E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri pret studentët që do punësohen nga programi Brain Gain

Nga Antena brenda familjes

Flamuri priti dje studentët e kthyer nga programi Brain Gain, të cilët do të stimulohen nga qeveria për të punuar në administratën e lartë. Pasi përfunduan takimin me kryeministrin, studentët pyetën ministrin e Arsimit, Fatos Beja, se kush do të kujdesej për punësimin e tyre. Sipas asaj që kishin marrë si premtim, ata do të hynin në punë pa konkurse dhe do të stimuloheshin me një pagë shtesë për t’iu kompensuar rikthimin e tyre në atdhe. Fatos Beja i dëgjoi i hutuar pak dhe iu kërkoi një minutë leje që të pyeste. Pasi foli me dikë në telefon, u tha se duhet të shkonin te PD dhe të takonin Flamurin, pasi ai ishte personi i vetëm që merrej me punësimin në qeveri.

Studentët shkuan te Flamuri. Godina e PD ishte e mbyllur dhe atyre iu desh të prisnin në parking, derisa roja lajmëroi Flamurin.

- Fola me atë burrin, - tha, - dhe më tha t’u prisja. Mos kini merak. Do t’u rregulloj të gjithëve. Por më parë duhet t’u bëj një vizitë në PD. Tani do hyni me kujdes, se mos vriteni nga skela.

Pas dhjetë minutash gjithë studentët arritën të hyjnë brenda selisë. Ajri i ndenjur i selisë nga dyert e mbyllura iu shkaktoi disa teshtima mysafirëve. Flamuri, që e kuptoi, u tha mos të mërziten, se do ngjiteshin në kat të dytë dhe do hapte dritaren. I futi të gjithë te salla e madhe, ku bëhen mbledhjet e Këshillit Kombëtar.

- Tani uluni, - tha, - dhe m’u prezantoni pak që t’u kem parasysh.

Për çudi asnjë s’po ulej. Flamuri e përsëriti prapë kërkesën, por një studente tha: “S’ka problem, rrimë në këmbë.”

- Jo mo, uluni, se do flasim shtruar, - tha Flamuri. - Mund të ketë pak pluhur, por vendosni ndonjë shami, se ka katër vjet pa u hapur kjo sallë.

- Po përse ka shërbyer kjo? - e pyeti studentja.

- Këtu mblidhej Këshilli Kombëtar, - tha Flamuri, - kur ishim në opozitë. E mblidhnin zakonisht një herë në tre muaj, por ndodhte dhe një herë në muaj. Që nga viti 2005 nuk është mbledhur asnjëherë.

- Po pse nuk është mbledhur? - pyeti studentja. - Keni ndryshuar statutin e PD?

- Jo mo, statuti ai që ka qenë është, - tha Flamuri, - por s’kemi pas dhe kohë, se gjithë anëtarët e Këshillit janë në punë shteti dhe s’ia vlen të mblidhemi, pasi takohemi nëpër zyra, kemi kontakte me atë burrin personalisht...

- Unë kam mbaruar për shkenca politike, - tha një student, - dhe një nga kriteret për të funksionuar një demokraci normale është dhe demokratizimi i partive dhe respektimi i rregullave të lojës brenda tyre...

- Ou, mor djalë, je i ri. Do mësohesh, ndaj të kemi sjellë këtu. Ato që ke mësuar në libra, harroji. Po s’iu desh atij burrit, nuk mblidhet Këshilli, se s’ka ç’bën pa atë.

- Unë kam mbaruar juridikun në Paris, - tha një studente. - A ka të drejtë një anëtar i Këshillit tani të padisë kryetarin e PD për shkelje të statutit dhe ta shkarkojë, pasi, siç di unë në një rast të ngjashëm në Francë....?

- Ou, moj vajzë, paske ardhë me mendje të keqe ti. S’ka nga këto gjëra këtu, mos ki merak. Tani unë them të fillojmë prezantimin, boll me këto pyetjet për Këshillin.

Studentët filluan të prezantohen. Si përfundim, nga 70 vetë që ishin, 15 kishin mbaruar juridik, 20 ekonomik, 13 shkenca politike, të tjerët mjekësi, inxhinieri, madje njëri ishte specializuar për gjenetikë.

- Qartë, - tha Flamuri. - Tani mos u mërzisni. Më lini të gjithë numrin e celularit dhe unë do t’u njoftoj...

