Burgjet, akordohen leje për të dënuarit e krishterë e ortodoksë
Si çdo vit, por edhe si çdo festë, burgjet kanë akorduar për të dënuarit leje për të festuar Krishtlindjet pranë familjeve të tyre. Në këtë ditë të veçantë, siç janë festat e Krishtlindjeve, përparësi kanë pasur të dënuarit që plotësojnë kushtet për t’u pajisur me leje, si dhe u përkasin besimeve të krishterë dhe ortodoksë. Gjithashtu, nga ana e burgjeve u janë dhënë leje edhe mjaft të dënuarve të tjerë, të cilët do të festojnë festat e fundvitit pranë familjeve. Burime nga burgjet bënë të ditur se qysh dje ka nisur edhe dorëzimi i kërkesave nga ana e të dënuarve për të marrë disa ditë leje për festën e Vitit të Ri, ndërkohë që dy ditë më parë u është dhënë leje për të qenë pranë familjeve atyre që festojnë Krishtlindjet. Këto kërkesa do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme. Ndërsa nga ana tjetër mësohet se drejtorët përkatës të burgjeve, pasi të shqyrtojnë një për një të gjitha kërkesat, bëjnë përzgjedhjet në bazë të kritereve, por edhe besueshmërisë për rikthim sërish në qelitë e burgut. Mësohet se prioritet do t’u jepen të dënuarve, të cilëve iu ka mbetur deri në 3 vjet heqje lirie për të shlyer, si dhe që kanë pasur sjellje të mirë gjatë këtij viti. Të gjithë personat që plotësojnë kërkesat për leje në fundvit do të kenë mundësinë, për të kaluar fundvitin pranë familjeve të tyre. Ndërsa mësohet se këtyre të dënuarve do t’u jepet e drejta, që të qëndrojnë pranë familjeve deri në katër ditë, por nuk përjashtohen edhe rastet që disa prej të dënuarve të përfitojnë disa ditë leje edhe më shumë. Gjithashtu, burimet bënë me dije se dhëniet e lejeve do të nisin që prej datës 30 dhjetor, por do të ketë edhe raste që do të kenë mundësi të marrin leje në datën 31 dhjetor. Të gjithë të dënuarit do të rikthehen në burgun ku edhe vuajnë dënimin e tyre në varësi të orës që iu është caktuar. Kryesisht rikthimi në qelitë e tyre do të bëhet pas datës 2 janar e në vazhdim, kjo në varësi të ditëve që do të përfitojnë.