Berisha, mediave ruse: Pranojmë një bazë raketash nga SHBA-të
“Shqipëria, ende asnjë kërkesë nga SHBA-të”
“Por jemi të vendosur për ngritjen e bazës”
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, nuk ka ngurruar t’i bëjë të ditur Rusisë përmes agjencisë së lajmeve Itar-Tass se Shqipëria do të pranonte ngritjen e një baze raketash nga amerikanët në territorin e saj, por duke pohuar se SHBA-të s'e kanë bërë ende një kërkesë të tillë për palën shqiptare. Gjithsesi, Shqipëria nuk është kundër vendosjes së ngritjes së një baze raketore të SHBA-ve në territorin e saj. “Shqipëria nuk ka marrë ende ndonjë kërkesë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por shteti shqiptar shprehet i vendosur që në rast se do të bëhej një e tillë, përgjigja do të ishte po”, - tha Berisha. Këtë përgjigje Kryeministri shqiptar e bëri kur e pyetën për të komentuar raportet e medias së Uashingtonit se ndër mundësitë për zgjedhje për të ngritur baza të tilla ishin vende si Shqipëria, Polonia dhe Republika Çeke. Berisha bëri të qartë se "si një vend anëtar i NATO-s dhe si një partner strategjik i SHBA-ve, Shqipëria do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës që do të mund të na bënin amerikanët”. Sipas tij, ky do të ishte dhe kontributi i Shqipërisë për ruajtjen e sigurisë në botë. Kryeministri Berisha kujtoi për agjencinë ruse Itar-Tass se NATO-ja nënshkroi protokollet e pranimit të Shqipërisë në strukturat e saj më 9 korrik 2008 dhe se Shqipëria aspiron që në samitin e Strasburgut të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. Pak ditë më parë, për mediat shqiptare, Berisha sqaroi pozicionin e Shqipërisë dhe domethënien e shtypit ndërkombëtar për përdorimin e Shqipërisë për ngritjen e një baze raketash. “Si anëtare e ardhshme e NATO-s, Shqipëria do të përmbushë çdo detyrim ndaj Aleancës dhe si vend që ka si prioritet më të madh marrëdhëniet me SHBA-të, Shqipëria absolutisht shqyrton dhe do të shqyrtojë me seriozitetin më të madh çdo kërkesë të këtij vendi mik, i cili punon për paqen dhe sigurinë në botë. Edhe një herë e theksoj se nuk ka asnjë kërkesë, por nuk mund të ketë mëdyshje se marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara janë marrëdhënie të një rëndësie më parësore, edhe në fushën e sigurisë, edhe në fusha të tjera”, - theksoi z. Berisha. Në gusht të vitit 2008, SHBA-të dhe Polonia nënshkruan një marrëveshje zyrtare për vendosjen e 10 bazave raketore interceptors në territorin e Polonisë, pjesë kjo e një sistemi më të madh që do të përfshinte një sistem radari në Republikën Çeke. Rusia ka qenë gjithmonë kundër SHBA-ve, sa i përket planit për baza raketore. Për këtë Rusia ka kërcënuar se do të dërgojë një sistem të raketave me rreze të shkurtër në Kaliningrad, në kufi me polakët si kundërpërgjigje ndaj Polonisë. Më 14 shkurt 2009, ministri i Jashtëm polak, Radoslav Sikorski, u citua nga agjencia e lajmeve Xinhua se qeveria ishte e gatshme për të përfunduar bisedimet me SHBA-të për "një paketë vendimesh që kishte si kryesore bashkëpunimin në kuadër të këtyre bazave raketore".