E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni i gazetarëve ndan çmimet mes gazetarëve

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi dje ndarjen e çmimeve të karrierës dhe shpalli fituesit e çmimit "Vangjush Gambeta" në konkursin për raportimin më të mirë për çështjet fiskale me gazetarë të ekonomisë. Kjo u mundësua nga JTI.
Kryetari i Unionit, gazetari Aleksandër Çipa, në çelje të veprimtarisë falënderoi përfaqësuesit e pranishëm, kolegët dhe pjesëmarrësit në konkursin, si dhe fituesit e çmimeve.
Kjo veprimtari e parë promovon çmimin e parë që jepet nga organizata më e madhe e gazetarëve të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duke vlerësuar së pari trashëgiminë e vlerave brenda komunitetit tonë, por edhe duke inkurajuar gazetarët që përmirësojnë dhe aspirojnë raportim cilësor dhe profesional. Me këtë rast, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë uroi gjithë gazetarët shqiptarë për festat e fundvitit.

Çmimi "Karriera" për Prof.dr. Hamit Boriçi
Prof.dr. Hamit Boriçi përfaqëson personalitetin më të spikatur në fushë të studimeve të sotme për gazetarinë dhe problemet e saj në një hark kohor mbi gjysmëshekullor. Një kolanë e plotë botimesh dhe studimesh të realizuara prej tij, përfaqësojnë pjesën kryesore të studimeve dhe hulumtimeve shkencore dhe përshkrimore për gazetarinë bashkëkohore shqiptare.
Në jetën e vet akademike, prof. dr. Boriçi, përfaqëson pedagogun e palodhur, kërkuesin e përhershëm dhe sistematik, mësimdhënësin virtuoz dhe publicistin që në mënyrë kreative e përcjell përvojën personale të gazetarit si shembull të pasurimit të mëtejshëm të dijeve dhe praktikave për brezat e rinj.
Prof. dr. Boriçi konsiderohet tashmë një ndër editorët më jetëgjatë në shtypin e shkruar shqiptar që ka dëshmuar jo vetëm vlera të një kërkuesi dhe profesionisti, por edhe investim të rrallë për trashëgiminë e vlerave pozitive të gazetarisë shqiptare në të gjitha kohërat. Shumë vite të karrierës së tij, në të cilat ai është shquar si editor kurajoz dhe këmbëngulës, mund të cilësohen si kontribut i rrallë për inkurajimin e mendimit dhe valencës së lartë intelektuale kombëtare.
Botimet e shumta, studimet dhe punimet kërkimore shkencore në fushë të gazetarisë, përbëjnë sot një referencë për brezat e studentëve, pedagogëve, studiuesve, publicistëve dhe veprimtarëve më të spikatur të gazetarisë shqiptare dhe asaj rajonale ballkanike.
Çmimi "Karriera" për Zotin Agron Çobani
Gazetari Agron Çobani është një emër i shënuar për kontributin profesional, pasionin, këmbënguljen dhe lënien e një trashëgimie të spikatur në fondin dhe arkivin e shtypit të shkruar dhe medias audiovizive shqiptare. Me një jetë të gjatë e të pasur krijimtarie në mediat kombëtare, lëvrues i suksesshëm i zhanreve të ndryshme të gazetarisë, Agron Çobani çmohet për aftësitë e veta profesionale në gjithë jetën e vet, duke qenë në të njëjtën kohë një ndër personalitetet e njohura të aftësimit dhe përmirësimit të parimeve të raportimit në mediat publike shqiptare. Me fjalën dhe zërin e tij, Agron Çobani, krijoi një fond të cilin fonoteka dhe arkiva e Radio-Televizionit Publik e trashëgon dhe do ta trashëgojë si punë të vlershme të një profesionisti inteligjent.
Me punën dhe përvojën e vet, ai konsiderohet sot një ndër profesionistët që kontribuoi për aftësimin e brezave të rinj të reporterëve dhe gazetarëve radiotelevizivë shqiptarë.

Çmimet për konkursin "Vangjush Gambeta",
rreth raportimit më të mirë ekonomik 2009.
Pas shpalljes së konkursit për shkrimin më të mirë ekonomik, organizuar nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me kompaninë: "JTI, Office Albania- Corporate Afairs", i cili është edhe donatori i këtij konkursi, juria e përbërë nga 5 anëtarë vendosi këto vlerësime:
1. Çmimin për raportimin më të mirë në shtypin e shkruar e merr
Telnis Skuqi, gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare për Qarkun e Gjirokastrës. Shkrimi i sjell prej tij titullohet "Aty ku biznesi i vogël paguan taksë të madhe", ku në formën e një reportazhi të shkurtër, autori trajton impaktin që jep vendosja e taksave vendore në biznesin privat, duke i dhënë përgjigje pyetjes: Janë taksa që ndihmojnë biznesin apo mbushjen e pamerituar të arkës së bashkisë. Personazhe të tij janë dy biznesmenë, gjykimet e të cilëve ballafaqohen me praktikat e zyrtarëve bashkiakë. Të gjithë personazhet e shkrimit janë realë gjë që e bën raportimin jetësor.
2. Çmimin për raportimin më të mirë radiofonik e merr Afërdita SELIMI, gazetare në Radio-Tirana, për kronikën e saj radiofonike "Tatimi mbi të ardhurat, varfëron apo pasuron", që trajton impaktin që ka sjell futja në veprim e taksës mbi të ardhurat, Është një kronikë që mbështetet në ballafaqimin e gjykimeve të specialistëve me realitetin konkret.
3. Çmimin për kronikën më të mirë televizive e merr Florian PAPADHIMITRI, gazetar i ekonomisë, në TV-KOHA. Materiali i paraqitur prej tij është një kronikë mbi debatet që përfshinë biznesin në lidhje me nenin e ashtuquajtur të "gjobave". Kronika mbahet mbi gjykimet e përfaqësuesve të grupeve të interesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›