E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ta rregullosh botën sërish

Nga Barack Obama, President i SHBA, “Los Angeles Times”

Ne jetojmë në një kohë sfidash globale ekonomike, të cilat nuk mund të zgjidhen me masa gjysmake apo përpjekje të izoluara të vendeve veç e veç. Udhëheqësit e G-20 kanë përgjegjësi të nisin një aksion të guximshëm, gjithëpërfshirës dhe të koordinuar, i cili jo vetëm që do të nxitë shërimin, por do të nisë një epokë të re të marrëdhënieve ekonomike për të parandaluar që kjo krizë të mos ndodhë më kurrë.

Askush nuk mund të mohojë urgjencën e veprimit. Kriza e kredive dhe vetëbesimit është fryrë përtej kufijve, me pasoja në çdo skaj të botës. Për herë të parë në breza, ekonomia globale po tendoset dhe tregu po bie. Me miliarda dollarë janë humbur, bankat kanë ndalur huadhënien dhe me dhjetëra miliona njerëz përreth botës do të humbasin punën e tyre. Zhvillimi i çdo vendi është rrezikuar, së bashku me stabilitetin e qeverive dhe mbijetesën e njerëzve në pjesët më të brishta të botës.

Ne kemi kuptuar se suksesi i ekonomisë amerikane është në mënyrë të ndërlikuar i ndërlidhur me ekonominë globale. Nuk ka vijë mes veprimit, i cili kthen rritjen përbrenda kufijve tanë dhe veprimit, i cili përkrah rritjen përtej kufijve tanë. Nëse njerëzit në shtete të tjera nuk mund të shpenzojnë, tregjet tkurren; tashmë kemi parë rënien më të madhe në eksportet amerikane në afro katër dekada, e cila ka çuar drejtpërdrejt në humbjen e vendeve të punës në Amerikë. Ja pse samiti i ardhshëm në Londër i 20 ekonomive udhëheqëse të botës është direkt i lidhur me shërimin tonë në vendin tonë.

Mesazhi im është i qartë: SHBA është e gatshme të udhëheqë dhe i ftojmë partnerët tanë që të na bashkohen me një ndjenjë të urgjence dhe qëllimi të përbashkët. Shumë punë e mirë është bërë gjer tani, por edhe shumë mbetet për t’u bërë. Udhëheqja jonë është e bazuar në një premisë të thjeshtë: Ne do të veprojmë guximshëm që të nxjerrim nga kriza ekonominë amerikane dhe të reformojmë strukturën tonë të rregullave dhe këto veprime do të fuqizohen nga veprime shtesë jashtë vendit.

Me anë të shembullit tonë, SHBA mund të promovojë një shërim global dhe të ndërtojë vetëbesimin përreth botës; dhe nëse samiti i Londrës mund të nxitë një aksion kolektiv, ne mund të krijojmë një shërim të sigurt dhe krizat e ardhshme mund të parandalohen.

Ne kemi një detyrim ekonomik, moral dhe ndaj sigurisë që t’u shtrijmë dorën shteteve dhe njerëzve, të cilët përballen me rrezikun më të madh. Nëse u kthejmë shpinën, vuajtja e shkaktuar nga kriza do të rritet dhe vetë shërimi ynë do të vonohet, sepse tregjet për mallrat tona do të tkurren më tej dhe më shumë vende pune do të humbasin në SHBA. G-20 duhet të përcaktojë shpejt burime që të stabilizohen tregjet e reja, të rritë substancialisht kapacitetin për emergjencë që ka Fondi Ndërkombëtar Monetar dhe të ndihmojë bankat rajonale për zhvillim, që të përshpejtohet huadhënia. Ndërkohë, Amerika do të përkrahë investimet e reja dhe kuptimplota në sigurim të ushqimeve, të cilat mund t'i ndihmojnë të varfrit që të përballojnë ditët e vështira që po vijnë.

Gjersa këto veprime mund të na ndihmojnë të dalim nga kriza, nuk mund të pajtohemi me kthimin në status quo. Ne duhet t'i japim fund spekulimit të pafund dhe shpenzimit përtej kushteve tona; kreditit të keq dhe mungesës së mbikëqyrjes që na dënon me flluska, të cilat gjithsesi shpërthejnë. Vetëm veprimi i koordinuar mund të parandalojë marrjen e papërgjegjshme të rrezikut, e cila e shkaktoi këtë krizë. Kjo është arsyeja pse unë jam i përkushtuar në kapjen e kësaj mundësie për të përparuar reformat gjithëpërfshirëse të kornizës sonë rregullative dhe mbikëqyrëse.

Të gjitha institucionet tona financiare, në Wall Street dhe përreth globit, kanë nevojë për mbikëqyrje të fuqishme dhe rregulla logjike. Të gjitha tregjet duhet të kenë standarde për stabilitet dhe një mekanizëm për zbulim. Një kornizë e fuqishme e kërkesave kapitale duhet të mbrojë kundër krizave në të ardhmen. Transparenca rigoroze dhe përgjegjësia duhet të kontrollojnë keqpërdorimet dhe ditët e kompensimit pa kontroll duhet të marrin fund.

E di që Amerika e mban hisen e saj të përgjegjësisë për këtë rrëmujë, me të cilën të gjithë ne po përballemi. Por gjithashtu e di se nuk duhet të zgjedhim mes kapitalizmit kaotik dhe që nuk fal dhe ekonomisë së shtypur e të udhëhequr nga qeveria. Kjo është një zgjedhje false, e cila nuk do t'i shërbejë as popullit tonë e as popujve të tjerë.

Ky takim i G-20 mundëson një forum për një bashkëpunim të ri global ekonomik. Tani është koha që të punojmë bashkë e të kthejmë rritjen mbështetëse, e cila mund të vijë vetëm nga tregje të hapura dhe të qëndrueshme, të cilat nxitin ndryshime, përkrahin iniciativa dhe përparojnë mundësitë.

Shtetet e botës kanë leverdi nga njëri-tjetri. SHBA është e gatshme që t'i bashkohet një përpjekjeje globale për hir të vendeve të reja të punës dhe rritjes së qëndrueshme. Së bashku mund t'i marrim mësimet e kësaj krize dhe të nxisim një përparim që është i qëndrueshëm dhe i sigurt për shekullin XXI.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›