Berisha merr para borxh për shpërblimet e fundvitit
Qeveria shqiptare duket se hoqi dorë nga përpjekjet për të nxjerrë shumën e nevojshme për shpërblimet e fundvitit për të punësuarit e sektorit publik dhe pensionistëve përmes kursimeve dhe miratoi dje një akt normativ me fuqinë e ligjit, që i lejon Ministrisë së Financave të marrë para borxh për të shlyer shpërblimet.
"Me aktin normativ bëhet i mundur disbursimi i një shume të madhe prej 50 milionë dollarësh të shpenzimeve kapitale, bëhet e mundur mbajtja në limite të pranueshme e deficitit buxhetor, nga 4.2 do të jetë 4.5, bëhet i mundur ose vjen si rezultat i një kontrolli, do të thosha të plotë të inflacionit", tha Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Më herët, Ministria e Financave pati njoftuar se për të mbuluar shpenzimet prej rreth 25-30 milionë dollarësh që nevojiten për shpërblimet, do të hiqte dorë nga investime të ndryshme të parealizuara. Pensionistët kanë filluar të tërheqin nga 2500 lekë secili (rreth 26.5 dollarë) për të festuar vitin e ri.
Buxheti i shtetit gjendet në vështirësi të konsiderueshme financiare, si pasojë e rritjes së papërfillshme të të ardhurave këtë vit, ndërkohë që shpenzimet janë rritur me rreth 17 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Përveç rrugës Rrëshen-Kalimash, qeveria ka shpenzuar në rritjen e pagave dhe pensioneve para zgjedhjeve, si dhe për shlyerjen e interesave të borxhit publik më shumë se vitin e kaluar. Akti normativ me fuqinë e ligjit bën të mundur që qeveria të fillojë ta zbatojë këtë ligj pa miratimin paraprak të Parlamentit. Aktet normative me Kushtetutë ndërmerren në situata emergjente, por gjatë viteve të fundit qeveritë e ndryshme i kanë përdorur ato për të shmangur debatet parlamentare.
Gj. Erebara