Manjani: Raporti për drejtësinë, e paralajmëruam
Një ditë pas publikimit të raportit të Bashkimit Evropian për drejtësinë në Shqipëri, Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë, duke nënvizuar se të gjitha parashikimet në raport ishin të paralajmëruara edhe më parë.
Kryetari i komisionit të ligjeve në këtë parti, Ylli Manjani, u shpreh se PS-ja ka shprehur shqetësim të vazhdueshëm në lidhje me ndërhyrjet politike të Kryeministrit në çështjet ligjore, por sipas tij, Berisha u është përgjigjur kritikave me sulme ndaj sistemit gjyqësor. “Shqetësimit tonë Sali Berisha i është përgjigjur me rritjen e sulmeve ndaj gjyqësorit, duke bërë që ky i fundit sot të perceptohet nga shqiptarët gjithnjë e më pak i besueshëm. Për shkak të politikës së mbrapshtë të Sali Berishës në menaxhimin e shërbimeve ligjore, sot gjykatat janë më tepër fiksion sesa realitet juridik”, - theksoi Manjani. Ndërkaq, PS-ja deklaroi se “Kryeministri Berisha ka shkatërruar çdo element të pavarësimit të sistemit të drejtësisë, duke futur politikën e tij në çdo dosje gjyqi apo hetimi”.
Ndër të tjera, Manjani ka deklaruar se qeveria ka 4 vjet që prodhon vetëm legjislacion antikushtetues dhe antidemokratik.
“Që prej shtatorit 2005 e deri më sot, qeveria e Sali Berishës ka prodhuar me shumicë legjislacion antikushtetues e antidemokratik. Ligjet e Sali Berishës anashkaluan hapur në disa raste pushtetin gjyqësor, me qëllimin e vetëm që të rritin pushtetin e tij personal”, - theksohet në deklaratën e sekretarit ligjor të Partisë Socialiste.