Doris Pak; Qytetarët të shkojnë të aplikojnë për kartat
Kryetarja e delegacionit të eurodeputetëve, Doris Pak, zhvilloi një përmbledhje të takimeve të saj zyrtare në Tiranë, duke dhënë paralajmërimet e para. I pari ishte për opozitën, e cila ka lëshuar akuza ndaj procesit të kartave të identitetit. Paku tha se opozita duhet të nxisë qytetarët të shkojnë të bëjnë aplikimin. Sipas saj, në asnjë vend të botës, karta nuk është dhënë falas, për më tepër në Shqipëri janë më të lirat
Pak, “shuplakë” për opozitën. Kryetarja e delegacionit të eurodeputetëve nuk është pajtuar me qëndrimet e opozitës për sa i përket procesit të letërnjoftimeve të reja si dhe propozimin për t’i dhënë falas. Doris Pak dha dje një konferencë për shtyp, duke bërë një konkluzion në lidhje me procesin paraelektoral në Shqipëri. Ajo u shpreh se nuk pajtohet me qëndrimet e opozitës për procesin e letërnjoftimeve të reja, si dhe kërkoi nga politika të bëjnë thirrje masive për qytetarët që të shkojnë të bëjnë aplikimin. “Nuk mendoj se opozita shqiptare duhet të vazhdojë t'u thotë njerëzve që prisni edhe pak, se pas disa muajsh ato do të jenë pa para. Qytetarët duhet të shkojnë e të aplikojnë për kartat”, - deklaroi Pak.
Ajo shtoi se letërnjoftimet e reja në Shqipëri janë tepër të lira në krahasim me vendet e tjera dhe asnjëherë nuk janë ndarë falas. “Sot ekziston mundësia për të marrë kartat e identitetit, për të cilat shqiptarëve iu desh kohë të presin. Tani është një fat që mund t'i marrin. Kartat e identitetit kushtojnë shumë pak, krahasuar me të gjitha vendet e tjera, vetëm 10 euro dhe kjo nuk është shumë, kur mendon se bëhet fjalë për një kartë identiteti që vlen për gjithë jetën”, - tha Pak.
Duke qëndruar më shumë në këtë çështje, Pak tha se për mjaft shtresa çmimi i kartës është ulur. “Nëse ka njeri që nuk e paguan dot me këtë çmim, ta deklarojë, por ne nuk duhet të krijojmë përshtypje që kartat mund të jepen pa para”, - tha eurodeputetja, duke bërë thirrje që procesi duhet të ecë para, pasi letërnjoftimet e reja do të jenë të vlefshme për gjithë jetën dhe të domosdoshme për liberalizimin e vizave. “Kjo ka shumë rëndësi për sa i takon liberalizimit të vizave”, - shtoi Pak. Në konferencën për shtyp të Pakut ndodheshin disa deputetë. Të gjithë u pajtuan me qëndrimet e saj me përdatshim të deputetit të PS-së, Taulant Balla, i cili e lexoi deklaratën e Pakut si mbështetje të propozimeve të PS-së për të marrë të gjithë karta falas.
Eurodeputetja foli më tej në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ajo tha se vendi është në rrugë të mbarë, por kërkoi më shumë punë. Paku nuk dha një datë konkrete, por vlerësoi punën e qeverisë dhe konsensusin e dhënë nga ana e opozitës. “Fakti që Shqipëria ka plotësuar detyrimet për të qenë anëtare e NATO-s, është një arritje e madhe për të cilën duhet të jeni krenarë”, - tha Pak. Në përfundim të deklaratës së saj, Pak ribëri thirrje për punë nga ana e gjithë faktorit politik dhe institucional. “Shqipëria është në rrugën e duhur. Nëse qeveria dhe Parlamenti përshpejtojnë punën dhe ju atëherë do të bëni një përparim më të madh. Duhet të punoni dhe jo të rrini e të prisni. Ne nuk do të japim asnjë datë para se ju të keni përmbushur piketat që ju kemi vendosur dhe kjo nuk është vetëm për ju, por vlen për të gjitha vendet e rajonit”, - deklaroi eurodeputetja Doris Pak, në përfundim të bisedimeve me autoritetet shqiptare.
