Ndahen 170 leje legalizimi në Lezhë
ALUIZNI shpërndau dje170 leje legalizimi në qarkun e Lezhës. Në takimin e organizuar ka marrë pjesë drejtori i ALUIZNI-t, Shaban Memia. Lejet u ndanë për qytetarët e pranishëm. Memia tha se informaliteti është tumor që mban në agoni ekonominë dhe familjet shqiptare. Qeveria me reformën e ndërmarrë po e ndan përfundimisht Shqipërinë nga kjo agoni dhe po formalizon ekonominë. Sipas tij, reforma është në hapat e saj përfundimtare dhe procesi po ecën me ritme të shpejta. Qarku Lezhë është një hap përpara me procesin, pasi për 110 objekte në këtë qark është bërë dhe regjistrimi në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Në qarkun e Lezhës janë deklaruar 10. 900 objekte informale. Janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhurnimi për 7600 objekte, nga të cilat 5400 objekte janë me dokumentacion teknik të dixhitalizuar, pra është kryer e gjithë procedura ligjore. Janë të gatshme për qytetarët 1600 “Leje Legalizimi”, të cilët mund t’i tërheqin, pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin sipas ligjit. Ndërsa, për 640 objekte është përfunduar i gjithë procesi dhe po bëhet lëvrimi i lejeve.