E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, menjëherë pas kthimit nga Bosnja, takim në shtëpinë e tij me Fazlliçin

Nga Armand Maho

Menjëherë pas kthimit nga Bosnja, kryeministri Berisha ka pritur në shtëpinë e tij sekserin boshnjak, Damir Fazlliç, i akuzuar për lidhje të dyshimta me familjen kryeministrore, si dhe për evazion fiskal dhe pastrim parash. Një kamera amatore ka filmuar mbrëmë Fazlliçin duke dalë nga apartamenti i Berishës dhe pamjet janë transmetuar në emisionin “Fiks Fare”, ndërkohë që punonjësit e Gardës siguronin Fazlliçin që të hipte në makinë dhe të shkonte i sigurt në destinacion. Damir Fazlliç ka bujtur në apartamentin e kryeministrit rreth orës 22.00 dhe është parë të dalë prej andej në orën 23.30.

Në fakt, kryeministri Berisha nuk e ka mohuar asnjëherë miqësinë e tij me biznesmenin boshnjak, Damir Fazlliç, i cili ka një emër jo pak të përfolur në vendin e tij për biznese të dyshimta dhe lidhje me eksponentë të mafies ballkanike. Nuk dihet se çfarë ka biseduar për dy orë në shtëpinë e kryeministrit sekseri boshnjak, por vetë fakti që Fazlliç viziton kryeministrin menjëherë pas kthimit të tij nga Bosnja flet shumë. Ndërkohë, Fazlliç dyshohet se është njeriu që ka fituar dhe shumë tenderë në vendin tonë. Gjithashtu, në bazë të këtij informacioni që ka marrë pranë kryeministrit, Fazlliç arriti të merrte toka me çmim të lirë në Porto Romano dhe vetëm pak muaj më pas Berisha miratoi në KRRTRSH, që në këtë vend ku Fazlliçi kishte blerë disa hektarë, të ndërtohej park energjitik, gjë e cila i ngriti vlerën disa fish tokës së blerë fare lirë nga Fazlliçi.

Historia shqiptare e Damir Fazlliçit

Damir Fazlliç u bë i njohur në vjeshtën e vitit të shkuar, kur media shqiptare publikoi për herë të parë lidhjet e tij me kryeministrin Berisha dhe familjen e vet. I ardhur në Shqipëri në vitin 2005, Fazlliç ka regjistruar menjëherë tri kompani që javën e parë që zoti Berisha erdhi në pushtet.