Meta, thirrje qytetarëve të pajisen me kartë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pas takimit me eurodeputeten Doris Pak, bëri thirrje për qytetarët që të shkojnë të bëjnë aplikimet për letërnjoftimet. “Njëkohësisht, ne, pas takimeve që kemi zhvilluar edhe me ODIHR-in, presim edhe një mendim apo sugjerim të tyre lidhur me çështjen e kartave të identitetit dhe pavarësisht nga kjo, unë mendoj se ne duhet të kërkojmë nga të gjithë qytetarët shqiptarë që të angazhohen për të aplikuar në kohë dhe për t’u pajisur me karta identiteti sa më shpejt, para zgjedhjeve, pasi natyrisht ky është një proces i cili duhet të përparojë”, - deklaroi Meta. Ai tha se për të motivuar qytetarët, do të shkojë personalisht të bëjë aplikimin ndonëse ka pasaportë diplomatike. “Pavarësisht nga kjo, unë ditën e hënë do të aplikoj për kartë identiteti personalisht, për t’u bërë thirrje të gjithëve që të aplikojnë dhe të pajisen me karta, pavarësisht se personalisht kam edhe pasaportë diplomatike. Mendoj se është një detyrë qytetare për t’u pajisur me karta identiteti”, - tha Meta.
MB: Aplikimet, mbi 300 mijë
Ministria e Brendshme informoi dje se janë kryer aktualisht mbi 300 mijë aplikime për letërnjoftime. “Ministria e Brendshme informon opinionin publik në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, se deri ditën e djeshme, datë 19 mars 2009, rezulton se kanë aplikuar 301 776 persona dhe janë prodhuar 200 094 letërnjoftime elektronike. Intensiteti i aplikimit është në rritje nga dita në ditë. Aktualisht, bëhen 13 mijë aplikime në ditë. Po ashtu, intensiteti i prodhimit të kartave po shkon drejt kapacitetit maksimal. Aktualisht po prodhohen 16 mijë letërnjoftime elektronike në ditë”, - tha zëdhënësi Fatmir Konja. Ai bëri thirrje për qytetarët të paraqiten për të bërë aplikimet. “Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve që nuk zotërojnë pasaportë për udhëtim jashtë shtetit, të drejtohen sa më parë tek qendrat e aplikimit për letërnjoftime elektronike”, - tha Konja.
Bumçi: Rama të nxisë qytetarët për kartat
Zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, reagoi dje duke i bërë thirrje Edi Ramës dhe PS-së që “të nxisë qytetarët të bëjnë aplikimin për karta identiteti”. Bumçi tha se qëndrimi i Ramës është i papranueshëm. Deputeti i PD-së tha më tej se procesi po ecën normalisht. Ai shtoi se për herë të parë qytetarët po pajisen me letërnjoftim dhe pasaportë biometrike të niveleve më të larta teknologjike. Bumçi shtoi se procesi është mbështetur nga qytetarët pasi janë shënuar nivele të larta të aplikimit. Ai bëri thirrje për qytetarët të shkojnë sa më parë për të bërë aplikimin në zyrat përkatëse.
Topi pret zëvendëssekretarin e OKB-së, Ad Melkert.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje zëvendëssekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ad Melkert, njëkohësisht drejtues i PNUD-it. Në vijim të takimit, Kryetari i Shtetit bëri një panoramë të zhvillimeve dhe të arritjeve të vendit tonë në drejtim të përmbushjes së aspiratës më të madhe, asaj të anëtarësimit me të drejta të plota në NATO e të integrimit në Bashkimin Evropian. “Ne i konsiderojmë këto dy procese jetike për të ardhmen e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, ndaj dhe jemi të sigurt në rrugën tonë dhe të ndërgjegjshëm për sfidat që duhet të përballim përgjatë saj”, - tha Topi. Gjatë bashkëbisedimit, Topi u ndal në disa prej momenteve më të rëndësishme të reformës në sistemin gjyqësor në vendin tonë, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, të zhvillimeve më aktuale politike e ekonomike, të përpjekjeve për të zvogëluar varfërinë dhe zhdukur pabarazinë gjinore, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave.
Biberaj: Të aplikohet “një anëtar - një votë” në PD
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, deklaroi dje se është i mundshëm të aplikohet parimi “një anëtar - një votë” në Partinë Demokratike. “Lidershipi i ri i PD-së Tiranë mund të zgjidhet me parimin ‘një anëtar - një votë’, duke u nisur jo vetëm nga rëndësia që ka Tirana, por edhe me qëllim që të fillojë aplikimi i këtij parimi demokratik, si dhe të implementohet një konkurrencë reale ndërmjet kandidatëve, me qëllim fitoren e më të mirit”, - tha Biberaj, duke shtuar se zbatimi i këtij parimi do ta gjallëronte PD-në. “Aplikimi i këtij parimi do të rriste ndjeshëm demokracinë dhe transparencën brenda partisë, do të çlironte shumë energji pozitive, si dhe do të krijonte një klimë bashkëpunimi dhe uniteti, gjë kjo tepër e domosdoshme në prag fushate elektorale”, - tha Biberaj.