- Po ne kemi lexuar në faqe të Kryeministrisë se me rekrutimin e nëpunësve merret DAP, d.m.th., Departamenti i Administratës Publike.

- Hahaha, - qeshi Flamuri. - Ata janë kot. Unë ua jap. Pastaj ata bëjnë konkurse. Do merrni kot ndonjë shok, shoqe apo motër dhe do konkurroni. Po mos u bëni merak, se për ju s’do ketë konkurrencë. Do ua gjej unë vendet. Ja të shoh se kam ca letra këtu. P.sh., kemi nevojë për 8 vetë në dogana, do të punojë ndonjëri nga ju në dogana?

Asnjë nga kandidatët nuk ngriti dorën.

- Nuk doni në doganë? - pyeti Flamuri. - Është alamet vendi.

- Nuk kemi përvojë, - tha një prej tyre. - Ne jemi specializuar për gjëra të tjera.

- Sa budalla qenke! - i tha Flamuri. - Po unë kam çu dajën tim që është i moshuar dhe e bën shumë mirë. ǒka për të mësuar aty?! Jo ju që keni master, po dhe me shkollë të mesme e qan. Po në hipotekë do njeri të shkojë, se do lirohen ca vende, se do bëjmë ca arrestime këtë javë?

- Jo, - tha një vajzë, - se s’jemi specializuar për aty...

- Po ç’nevojë moj ka të specializohesh? Kam shokun tim unë aty, u tregon ai për pesë minuta si punohet dhe filloni punë. Epo kam dhe ca vende pune në polici ndërtimore, se dhe aty bëni ndonjë lek. Do ndonjëri vend aty?

Prapë qetësi.

- Epo ju s’qenkeni për punë, - tha Flamuri. - Paskeni ardhë të bëheni udhëheqës. Nga kjo sallë ku jeni ulur, të gjithë kanë vajtë në dogana, tatime, hipotekë dhe polici ndërtimi. Nga zyrat e tjera kanë shkuar në ministri. Hajt t’u tregoj zyrat e tjera.

Dolën në korridor.

- Ja, në fund ka qenë zyra e Besnik Mustafajt. Ka qenë sekretar për Marrëdhënie me Jashtë, u bë ministër i Jashtëm. Por andej dha dorëheqjen. Që atëherë unë nuk e qas më në zyrë këtu, megjithëse e ruan postin.

- Po kjo është e paligjshme, - tha një vajzë që kishte Ph.D.

- Ohu, këtu e bëj unë ligjin, s’ka ligje, - tha Flamuri. - Flas me atë burrin dhe e vendosim. Kështu e bëmë. Dhe në takimin e fundit me Partitë Popullore, në vend që të shkonte ai, dërgova Juelën dhe Gertin, dy zëdhënësit e atij burrit.

Zyra tjetër është e Ponit. Mos u afroni, se ka një aromë të rëndë, por ai u bë zv/ministër i Brendshëm. Zyra tjetër është e Forumit Rinor të PD. Tani e ka Qukapi. Është shoku i Shkëlzenit dhe këshilltar i Bujar Nishanit.

- Çfarë janë këta? - pyeti një nga të kthyerit.

- Njëri është djali i atij burrit, tjetri është kot, e kam vënë unë ministër. Pastaj vjen zyra e organizmit. Aty ka qenë Jemini, po tani është ministër Bujqësie. Vendin e tij e kam zënë unë, por unë kam më shumë kompetenca, se lidhem direkt me atë burrin. Në kat të tretë, zyra e parë është e KOP. Kush hyn aty, mjafton të shkelë, bëhet o ministër, o deputet. Tjetra në krah është e Bamirit. Kush shkel aty, bëhet president dhe nënkryetar partie. Tani e ka Astrit Patozi. Tjetra është e Ridvan Bodes. Ky është ministër i parave. Pastaj, kjo e madhja është e atij burrit, në fund e Jozefinës. Siç e shikoni, këto shanse kemi për punësim. Po doni tatime, dogana, polici ndërtimore, duhet të rrini te salla e madhe, po doni karrierë, bëhet nga këto zyra.

- Faleminderit, - thanë studentët njëzëri, të hutuar nga shpjegimi. - Po ti nuk na pyete çfarë dimë të bëjmë ne...

- Po ç’më duhet mua ç’dini ju, - tha Flamuri. - Unë po u tregoj si futesh në punë, jo si të më fusni mua në telashe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›