OSSH: Kufizimi i dritave, nga aktet kriminale
OSSH po gjendet në një situatë të vështirë dhe të paparashikuar. Pas përplasjes me qeverinë për tarifat e energjisë, tani kompanisë i duhet të përballet edhe me sulmet vandale. Nuk kaloi gjatë nga rrëzimi i shtyllës me anë të tritolit dhe sërish është regjistruar një incident me kabllot elektrikë, në një zonë pranë Vorës. OSSH ka sqaruar dje se kufizimi i dritave nuk ka qenë i planifikuar, por për shkak të vjedhjes së panelit të tensionit të ulët dhe të kabllove që lidhin panelin. Mungesa e energjisë zgjati rreth katër ditë, duke penalizuar edhe bizneset e shumta në këtë zonë industriale. "Pas evidentimit të këtij rasti dhe raportimit të tij në polici, OSSH procedoi me blerjen e materialeve të nevojshme për të instaluar pajisjet e reja dhe për t‘ju rikthyer energjinë elektrike konsumatorëve në Vorë. Të martën, më 22 dhjetor 2009, në orën 17:30, pas një pune intensive, energjia u kthye për të gjithë zonën", sqaroi kompania. Më tej OSSH informon se "i njëjti akt kriminal ka ndodhur dy ditë më parë në zonën e Kamzës, ku nënstacioni u dëmtua dhe u vodh nga njerëz të paidentifikuar". Nisur nga rastet e shpeshta, OSSH kërkon ndihmën e policisë dhe bashkëpunim më të ngushtë me pushtetin lokal.
a.k