E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Nuk na shqetëson kriza ekonomike, por situata politike

Biznesin në vend nuk e shqetëson aq shumë kriza ekonomike, sesa situata politike në vend, e cila prej tre muajsh po shtrëngon reformat me ligjet. Në një takim të zhvilluar në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi me ndërtuesit dhe fasonët, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë përmblodhi zhvillimet kryesore të vitit 2009, ku padyshim vend të dukshëm zinte kriza ekonomike, por reformat pozitive të qeverisë. Me këtë rast, kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, paraqiti një sërë sugjerimesh drejtuar qeverisë dhe politikës në tërësi. E para ishte zgjidhja e situatës politike dhe liberalizimi i shpejtë i vizave.

"Efektet e krizës ekonomike qenë minimale dhe janë bizneset më mirë se kushdo që e konfirmojnë këtë fakt. Niveli i lartë i investimeve publike, i kombinuar me reformat fiskale dhe rregullatore shërbyen në mënyrë të suksesshme të amortizonin çdo efekt negativ", u shpreh Jaka. Duke folur për marrëveshjen, kreu i Dhomës tha se bashkëpunimi me dy prej grupimeve më të fuqishme të biznesit, ndërtuesit dhe fasonistët, na bën të jemi artikuluesit më të mirë të problemeve që bizneset kanë.

Sa i takon shqetësimeve, kreu i bizneseve të Tiranës kërkoi mirëkuptimin e opozitës për të votuar ligjin për Gjykatën Administrative. "Është e qartë se bojkoti krijon pasiguri për biznesin dhe klimën në përgjithësi. Ne e kemi ndjerë shqetësimin që është krijuar nga situata aktuale politike edhe në takimet që kemi pasur me partnerët tanë të huaj", veçoi Jaka. Më tej u theksua problemi i liberalizimit të vizave. "Të operohet me shpejtësi për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave e përkthyer kjo si një zhvillim shumë i mirëpritur për sipërmarrjen dhe biznesin në përgjithësi", ishte njëra nga kërkesat.

Shumë prej ligjeve të miratuara nga qeveria nuk e kanë pasur pëlqimin e biznesit, për shkak se hartimi i drafteve bëhet në mënyrë jo transparente. Për këtë shkak, Dhoma e Tiranës kërkon me forcë që diskutimi i iniciativave ligjore dhe projektligjet të bëhen me grupet e interesit.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›