Harasani: Procedurat e tenderave, në kundërshtim me ligjin
Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, referuar raportit vjetor të institucionit të Avokatit të Prokurimeve, deklaroi dje se në të ngrihen mjaft shqetësime që lidhen me korrupsionin. Në një konferencë për shtyp, Harasani tha se autoritetet kontraktore zhvillojnë procedura prokurimi në kundërshtim me kriteret ligjore të përcaktimit të fondit limit apo kur këto fonde nuk janë fare në dispozicion! Sipas tij, autoritetet kontraktore nuk zbatojnë kriteret ligjore për hartimin e dokumenteve të tenderit dhe zhvillimin e procedurave në afatin e caktuar. “Procedurat e aplikimit zhvillohen me mangësi, pasi nuk mbahen procesverbalet në përputhje me kërkesat e përcaktuara në rregullat e prokurimit publik, shembuj të plotë nga Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare etj. afrohen në raport”, - tha ai. Ndër të tjera, Harasani vuri në dukje se autoritetet kontraktore, gjatë shqyrtimit të ofertave kualifikojnë dhe favorizojnë operatorë ekonomikë të cilët as që i përmbushin kriteret kualifikuese. Ministria e Mbrojtjes, e Ekonomisë dhe ajo e Shëndetësisë janë kampionet, të cilat ripërsëriten në këtë raport për mosrespektime dhe favorizime në proceset tenderuese.
9 anëtarë të LSI-së bashkohen me PS-në
Nëntë drejtues lokalë të Lëvizjes Socialiste për Integrim të rrethit të Pukës dorëzuan dje teserën e anëtarit të kësaj partie për t’iu bashkuar Partisë Socialiste. Ish-nënkryetarja e LSI-së në Pukë, Naxhije Bahja, dhe anëtarët Ismete Asllani, Ndue Dodani, Prend Ndreu; kryetari i LSI-së i komunës Rrapaj Ylmi Islami; kryetari i partisë i komunës Fierzë, Marash Muçaj; kryetari i Fushë-Arrëzit, Mark Topjani; Jorxhi Dodani dhe Julian Hasani i janë shtuar listës së anëtarëve të partisë më të madhe në opozitë, PS-së. Deklarimi është bërë publik gjatë mbledhjes së zhvilluar në rrethin verior. Nënkryetarja e LSI-së, Naxhije Brahja, tha se “ndryshimi i madh që i duhet Shqipërisë po pengohet nga Ilir Meta i cili për interesa personale po i shërben Berishës”.
Pak ditë më parë, 24 anëtarë të komitetit drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zonën e Kamzës braktisën LSI-në, duke akuzuar kryetarin Meta për bashkëpunim me Berishën.