Më 19 nëntor të vitit 2005, biznesmeni Damir Fazlliç dhe administratori Erion Isufi regjistruan dy firma të ndryshme: “SRF Development” dhe “Virtu Acquisitions”. Një ditë më vonë Fazlliç dhe Isufi nuk vonuan dhe hapën edhe një firmë të tretë, të cilën e quajtën “Crown Acquisitions”. Nga një vështrim mbi praktikën zyrtare që ndoqën këta dy persona del se për të tria këto firma është lënë si adresë e selisë së tyre qendrore e njëjta adresë që administratori Isufi ka lënë si vendbanimin e tij (Rr. “Shilasi Dishnica”, Pallati 2/4). Por ngjashmëritë vazhdojnë edhe me statutet dhe qëllimet e këtyre firmave, të cilat kanë ekzakt të njëjtin grup objektivash. Është e qartë se ndërsa kunat kishte ministrin e Transporteve dhe Punëve Publike, Erion Isufi vendosi të bëjë administratorin e tri firmave që zhvillonin projekte ndërtimi dhe urbane, por dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme. Për gjatë dy viteve deri në vitin 2007 këto kompani thuajse nuk kanë pasur aktivitet. Në pranverën e vitit 2007, Fazlliç rigjallëron ndjeshëm aktivitetin e tij financiar, edhe pse shoqëritë e tij formalisht nuk kanë vepruar. Kështu, ai autorizon studion e Argita Malltezit me kompetenca të plota të merret me shitjen e kompanisë së tij “Crown Acquisitions” në një kompani qipriote të quajtura “Altaria Research LTD”. “Faktori Plus” provoi se shitja u bë për 175 milionë euro, ndërkohë që kompania nuk kishte deklaruar ende asnjë aset në Tiranë. Por hetimi i mëtejshëm nxori se “Altaria Research Limited” ishte një kompani anonime në Qipro, pas së cilës qëndronte po vetë zoti Fazlliç së bashku me një ortak të tij malazez, Vojin Lazareviç, një ish-nacionalist i vijës së ashpër në Mal të Zi, bashkëpunëtor me famëkeqin Arkan. Vetë Fazlliç pranoi në një intervistë televizive në Tiranë se kompanitë ia kishte shitur vetvetes, çka rezulton se ai është pronar i shoqërisë “Altaria” në Qipro. Hetimet e mëtejshme të “Faktorit Plus” provuan se kompania “Altaria Research” në Qipro kishte ngritur disa filiale në Ballkan. Kështu, në Beograd ajo është pronare e shoqërisë “Aciona Investment”, kurse në Kroaci pronare e shoqërisë “Rudnap Energji”, përfaqësuar nga Lazareviç. Kur faktet u bënë publike në Shqipëri, kryeministri, Sali Berisha, doli publikisht dhe e mbrojti Damir Fazlliçin. Ai tha se “ai është miku im dhe se unë jam i gatshëm ta sjell atë në parlament”. Kjo e rriti shumë vëmendjen ndaj bizneseve të Fazlliçit në Tiranë, të cilat juridikisht i administron vajza e kryeministrit, Argita Berisha. Kështu, kryeministri deklaroi se Fazlliç nuk ka marrë asnjë lek nga fondet publike. “Faktori Plus”, duke u mbështetur në deklaratat e Fazlliçit, provoi se ai është pronar i “Altaria Research”, e cila ka si filial kompaninë “Rudnap Energji” në Kroaci, e cila na ka shitur gjatë vitit 2007 dhe 2008 rreth 100 milionë euro energji elektrike. Pra, betimi i kryeministrit Berisha vihet në dyshim dhe del që Fazlliç është përfitues i madh prej fondeve publike. Një tjetër fushë veprimtarie e Fazlliçit në Shqipëri është kompania e tij e vjetër, “Crown Acquisitions”, e cila iu shit formalisht kompanisë po të tij “Altaria Research” në Qipro. Kjo kompani ka blerë me një çmim qesharak rreth 12 hektarë tokë në Porto Romano, ku tashmë qeveria po orienton ndërtimin e një termocentrali me qymyr si pjesë e një parku energjitik. Me kuadrin ligjor të këtyre koncesioneve realisht është marrë studioja e vajzës së kryeministrit dhe një avokate e saj ka qenë pjesë e bordeve këshillimore të Ministrisë së Ekonomisë për këtë çështje. Vetë Fazlliç ka deklaruar se nga ky biznes ai pret të fitojë 50 milionë euro. Përveç energjisë dhe tokave Fazlliç u fut në Shqipëri dhe në biznesin e naftës. Nën ndikimin e tij u krijua “Rompetrol Albania”, një kompani që u ngrit mbi gërmadhat e po këtij filiali, të cilën Fazlliç e çoi për likuidim. Kjo kompani krijoi disa lidhje me njerëzit e Fazlliçit në BG&R, si dhe në Slloveni, Rumani dhe Rusi. Ajo është praktikisht degë e zgjatur e filialeve të naftës ruse në Shqipëri. Lidhjet e saj provohen qartë me “Lukoil”-in rus dhe Lazareviçin. Hetimet po ashtu kanë provuar se Fazlliç ka bërë transferta të papranueshme për rregullat bankare nga Zvicra në Shqipëri nga një kompani e quajtur “Pluto International” në llogarinë e tij personale në Tiranë rreth 1,7 milionë euro dhe paratë i ka tërhequr studioja e zonjës Argita Berisha. Nga ana tjetër, Fazlliç është personazh i njohur i botës ballkanike. Ai është ndaluar disa herë nga policia në Bosnjë dhe Serbi dhe ka akuza konkrete për të për mashtrime financiare dhe përzierja në afera deri në shitje armësh. I gjithë ky rrjet kompanish fantazmë me bazë në Qipro, dhe filiale në Serbi, Mal të Zi, Kroaci, Bosnjë, Slloveni, Rumani dhe Rusi dëshmojnë se kemi të bëjmë me një sekser të biznesit sllav në Shqipëri, i cili ka miqësinë dhe mbështetjen personale dhe familjare të kryeministrit, Sali Berisha. Kjo e ka bërë atë një personazh të njohur në botën shqiptare, i cili tashmë është sinonim i kapjes së shtetit dhe dorës së fshehur për të prodhuar financa të dyshimta për familjen në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›