Kuvendi miraton paketën ligjore për anëtarësim në NATO, Topi e dekreton
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje në mënyrë unanime Paketën për Aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, që përbën edhe bazën ligjore dhe nënligjore për ta bërë Shqipërinë një vend anëtar të NATO-s. Në seancën e djeshme ceremoniale ishin të pranishëm përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë, si dhe kryetari i parlamentit polak, Bronislav Komorowski, i cili po viziton Shqipërinë. Gjithsesi, ra në sy mungesa e ambasadorit amerikan, John Withers, ambasadorit të Britanisë së Madhe, Wilson, si dhe ambasadorit çek në Tiranë, vendi i të cilit mban dhe presidencën e radhës së BE.
Projektligjet bazë që përbëjnë këtë paketë, u miratuan me konsensus të plotë nga të gjithë deputetët e grupeve parlamentare, të cilët e konsideruan këtë moment një arritje të politikës shqiptare dhe qytetarëve në tërësi.
Paketa ligjore për aderimin e Shqipërisë në NATO u miratua në datën 11 shkurt 2009 nga Këshilli i Ministrave. Pjesë e kësaj pakete janë projektligje si: “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut”, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen, ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave të tyre”, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për statusin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, të përfaqësuesve kombëtarë dhe personelit ndërkombëtar”, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për statusin e misioneve dhe të përfaqësuesve të shteteve të treta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut”, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për statusin e shtabeve ushtarake ndërkombëtare, të ngritura në përputhje me Traktatin e Atlantikut të Veriut”, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e Kombeve të Bashkuara”, “Për kontratat për shitjen ndërkombëtare të mallrave”.
Menjëherë pas miratimit nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi shpalljen dhe hyrjen në fuqi menjëherë të ligjeve të miratuara. Ligjet e miratuara dje në unanimitet nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kompletojnë kuadrin ligjor të anëtarësimit të vendit tonë në NATO, dhe Shqipëria është e gatshme për t’u paraqitur në samitin e Strasburgut që do të zhvillohet në datat 3 dhe 4 prill. Presidenti i Republikës përshëndeti deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për miratimin unanim të këtyre ligjeve dhe uroi të gjithë qytetarët shqiptarë për realizimin e kësaj ëndrre integruese, si një moment historik për vendin tonë, që u realizua edhe nëpërmjet vullnetit të partnerëve euroatlantikë. Kjo paketë përbën edhe bazën ligjore dhe nënligjore për ta bërë Shqipërinë një vend anëtar të NATO-s, një arritje e politikës shqiptare dhe qytetarëve në tërësi. Paketa ligjore për aderimin e Shqipërisë në NATO ishte miratuar më 11 shkurt 2009 nga Këshilli i Ministrave