PS-ja sulmon Doris Pakun për kartat
Partia Socialiste reagoi menjëherë dje, pasi kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pak, deklaroi se kartat e identitetit nuk duhet të jepen falas sikundër kërkon opozita. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në selinë rozë, Arta Dade, theksoi se deklarata e Pakut është mendim personal dhe nuk përbën qëndrim zyrtar të institucionit që ajo përfaqëson. “Me qëndrimet jozyrtare të Doris Pakut jemi mësuar jo ne, por gjithë Shqipëria. Prononcimi i saj i sotëm shpreh një qëndrim personal, por jo qëndrimin e deklaratës zyrtare”, - tha Dade. Dade iu referua disa citimeve në deklaratën zyrtare për t’iu kundërvënë deklaratës së Pakut. Sipas saj, në deklaratën zyrtare thuhet se “lehtësira të tjera financiare duhet të propozohen për qytetarët që u përkasin kategorive të paavantazhuara dhe vulnerabël” (pra, me të ardhura të pakta). Ndaj Dade deklaroi më tej se shqetësimi i PS-së është kuptuar drejt. Nisur nga kjo, pavarësisht mendimit të një prej zyrtarëve më të lartë të Parlamentit Evropian, socialistët nuk tërhiqen nga kërkesa që, sipas tyre, duhet të kthehet në ligj sa më parë. “Ne ripërsërisim propozimin tonë për pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit falas, si të vetmen zgjidhje për të mos u hequr qindra mijëra votuesve me të ardhura të pakta financiare të drejtën e votës e për të shmangur dështimin e zgjedhjeve. Kjo për ne nuk është ende një betejë kundër palës tjetër, por një betejë që duam ta bëjmë bashkë me palën tjetër për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - tha Dade. Në një konferencë për shtyp, Pak i dha një shuplakë idesë së PS-së për të dhënë karta identiteti falas, sidomos për ata shtetas që nuk kanë pasaportë. Paku i kërkoi klasës politike shqiptare dhe medias që të sensibilizojnë qytetarët për të aplikuar. “Askush nuk mund të shpërndajë karta falas”, - tha Pak, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë negativisht kërkesës së Partisë Socialiste. Madje, sipas zyrtares së PE-së, çmimi i vendosur nga qeveria shqiptare është mjaft i ulët.