E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI mbyll fushatën: Të largojmë Berishën

Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbyllur fushatën elektorale dje në sheshin "Skënderbej". Nën moton "Koha për Veprim", kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u ka bërë thirrje shqiptarëve që me 28 qershor të votojnë për LSI-në dhe koalicionin e saj për të garantuar një jetë më të mirë për shqiptarët. Gjatë fjalës së tij, Meta ka theksuar se "ne do të fitojmë sepse Berisha nuk pati kurajën të dilte në debat televiziv përballë kryetarit tuaj, Ilir Meta". Alternativa jonë, tha kreu i LSI-së, është më e mira dhe më e sinqerta dhe në thelbin e saj ka dashuri për Shqipërinë dhe jo urrejtje për qytetarin e thjeshtë. Ne do të fitojmë, tha Meta, sepse Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe me njerëz të mrekullueshëm që kërkon një qeveri të mrekullueshme më 28 qershor, që mund ta drejtojë vetëm alternativa jonë. Shqiptarët do të votojnë për alternativën që i duhet Shqipërisë për alternativën e Ilir Metës që i bën shqiptarët me Shqipëri të qëndrueshëm dhe që nuk e kthen Shqipërinë në çiflig të fazlliçëve siç ka bërë Berisha. "Shqipëria është në krizë dhe ka nevojë për një program konkret që e nxjerr nga kriza. Shqipëria nuk ka nevojë për një diktator që sëmur popullin e tij", konstatoi Meta. Më tej, kreu i LSI-së theksoi se më 28 qershor Shqipëria do të votojë për largimin e Berishës nga pushteti dhe politika njëherë e përgjithmonë. "Më 29 qershor për fitoren e LSI dhe të Aleancës Socialiste për Integrim dhe për fitoren e gjithë socialistëve kudo që janë se me Ilir Metën do nënshkruajnë anëtarësimin në BE deri më 2013", tha ai. Ne, u shpreh Meta më tej, do të fitojmë, sepse këto katër vjet janë vendimtarë për të ardhmen e vendit tonë për të ardhmen e ekonomisë shqiptare. "Do të fitojmë, sepse këto katër vjet janë vendimtarë për të shpëtuar biznesin shqiptar nga falimentimi dhe nga konkurrenca e pandershme. Kemi programin më të thjeshtë dhe më të qartë. Kemi atë që i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve, kemi programin për punësimin e qëndrueshëm të 100 mijë shqiptarëve", u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›