasdite fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Policia e Tiranës përmes një shkrese zyrtare ka njoftuar vetëm mbrëmë zhvendosjen e mitingut të PS nga hapësira përpara Kryeministrisë te sheshi "Nënë Tereza". Deri në orët e vona të ditës së djeshme u zhvilluan përgatitjet për anën dekorative dhe montimin e skenografisë. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste patën një incident me policinë e Tiranës. Disa punonjës të bashkisë së kryeqytetit kishin nisur vendosjen e materialeve për tribunën ku Partia Socialiste do të mbante mitingun përmbyllës të fushatës elektorale. Policia e Tiranës ka penguar punonjësit e bashkisë në vendosjen e materialeve, ndërsa situata kaloi në incident pas kundërshtimeve të militantëve dhe kandidatëve socialistë për deputetë. Policia tha se ka dhënë leje për një miting të PS-së ditën e sotme, më 26 qershor 2009 dhe për këtë shkak, aktiviteti i ditës së djeshme ishte penguar, pasi ka qenë jashtë parashikimeve ligjore dhe i palajmëruar. Ndërkaq, përfaqësuesit e Partisë Socialiste akuzuan policinë se veproi me urdhra politikë. Ata thanë se policisë i është kërkuar leje një javë më parë (më 17 qershor) për zhvillimin e mitingut ndërsa është kthyer përgjigje jashtë të gjitha afateve ligjore. Pavarësisht incidentit, vendosja e pajisjeve për tribunën e mitingut përmbyllës të PS-së vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes. I pranishëm në atë çka ndodhte në bulevardin kryesor ishte edhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, i cili mësohet të ketë qenë i shoqëruar nga vëzhguesja kryesore e Këshillit të Europës për zgjedhjet shqiptare. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste thanë se kishin respektuar afatet ligjore dhe se policia nuk kishte kthyer asnjë përgjigje deri më sot. Në shkresën e Drejtorisë së Policisë së Tiranës me numër protokolli 4498, datë 25 qershor konstatohej fakti se tubimi i parashikuar nga PS, ka një shtrirje nga godina e Kryeministrisë e deri në afërsi të Galerisë së Arteve Figurative. "Pothuajse në të njëjtin orar, zhvillohet edhe një tubim tjetër i organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, në sheshin "Skënderbej". Ekziston mundësia e pjesëmarrjes së një numri të konsiderueshëm të mbështetësve të subjekteve politike, në tubimet respektive. Ekziston edhe rreziku i cenimeve të rënda të rendit publik si rezultat i zhvillimit të tubimeve dhe pamundësia e policisë për menaxhimin e bllokimin e turmave të përmasave të mëdha", shkruhet në letrën e Tonin Vocajt për Edi Ramën. Bazuar mbi këto arsye, policia e Tiranës thotë se ka vendosur të ndalojë zhvillimin e tubimit në vendin e kërkuar nga PS në shkresat e datës 17 dhe 25.06.2009. Në këtë shkresë, policia informon se ka vendosur të garantojë zhvillimin normal të tubimit të kërkuar, në sheshin "Nënë Tereza" dhe në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" deri te kryqëzimi i këtij bulevardi me rrugën "Ismail Qemali", në të njëjtën orë dhe datë, të kërkuar nga ana e PS. Sot pritet të shihet se si do veprojnë dy forcat politike kryesore për mbajtjen e mitingjeve dhe cili do të jetë roli i policisë. Teksa Partia Socialiste do insistojë të qëndrojë përpara Kryeministrisë në orën 20.00, Partia Demokratike do t‘u drejtohet shqiptarëve nga sheshi "Skënderbej". Arsyeja e vërtetë e pretenduar nga opozita është se itinerari i demokratëve kishte përfshirë nisjen nga Kryeministria drejt sheshit "Skënderbej" ndaj policia e Tiranës ishte urdhëruar të largonin mitingun e PS-së.
Vizita
Fushata e PS,
Papandreu në Tiranë
Burimet pranë partisë kryesore të së majtës thanë se është planifikuar mbërritja në Tiranë e George Papandreut, drejtuesit të Pasokut në Greqi. Mësohet se ai nuk do të mbajë fjalë në mitingun përmbyllës të fushatës së socialistëve, por do të zhvillojë një takim gjatë ditës me kreun e socialistëve shqiptarë Edi Rama. Është e disata herë që Papandreu vjen në Shqipëri në mbështetje të Partisë Socialiste. Sakaq, demokratët do t‘i ofrojnë publikut grupin "Modern Talking" i cili do këndojë direkt këngën e fushatës në "Sheshin Skënderbej". Në këtë frymë festive, dy partitë e mëdha do t‘u drejtohen zgjedhësve për t‘u marrë votën në ditën e diel.
Vizita
Fushata e PS,
Papandreu në Tiranë
Burimet pranë partisë kryesore të së majtës thanë se është planifikuar mbërritja në Tiranë e George Papandreut, drejtuesit të Pasokut në Greqi. Mësohet se ai nuk do të mbajë fjalë në mitingun përmbyllës të fushatës së socialistëve, por do të zhvillojë një takim gjatë ditës me kreun e socialistëve shqiptarë Edi Rama. Është e disata herë që Papandreu vjen në Shqipëri në mbështetje të Partisë Socialiste. Sakaq, demokratët do t‘i ofrojnë publikut grupin "Modern Talking" i cili do këndojë direkt këngën e fushatës në "Sheshin Skënderbej". Në këtë frymë festive, dy partitë e mëdha do t‘u drejtohen zgjedhësve për t‘u marrë votën në ditën e diel.