E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO: Shqipëria nuk rrezikohet nga konflikti kroato-slloven



Hobs: Ratifikimet e dy vendeve ishin të ndara

Uidhers: Shqipëria në NATO, moment historik

NATO-ja jep garanci të plotë se Shqipëria nuk rrezikohet nga konflikti kroato-slloven. Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Dejvid Hobs bëri dje të ditur në Tiranë se problemi i Kroacisë nuk cenon në asnjë rast Shqipërinë dhe se NATO-ja mirëpret zgjerimin. Z. Hobs vuri në dukje se problemi i vetëm ishte ratifikimi, që për Shqipërinë u krye në një kohë rekord. “Prandaj, të gjithë shpresojmë që vendi juaj të anëtarësohet në samit me të drejta të plota. Nuk kam shumë detaje për çështjen me Slloveninë, por me sa di unë, ky vend po përpiqet ta zgjidhë. Në këtë kontekst dy ratifikimet ishin të ndara, prandaj një problem i Kroacisë nuk e prek Shqipërinë”, - tha z. Hobs. Sipas tij, hyrja e Shqipërisë në NATO nuk ka qenë rastësore, e ndikuar vetëm nga interesa gjeopolitike apo dëshira e madhe, por ka ndodhur për shkak të reformave që ka kryer vendi. Këto deklarata Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Dejvid Hobs, i bëri dje në konferencën “Karta e Adriatikut dhe Sfidat e Sigurisë”. Ai konfirmoi mbështetjen që Aleanca i jep Shqipërisë vetëm pak ditë nga zyrtarizimi i anëtarësimit. Në fjalën e tij, Hobs tha se Aleanca pret Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota me të gjitha vendet e NATO-s, jo thjesht për të rritur numrin e Aleancës. “Ne kemi thënë gjithmonë se zgjerimi i NATO-s nuk është kërcënues për askënd, por është në fakt vetëm një vlerë shtesë për sigurinë. Nga ana tjetër, ne kemi theksuar se zgjerimi duhet të bëhet mbi bazën e arritjeve dhe jo thjesht të një aspirate për t'u integruar. Por nuk janë thjesht forcat e armatosura që bëhen anëtare të NATO-s, por është i gjithë kombi”, - tha Hobs. Sipas tij, realizimi i reformave “për sigurinë në kufi apo lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë hapa tepër të vlefshme”, duke shtuar se Shqipëria do të përfitojë nga realizimi i tyre. Ai u ndal edhe në bashkëpunimin rajonal, duke theksuar se reformat e destinuara për NATO-n kanë afruar vendet e rajonit më shumë. “Nënshkruesit e kësaj karte flasin për një bashkëpunim ekonomik me njëri-tjetrin. Qëllimi i përgjithshëm i anëtarësimit në Kartën e Adriatikut është që t'u mundësojë vendeve anëtare integrimin e plotë në strukturat e NATO-s”, - tha Hobs. Konferenca më pas vazhdoi me diskutimet e tjera, ku ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, tha se hyrja e Shqipërisë në NATO do të shënojë një moment historik. “Në pothuaj pesë javë ne do të arrijmë një moment historik. Aleanca më e madhe politike dhe e sigurisë e kohëve moderne do të mirëpresë Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota”, - tha Uidhers, duke shtuar: “Ky do të jetë një nga ato momentet në të cilat historia shlyen vetveten”. Ambasadori amerikan u shpreh se Shqipëria do të shpërblehet për përpjekjet e saj edhe për rezistencën e shqiptarëve për të ruajtur trashëgiminë e tyre perëndimore. “Për një kohë shumë të gjatë vendet e Evropës Qendrore e Lindore u izoluan nga trashëgimia e tyre e vërtetë, anëtarësimi në komunitetin euroatlantik. Por në këtë ditë, vetëm pak javë më vonë, të gjitha përpjekjet, të gjitha sakrificat, e gjithë vendosmëria e popullit shqiptar do të shpërblehet dhe ata do të bashkohen me ne dhe aleatët tanë më të ngushtë në aleancën më të madhe të historisë sonë”, - tha ambasadori amerikan. Personalitete politike nga vendet anëtare theksuan në fjalën e tyre se Shqipëria po “mbledh atë që mbolli”. Parlamentarë nga Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina vlerësuan përpjekjet e Shqipërisë për të arritur këtë çast final. Në përgjigje të tyre, personalitet më të larta shqiptare u shprehën se ky është vetëm fillimi i një kalvari të gjatë ndryshimet perëndimore të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›