E Shtunë, 31 Tetor 2026

Crans Montana, Berisha dhe Rama

Nga Lavdosh Ferruni

Se cila është dashuria e Forumit të Crans Montanës me Tiranën, ku çdo vit që prej vitit 2006 organizon forume të bujshme, pakkush mund ta dijë. Vitin e kaluar u publikua në media një lidhje e Berishës me presidentin e saj, z. Jean-Paul Carteron, ku rezultonte se Berisha është më shumë se i gatshëm për të darovitur pará në këtë organizim ndërkombëtar të përvitshëm në Tiranë. Lidhja duket qartë edhe tek bën një kalim të shpejtë në faqen e internetit të kësaj organizate, ku sapo hapet faqja del portreti i Berishës dhe te faqja kryesore në rubrikën “Rreth nesh” (About us), në të vetmen fotografi pjesëmarrësish është në fokus Sali Berisha së bashku me kryetarin e Forumit, z. Mr. Jean-Paul Carteron. Sidoqoftë, le të presim se ç’mund të jenë rezultatet e një forumi të tillë. Takimet e Berishës me ish-presidentin bullgar dhe ish-presidentin e Mongolisë natyrisht që nuk kanë krijuar ndonjë lloj entuziazmi, qoftë në rrethin politik, qoftë në publik.

Ndërsa fjala e Berishës në hapjen e këtij forumi vlen të analizohet thellë, jo në aspektin e reagimit të pjesëmarrësve në të, por në rrezikun që mbart në zhvillimin e vendit vendimmarrja e tij aventureske, megalomane dhe korruptive në këtë fund mandati.

“Ne mendojmë shumë për ta shndërruar Shqipërinë në vendin që ka barrierat më të ulëta fiskale në botë”, - tha Berisha. Që Shqipëria të ketë barriera të ulëta fiskale krahasuar dhe me botën do të ishte normale, por “më të ulëta në botë” është frikë-ndjellëse. Po në këtë paragraf Berisha lëshon fjalinë tjetër tronditëse: “Shqipëria është një vend unik, ku mund të gjesh mundësinë për investime në fushën industriale apo turistike për vetëm një euro”. Pra, përsëri Shqipëria vend unik. Dhe unikaliteti qëndron se Shqipëria shitet me 1 euro, diku përgjithmonë si në rastin e Petroliferës, diku për 30 vjet e me të drejtë zgjatjeje kohore. Nuk nguron Berisha ta nxjerrë Shqipërinë të parën në Evropë edhe për përballimin e krizës globale, por disi më i kujdesshëm këtë radhë. “Disa institucione të rëndësishme ndërkombëtare parashikojnë që Shqipëria ka rritjen më të lartë në Evropë këtë vit...”, - tha kryeministri ynë.

“Por çfarë po bën qeveria për këtë?” - ngacmon Berisha auditorin që të japë më pas argumentin më idiot që mund të japë vërtet ndonjë kryeministër në botë: “Ne po mundohemi të ecim përpara fuqishëm me anë të investimeve. Ne kemi nënshkruar, në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti, më shumë se 3.5 miliardë euro kontrata, kemi krijuar baza shumë të forta në fushën energjitike, që e kanë kthyer këtë vend, i cili ka 30 vjet që vuan ndërprerjet e energjisë, në një superfuqi të vogël rajonale për energjinë elektrike. Pra, në dhjetor dhe në janar të këtij viti, kemi nënshkruar mbi 3 miliardë dollarë kontrata në fushën energjitike, për ndërtime TEC-esh dhe për të ndërtuar terminalin me të madh në Evropë, projekt ky mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie norvegjeze e austriake. Por, të gjitha këto së bashku, që përbëjnë më shumë se 50 kontrata, janë tashmë të nënshkruara dhe 20 prej tyre do të fillojnë punë gjatë këtyre javëve dhe muajve. Ka një interes shumë të madh për të investuar në fushën e energjisë në vendin tonë, një vend me këtë gjeografi, me këtë vijë bregdetare, krijon platforma shumë të mira për të prodhuar energji nga era”. Ja disa pjesë të argumentit idiotesk:

E para, këto miliarda nuk kanë të bëjnë thuajse fare me daljen e Shqipërisë në vend të parë në Evropë për rritje ekonomike, pasi këto miliarda nuk kalojnë në tregun shqiptar dhe se të punësuarit janë jo më shumë se një punishte fasonerie.

E dyta, Shqipëria nuk mund të bëhet superfuqi, as edhe e vogël, as edhe rajonale energjitike, pasi Shqipëria nuk ka as kapital financiar, as know - how, as teknologji, as fuqi punëtore të kualifikuar për këtë industri, as lëndë të parë për TEC-et, apo për terminalin (shih ligjëratën e drejtë: më të madhin në Evropë). As Italia vetë, që nuk ka lëndën e parë, edhe pse i ka të tjerat, nuk ka shanse të bëhet ndonjë lloj superfuqie energjie.

E treta, bregdeti shqiptar që ofron Berisha me 1 euro ka pronarë të vjetër dhe të rinj, që për më tepër në periudhë krize nuk do jenë kaq dashamirës me miliardat që nuk marrin vetë asnjë kacidhe.

E katërta, vija jonë bregdetare e Shqipërisë qenka e përshtatshme për platforma ere, kurse e Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi, Italisë nuk qenka e përshtatshme.

E pesta, këto kontrata nuk mund të jenë të vlefshme, nëse është përjashtuar publiku nga vendimmarrja, madje as vetë shumica e deputetëve as që dinë gjë fare për këto kontrata miliardëshe. Dhe kjo është e papranueshme.

Por mes argumenteve idioteske shkëlqen edhe thënia e Berishës: “Turizmi është potenciali më i mirë dhe më i madh i këtij vendi. Bregdeti ynë ka plazhe me rërë e shkëmbinj të mrekullueshëm, ka disa kompani serioze që planifikojnë të investojnë shumë miliardë euro në bregdetin Adriatik dhe Jon”.

Turizmi, madje që këtë vit, do përbënte vërtet alternativë antikrizë për Shqipërinë. Punësimi në industrinë e turizmit është 25-50 herë më i lartë se në industrinë e TEC-eve të Berishës. Por problemi qëndron se idioteskja me të shkëlqyeshmen nuk mund të rrinë bashkë. Nuk ka turist në botë që të frekuentojë, të bëjë pushime pranë TEC-eve me qymyr apo terminaleve. Ndërsa Berisha pret të fillojë punët me bazë fosilesh që gjenerojnë krizë në planin afatgjatë, kryeministri i Malit të Zi shpalli sot hapjen e tenderit ndërkombëtar për një projekt prej miliarda eurosh për turizëm në Ulqin.

Habi e madhe shqiptare është se si kryeministri shpall kontratat miliardëshe dhe kryetari i opozitës nuk bën as më të voglin reagim. Rama shkon në Rrëshen me vullnetarët dhe ka vetëm një merak, marrjen e qeverisjes. Por, çfarë do qeverisë Rama, nëse Berisha vërtet i hap rrugë tani këtyre investimeve që shkatërrojnë perspektivën e këtij vendi, okupojnë dhe ndotin gjithë bregdetin shqiptar, duke e futur Shqipërinë në një qerthull që edhe për dekada të tëra mos të ketë mundësi të ngrenë kokë?

Kjo nuk është asgjë më tepër sesa një mungesë totale vizioni e Ramës për drejtimin e vendit apo një kompromis gati i pabesueshëm midis tij e Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›