E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Rama dhe Meta përballin kandidatet femra



Dueli surprizë, Kodheli-Kryemadhi

Në Peshkopi, PS-LSI fusin në garë femrat

Fushata elektorale e zgjedhjeve të qershorit do të sjellë një përballje të veçantë për të fituar një vend në Parlament midis PS-së dhe LSI-së. Duke lënë jashtë përplasjet mes burrave, “të fortëve” të dy partive, qarku i Dibrës pritet të ketë garë me karakter femëror. LSI-ja e ka nisur punën tashmë dhe bashkëshortja e kreut të LSI-së, Ilir Meta, është kandidate zyrtare dhe e para e listës për qarkun e Dibrës, ndërsa nga kampi tjetër, përflitet se listën do ta kryesojë Mimi Kodheli, kujdestare e këtij qarku për fushatën, por edhe zëdhënëse e Kryesisë së PS-së. Sa për informacionet e deritanishme, dyshja Kodheli-Kryemadhi është e vetmja përballje mes dy partive të kësaj natyre pasi kryesimin e pjesës tjetër të qarqeve do ta kenë kandidatët burra. Megjithatë, me afrimin e fushatës elektorale të dy partitë e majta pritet të zbardhin surpriza të tjera, duke përballur duele femrash në zona të ndryshme të vendit.

Përballja

Rama dhe Meta kanë zgjedhur që garën për të marrë deputetë ta lënë në dorë të dy femrave, secila mjaft e besuar për ta. Kryemadhi ka muaj që ka nisur përgatitjet për fushatën dhe është prezantuar si kandidate nga kryetari i LSI-së, Meta, njëherësh edhe bashkëshorti i saj. Pritet që Rama t’ia besojë Kodhelit, si një prej bashkëpunëtoret më të hershme të tij, kryesimin e listës së qarkut të Dibrës. Prania e Kryemadhit e vështirëson garën, për shkak të përvojës së saj me fushatat elektorale, por edhe se origjina është nga kjo zonë. Ndërsa më herët Kodhelit i është besuar kujdestaria e fushatës elektorale të qarkut Dibër, një parapërgatitje e mundshme kjo për të qenë më vonë kandidate zyrtare. Dje Rama ishte në Peshkopi, i shoqëruar nga Kodheli dhe deputeti Sadri Abazi dhe ashtu siç bëri në Skrapar, bastionin e LSI-së, edhe në këtë qytet sulmoi indirekt ish-aleatin e tij. Që nga Peshkopia Rama bëri të qartë se socialistëve nuk u intereson një pazar kryetarësh, por një bashkim i ri qytetarësh. “Janë pazaret e zanatçinjve të vjetër që e kanë lënë vendin prej 18 vjetësh në këtë gjendje”, - tha Rama, ndaj dhe një herë shprehu vendosmërinë e tij për të ndryshuar vetë politikën dhe mënyrën e të bërit politikë, “pasi qeveria, - theksoi lideri i opozitës, - duhet të jetë e qytetarëve dhe jo e shumatores së kryetarëve”, - tha Rama, një fjalor i përsëritur ky sa herë sulmon Metën.

Sipas tij, loja e vjetër e interesave personale duke i përçarë dhe sunduar njerëzit i ka ndihmuar politikanët të shkojnë shpeshherë aty ku kanë dashur të mbërrijnë. “Një fitore falë mënyrës së vjetër të të marrit vesh mes zanatçinjsh të pazarit të vjetër politik juve nuk ju duhet. As mua nuk më intereson. Një bashkim kryetarësh për të ndarë poste për politikanët dhe për të lënë njësoj pa zgjidhur njësoj si 18 vjet me radhë hallet për njerëzit dhe për familjet shqiptare, juve nuk ju duhet”, - theksoi kryesocialisti Rama. Megjithatë, PS-ja mbetet ende shumë e ngurtë në deklarimin e kandidatëve të mundshëm, në të kundërt me LSI-në, e cila ka zbardhur mjaft prej tyre. Ngurrimi i PS-së ka shkaktuar mjaft qetësi brenda radhëve të saj, ndërsa Meta prej disa javësh po përballet me pakënaqësitë dhe largimet e para nga partia që drejton.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›